FORD FIESTA

30/10/2017 12:30 PM 0 komente

Gjenerata e shtatë fokusohet tek teknologjia, por pa anashkaluar kënaqësinë e drejtimit: një aftësi e rrallë kjo, mes modeleve të kësaj kategorie

 

NUK ËSHTË një, as dy apo tre. Janë plot katër, versionet e propozuara nga Ford Fiesta e re. Nuk bëhet fjalë për pajime të thjeshta, por për variacione reale mbi temën, të cilat dallojnë nga njëra-tjetra për shkak të një sërë ndryshimesh të dukshme, të bëra tek parakolpi, në nivel të cilësisë së montimit dhe shasisë. Për provën e parë, u zgjodh modeli ST Line (nuk duhet të ngatërrohet me modelin e vërtetë ST me 200 kf, e cila do të mbërrijë në treg vitin e ardhshëm): parakolpe sportive, disqe prej aliazhi 17 inç dhe strukturë e veçantë, pak më e ngurtë. Ёshtë e vërtetë se bëhet fjalë për një makinë qyteti, por inxhinierët e Ford janë përpjekur të kujdesen në mënyrë të veçantë për kënaqësinë e drejtimit. Mjaftuan kthesat e para për ta kuptuar një gjë të tillë.

Të zhytur në fushat e pafundme dhe monotone të Valladolid në Spanjë, zbuluam një makinë me karakter më të vendosur, krahasuar me mesataret e segmentit. Merita është e timonit, më i shpejtë dhe më i saktë në krahasim me atë të konkurrentëve, por edhe e shasisë, që është thuajse sportive. Për ta bërë edhe më zbavitës drejtimin, ndikon edhe motori EcoBoost. I shumëvlerësuari 1.0 turbo benzinë, në variantin më të fuqishëm të tij, 140 kf, i dhuron modelit ST Line një shtysë të re, në sajë të momentit përdredhës 180 Nm, të arritshëm që në 1500 xhiro/min. Një shtysë e tillë gjen konfirmim edhe në të dhënat teknike: mjaftojnë 9 sekonda për të arritur 100 km/h. I hatashëm edhe përshpejtimi duke qenë se në regjim maksimal, nuk ka asnjë humbje, edhe në mbi 6.500 xhiro/min. Sa keq që raportet e marsheve janë të gjata dhe dëmtojnë shkathtësinë e kësaj “perle” tre-cilindërshe.

Një zgjedhje teknike e tillë, nga ana tjetër, ka lejuar ruajtjen e konsumit të ulët, objektiv ky i arritur, bazuar në provat fillestare: gjatë këtij testimi të shkurtër, u udhëtua mesatarisht më shumë se 17 km me vetëm një litër karburant (e dhënë e marrë nga kompjuteri i kabinës). Për të përforcuar idenë e një sportiveje të vogël, ndihmon gjithashtu pozicioni i mirëstudiuar i drejtimit si dhe sediljet e profilizuara. Izolim akustik i shkëlqyer dhe cilësia e lartë e brendësisë së kabinës, shumë më e rregullt se në versionet pararendëse. Stilistët kanë hequr të gjithë butonat e pranishëm në kabinën e serive të mëparshme, duke i zëvendësuar me një ekran të madh 8 inç (6.5 në versionet më pak të pajisura), të stilit tablet.

Asgjë për t’u theksuar për sa i përket hapësirës; bagazhi, pavarësisht rritjes së dukshme të përmasave (+7 cm), nuk ka fituar pothuajse asgjë në kapacitet. Së fundi, nota dhjetë i shkon teknologjisë. Përtej sistemit multimedial Sync 3, me komanda zanore dhe mundësi ndërfaqe përmes sistemeve më të njohura të “mirroring” nga celulari (Apple CarPlay dhe Android Auto), Fiesta ofron pajisje ndihmëse drejtimi, deri tani ekskluzivitet kryesisht i kategorive të larta të kësaj marke. Këtu mund të përmendet sistemi adaptive cruise control, fenerët e largësisë automatike, monitorimin e këndeve të errëta si dhe frenimi automatik, i cili funksionon edhe gjatë natës dhe dallon këmbësorët.

 

KA PЁR TЁ GJITHЁ

DUKET sikur modeli i ri Ford Fiesta, ka lindur me qëllimin e qartë për t’i kënaqur të gjitha shijet (në foto, duke filluar nga e majta, modelet Active. ST Line, Vignale dhe Titanium, të cilëve iu shtohet edhe versioni “bazë” Plus).

Para së gjithash, Ford Fiesta, mbetet një nga të paktat makina të segmentit B, që vazhdon të ofrojë edhe variantin me tre dyer. Gama e motorëve është mjaft e gjerë. Tek motorizimet me benzinë fillon me motorin tre cilindra 1.1 me thithje, të disponueshëm në variantet me 70 ose 85 kf. Për ata që janë në kërkim të një performance më të lartë, është në dispozicion varianti EcoBoost.

Ky motor 1.0 turbo-benzinë, përsëri me tre cilindra, është zgjedhur për gjashtë vjet radhazi si “Motori i vitit”, dhe tek Fiesta ofrohet në versionet me 100, 125 dhe 140 kf. Nuk mungon gjithashtu edhe motori diesel 1.5 TDCi (85 ose 120 kf), për ata që janë të dashuruar pas udhëtimeve të gjata. Për sa i përket kambios, përveç asaj manuale klasike, me pesë apo gjashtë marshe, është edhe mundësia e asaj automatike, të pajisur jo më me friksion të dyfishtë Powershift, por me konvertues momenti përdredhës, me gjashtë raporte.

 

1.0 EcoBoost ST Line 3 dyer
MOTORI – L3 turbobenzinë 998 cm³
FUQIA MAKSIMALE – 103 kW (140 kf)
MOMENTI PËRDREDHËS – 180 Nm në 1.500 xhiro/min
TRAKSIONI – në rrotat e para
KAMBIO – manuale me 6 marshe
0-100 km/h – 9,0 s
KONSUMI MESATAR – 22,2 km/l
PËRMASAT – gjat. 406 – gjer. 173 – lart. 146 cm
PESHA – 1.144 kg
ÇMIMI – duke filluar nga 14.250 €

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz