Kryetari i Shoqatës së Eksportuesve Kosovë, Nexhat Hasani, ka thënë se bizneset eksportuese po përballen me vështirësi të ndryshme siç janë ato financiare, problemet me politikën fiskale, gjetja e tregjeve dhe niveli i lartë i importeve.
Ai ka thënë se në Kosovë mungon një strategji e mirëfilltë për eksporte prandaj, sipas tij, bizneseve eksportuese u nevojitet fuqi financiare dhe përkrahja nga qeveria.
Sipas tij, bën të ditur Telegrafi, problemet me të cilat përballen eksportuesit disa herë u janë drejtuar Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI) dhe asaj të Financave (MF). Hasani ka deklaruar se bizneset në Kosovë po përballen po ashtu me problemin e furnizimit të lëndës së parë, si dhe me problemin e ambalazhit të makinerisë dhe pajisjeve të ndryshme.
“Ne duhet të bëjmë përpjekje aty ku ne mund të dominojmë në tregjet e huaja, siç është sektori i mineralëve, por mungon një strategji e mirëfilltë e eksportit. Ne kemi probleme me politikën fiskale, siç ishte rasti me Shqipërinë, por në vazhdimësi janë edhe problemet me tarifa të produkteve tona që eksportohen në Shqipëri”, ka thënë ai, duke shtuar se këto probleme sillen me Serbinë dhe Bosnjën.
“Ka disa vite flasim për këto probleme, por asgjë s’po lëviz në këtë drejtim. Vazhdimisht u jemi drejtuar institucioneve përkatëse, Ministrisë së Tregtisë dhe asaj Financave, mirëpo kohët e fundit paraqiten se i dinë problemet, por nuk kanë fuqi për t’i zgjidhur. Kështu që, kemi ardhur në një situatë kur nuk kemi më fuqi për t’i zgjidhur këto probleme”, ka deklaruar ai.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.