Të ardhurat në arkën e shtetit për 4-mujorin i kaluan të 1 miliard eurot me një tejkalim nga plani i periudhës me 5.1%.
Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave gjatë janar-prill 2017 u arkëtuan 139.9 miliardë lekë nga 133 miliardë lekë që ishte plani i periudhës, rreth 6 miliardë lekë më shumë. Në raport me faktin e vitit të kaluar, të ardhurat shënuan rritje me 65%.
Siç shihet nga zërat buxhetorë, të ardhurat më të larta kanë rezultuar nga tatimi mbi fitimin me 34% më shumë ose 3.4 miliardë lekë më shumë se plani. Këto arkëtime janë nxitur nga pagesat e kompanive publike si KESH, OST dhe OSHEE, të cilat parapaguajnë fitimin e vitit që në 4-mujorin e parë.
Tatimi mbi Vlerën e Shtuar ka shënuar një rritje modeste me vetëm 0.6%. Të ardhurat nga akciza gjithashtu i janë rikthyer rritjes me 3% të nxitura nga çmimet më të larta të naftës në tregun ndërkombëtar.
Por teksa taksat dhe tatimet kanë performuar mirë këtë 4-mujor shihen zhvillime paradoksale në taksën e punës. Të ardhurat nga TAP kanë pësuar rënie për periudhën 4-mujore me 6%, edhe pse treguesit e punësimit janë rritur dhe paga minimale është rritur. Edhe pse tregu i punës është në një proces formalizimi, që logjikisht duhet të sjellë të ardhura më të larta nga tatimi i punës, bizneset dhe individët duke se po aplikojnë skemat e nëndeklarimit të të ardhurave për të paguar më pak taksa.
Performanca buxhetore paraqitet ndryshe në këtë vit elektoral, ku tradita ka treguar se në këtë periudhë treguesit kryesorë buxhetorë, të ardhura, shpenzime dhe deficiti zhbalancohen. Por kjo disiplinë rrjedh nga detyrimet që vijnë prej ligjit të ri organik, i cili parashikon rregulla më të forta në drejtim të shpenzimeve publike në një vit elektoral.
E M Ë R T i M i | Plan 4 mujor 2017 | Fakt 4-mujor 2017 | Ndr.ne vlere | Ndry.ne % |
TOTALI TE ARDHURAVE | 133,091 | 139,933 | 6,842 | 5.1 |
Të ardhura nga ndihmat | 2,702 | 1,576 | (1,126) | -41.7 |
Të ardhura tatimore | 122,073 | 129,856 | 7,783 | 6.4 |
Nga Tatimet dhe Doganat | 87,821 | 93,352 | 5,531 | 6.3 |
Tatimi mbi Vlerën e Shtuar | 41,651 | 41,918 | 267 | 0.6 |
Tatimi mbi Fitimin | 9,992 | 13,447 | 3,455 | 34.6 |
Akcizat | 12,551 | 12,928 | 377 | 3.0 |
Tatimi mbi të Ardhurat Personale | 11,040 | 10,373 | (667) | -6.0 |
Taksa Nacionale dhe te tjera | 10,723 | 12,845 | 2,122 | 19.8 |
Taksa Doganore | 1,865 | 1,841 | (24) | -1.3 |
Të ardhura nga Pushteti Vendor | 6,621 | 7,869 | 1,248 | 18.8 |
Të ardhura nga fondet speciale | 27,631 | 28,635 | 1,004 | 3.6 |
Sigurimi Shoqëror | 23,303 | 24,221 | 918 | 3.9 |
Sigurimi Shëndetësor | 3,749 | 3,922 | 173 | 4.6 |
Të ardhura Jotatimore | 8,315 | 8,501 | 186 | 2.2 |
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.