Në futboll sot lojtarët blihen, dhe shtrenjtë madje. Mbi të gjitha, ata që janë në gjendje të bëjnë diferencën, çmimi i të cilëve është rritur duke kapur majat, deri në 222 milionë euro, të cilat Paris Saint-Germain i pagoi për të blerë sulmuesin brazilian Neymar.
Megjithatë është një klub, mbi gjithë të tjerët, sa u përket shpenzimeve të transferimeve për të krijuar skuadrën e sotme: Manchester City. Siç bën të ditur “CIES Football Observatory”, pavarësisht dhënies në huazim të Eliaquim Mangala tek Everton, kostoja e transferimit të mbrojtësit francez, Aymeric Laporte, e ka çuar vlerën totale të shpenzimeve për lojtarët aktualë të skuadrës në një nivel rekord prej 878 milionë eurosh.
Analiza është bërë duke marrë në konsideratë pesë kampionatet më të mira në Europë: Premier League, La Liga, Bundesliga, Seria A dhe Ligue 1.
Manchester City ia kalon me fare pak Paris Saint-Germain, 805 milionë euro, ndërsa Manchester United është në vend të tretë më 747 milionë. Në vend të katërt renditet Barcelona me 725 milionë. Këto janë klubet e vetme që kanë shpenzuar më shumë se 700 milionë euro për të formuar skuadrën e tyre aktuale.
Logjika ekonomike të bën të mendosh që fituesja e ardhshme e Champions League duhet të jetë një mes këtyre katër skuadrave. Sa u përket skuadrave italiane, më e shtrenjta është Juventus, që për të formuar skuadrën aktuale ka shpenzuar 448 milionë euro. Pas bardhezinjve, në Itali vjen Milani me 305 milionë euro.
Premier League, kampionati që shpenzon mesatarisht më tepër
Shumat mesatare të investuara për transferimet e futbollistëve në pesë kampionatet kryesore variojnë mes 97 milionë euro për kampionatin francez (Ligue 1) dhe 291 milionë për Premier League. Shifrat për tre kampionatet e tjera janë disi më të ekuilibruara: 113 milionë euro për Bundesligën gjermane, 124 milionë euro për Serinë A dhe 131 milionë për Ligën Spanjolle.