IKEA ka provuar të imagjinojë se si do të jetë kuzhina në vitin 2025, duke u përpjekur “të interpretojë” se si do të ndryshojë stili i jetës së njerëzve
Dëshira për të gatuar, zero. Por ndoshta, dëshira mund t’ju vijë nëse dikush – ose më mirë diçka – do t’ju këshillojë hap pas hapi se çfarë të bëni. Duhet të presim vitin 2025, kur të gatuarit e pjatave të shijshme do të jetë një lojë fëmijësh.
Tavolina inteligjente – e pagëzuar nga IKEA “Table for living” – është menduar që ta shndërrojë gatimin, që për dikë është diçka e mërzitshme, në një përvojë të bukur. Tavolina inteligjente, ende në fazë eksperimentimi, është në gjendje të analizojë përbërësit, t’i peshojë ata, duke shfaqur në sipërfaqe recetat që mund të përgatisni në varësi të kohës. Pjatat mund të gatuhen direkt në tavolinë, nuk do të jetë e nevojshme të përdorni furrën tradicionale.
Si funksionon
Kjo është ëndrra e gjithë atyre që kanë pak dëshirë, kohë dhe fantazi për të gatuar. Tavolina inteligjente nga IKEA, në shikim të parë, duket një tavolinë normale prej druri, por në fakt vetëm e tillë nuk është. Në të është e integruar një peshore për të peshuar përbërësit, një pianurë e cila, ndër të tjera, është në gjendje të identifikojë përbërësit në sipërfaqe, falë një videokamere dhe një projektori të fiksuar në tavan.
Le të marrim një shembull praktik. Hapim frigoriferin, që për një person që nuk pëlqen të gatuajë, nuk do të jetë asnjëherë plot, dhe prej andej marrim disa domate, brokoli dhe patate. Si me magji, në sipërfaqen e tavolinës do t’ju shfaqen receta për të përgatitur një pjatë me ata përbërës në varësi të kohës që keni në dispozicion. Tavolina jo vetëm gatuan, por ngroh edhe gjellët, madje edhe kafenë, dhe ndërkohë, karikon madje edhe celularin.