“Jam i zhgënjyer të shikoj se Indeksi i Dhomës Amerikane në vitin 2017 ka rënë lehtë, në 42.45, nga 43.78 në 2016-n”. Me këtë frazë i drejtohet ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Lu, në letrën e tij për anëtarët e Dhomës Amerikane të Tregtisë, siguruar e plotë nga Monitor, të cilën z.Lu e lexoi të plotë para anëtarëve të Dhomës mbrëmjen e djeshme, kur u prezantuan rezultatet e indeksit.
Dhoma Amerikane publikoi sot Indeksin e Besimit (ABI) i cili tregonte përkeqësim, pas përmirësimit të një viti më parë. http://www.monitor.al/perkeqesohet-serish-indeksi-biznesit-te-dhomes-amerikane-nga-taksat-monopolet-dhe-konkurrenca-e-pandershme/
Në linjë me përkeqësimin e treguesit të besimit, edhe mesazhet e dhëna nga ambasadori këtë vit janë shumë të ashpra.
“Ashtu si në vitet e kaluara, ABI për vitin 2017 reflekton pakënaqësinë e vazhdueshme me një sërë treguesish të rëndësishëm të klimës së biznesit, veçanërisht nivelet e taksave, burokracinë e qeverisë, konkurrencën e pandershme, problemet në gjetjen e stafit të kualifikuar dhe korrupsionit”.
Sondazhi, thuhet në letër, gjithashtu tregon se besimi i anëtarëve është përmirësuar në disa fusha, përfshirë kërkesën për mallra dhe shërbime, furnizimin me energji dhe gjendjen e sistemt gjyqësor.
“Ulja e lehtë e Indeksit këtë vit konfirmon se mbetet ende shumë për t’u bërë, për të përmirësuar klimën e biznesit në vend. Legjislacioni, taksat dhe sistemet rregullatore duhet të nxisin një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm dhe të drejtë”.
“Unë jam i inkurajuar nga misioni i Dhomës Amerikane për të ndërtuar një klimë më të mirë biznesi. Së bashku ne mund të nxisim qeverinë që të zbatojë reformat e nevojshme dhe të luftojë korrupsionin. Unë u kërkoj të gjithë anëtarëve të Dhomës Amerikane të kërkojnë të mbajnë lart vlerat bazë amerikane të drejtësisë dhe transparencës”.
“Së bashku, ne mund të tejkalojmë sfidat e momentit dhe të punojmë për një qëllim më të madh, të bazuar në interesat tona të përbashkëta dhe vlerat që ndajmë”, përfundon letra e ambasadorit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.