Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, shprehet se është tepër i shqetësuar për shumën e parave që dalin nga “industria e futbollit” në formën e komisioneve për agjentët e lojtarëve.
Siç raporton “BBC”, nga të gjitha shpenzimet që janë bërë nga ekipet e Premier League në tregun e merkatos në sezonin 2016-2017, rreth 174 milionë paund kanë përfunduar në xhepat e agjentëve të futbollistëve.
Rritja e komisioneve të agjentëve. Vitin e fundit, në Premier League, agjentët kanë fituar 220 milionë paund
“Ne duhet të përballemi me këtë problem”, u shpreh për BBC Sport numri një i FIFA-s. Ajo çka e shqetëson veçanërisht Infantino-n është fakti se komisionet e paguara për ndërmjetësit vazhdojnë të rriten, ndërsa shuma e paguar si kompensim për klubet që kanë kontribuar në trajnimin dhe rritjen e një lojtari priret të reduktohet.
Sipas Sports Business Group të Deloitte, totali i shpenzimeve të klubeve të Premier League për sezonin 2017-2018 vlerësohet në 1.9 miliardë paund, ku 430 milionë u shpenzuan në merkaton e janarit, thuajse dyfishi i shpenzimeve të rekordit të mëparshëm, që ishte 225 milionë.
Klubet britanike paguan në total 220 milionë paund për agjentët e lojtarëve gjatë periudhës shkurt 2016 – janar 2017- një rritje me 38% krahasuar me 160 milionë paund të shpenzuara në të njëjtën periudhë të sezonit 2014-2015.
Rritja e komisioneve të agjentëve, Infatino kërkon llogari
Për këtë arsye, Infantino thotë se ndryshimet janë të nevojshme: “Të gjitha llogaritjet dhe pagesat duhet të kalojnë nëpërmjet një procesi kompensimi ku të menaxhohen si komisionet e agjentëve edhe komisionet e transferimeve të lojtarëve”.
Ai e mbyll deklaratën: “Jemi në një moment ku aktorët kryesorë janë të vetëdijshëm se situata nuk është e qëndrueshme. Ne kemi nisur diskutimin me palët e interesuara për të shqyrtuar metodën e transferimeve dhe shpresojmë të bindim federatat, ligat, sindikatat e lojtarëve se kjo është rruga e drejtë”.