Monedha vendase ka shënuar sot një tjetër rritje në raport me euron, duke u këmbyer me 139.13 lekë, sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë.
Ky është niveli më i lartë i lekut që prej shtatorit të vitit 2012, ndërkohë që gjatë vitit 2013 monedha vendase nuk kishte zbritur asnjëherë në këto kuota.
Një lek më i fortë nënkupton një lehtësi për të gjithë ata që kanë një kredi në valutë dhe i kanë të ardhurat në monedhën vendase, pasi do t’u duhen më pak lekë për të plotësuar këstin mujor në euro. Dy vitet e fundit, të gjithë kredimarrësit në banka kishin parë një rritje të këstit të tyre mujor të huasë, për shkak të lekut të shtrenjtë.
Aktorët e tregut të brendshëm pohojnë se në tregun e brendshëm është rritur oferta për valutë, nga emigrantët dhe turistët, ndërkohë që monedha vendase është ndihmuar dhe nga euro e dobët në tregjet ndërkombëtare.
Në tregjet ndërkombëtare, dollari u rrit në nivelin më të lartë në shtatë javë kundrejt monedhave kryesore, si rrjedhojë e optimizmit se rimëkëmbja e SHBA-ve po i përshpejton ritmet dhe teksa Rezerva federale po debaton lidhur me ritmin e rritjes së normave të interesit. Monedha amerikane fitoi 0.2 për qind në $1.3414 për euro.
Megjithatë, në tregun vendas, dollari shënoi rënie, duke zbritur me 0.13 lekë, në 103.52 lekë.