Manchester City vazhdon të thyejë rekordet e veta në merkato. Citizens e Pep Guardiolës sapo kanë përfunduar transferimin e Aymeric Laporte nga Athletic Bilbao, duke paguar një shifër rekord.
City u ka paguar spanjollëve shifrën e klauzolës së francezit, 57 milionë sterlina (rreth 65 milionë euro). Asnjë lojtar nuk është paguar kurrë kaq shumë nga Citizens. Blerja e francezit ka kapërcyer edhe atë të Kevin De Bruyne, për të cilin City shpenzoi 55 milionë sterlina. Në podium është edhe blerja e Benjamin Mendy, nga Monaco, për 52 milionë sterlina.
Aymeric Laporte bëhet kështu mbrojtësi i dytë më i paguar në botë pas Virgil van Dijk, i blerë nga Liverpool për rreth 85 milionë euro. Tanimë reparti i mbrojtjes së Manchester City kushton në total 270 milionë euro – 40 milionë të paguara për portierin Ederson, 51 milionë për Walker, 55 milionë për Stones dhe 57 milionë për Mendy.
Që kur tekniku Guardiola është nën drejtimin e Manchester City, klubi anglez nuk i ka kursyer shpenzimet – për gjatë dy sezoneve ka shpenzuar më shumë se 500 milionë euro (sipas Transfertmarkt, 522,30 milionë euro). Në total janë blerë 18 lojtarë.