Burimet e të ardhurave janë në rritje për klubin e Manchester United por në bilancin e përgjithshëm ndikojnë negativisht pagat dhe taksat.
Djajtë e Kuq bënë të ditur dje bilancin e gjashtëmujorit të parë të vitit 2017. Bilanci, i mbyllur më datë 30 qershor 2017, arriti në 580 milionë sterlina.
Në gjashtë muajt e parë të vitit, ekipi britanik pati të ardhura prej 304.9 milionë sterlinash, një rritje me 9.6% krahasuar me 278.1 milionë të vitit 2016. Në mënyrë të veçantë janë rritur fitimet nga të drejtat televizive që lidhen me pjesëmarrjen e ekipit në UEFA Champions League.
Të ardhurat nga të drejtat televizive u rritën, të cilat në gjashtë muajt e parë të vitit 2017 zunë 32.7% të totalit të të ardhurave (më 31 dhjetor 2016 ishin 29.4%), ndërsa të ardhurat komerciale ranë në 47.9% (50.7% në sezonin e kaluar).
Midis kostove, pagat vazhdojnë të rriten, në gjashtë muajt e parë Manchester United shpenzoi rreth 140 milionë sterlina për paga, me një rritje me 10% kundrejt sezonit të kaluar. Raporti shpenzimet për personelin /qarkullim të ardhurash ishte i qëndrueshëm, 45.8%, krahasuar me 45.2% në gjashtë muajt e parë të sezonit 2016/2017.
Megjithatë, rezultati për këtë periudhë ka qenë negativ. Arsyeja është reforma e taksave që ka ndërmarrë në SHBA presidenti Donald Trump. Reforma parashikon shkurtim në taksa ndaj korporatave të mëdha, duke reduktuar kontributet e tyre fiskale nga 35% në 21%.
Familja Glazers, e cila ka në pronësi Manchester United, konsiderohet si korporatë e madhe dhe si rrjedhojë, rritja e taksave ka bërë që bilanci sezonal i të ardhurave të Djajve të Kuq të jetë negative.
Lajmi është bërë i ditur nga Cliff Batty, shefi i financave të klubit. “Situata nuk do të përsëritet në të ardhmen”, – tha ai.