Bota nuk është as e sheshtë dhe as e rrumbullakët. Nga këndvështrimi ekonomik, bota ngjan më shumë me ‘Kubin e Rubikut’, me kombinime të larmishme të kushteve të ndërvarura dhe zhvillime që çojnë në rezultate të ndryshme. Përparimet teknologjike, tregjet e reja dhe në zhvillim të konsumit, ndryshimi i strukturave të kostos dhe përmbysjet politike dhe sociale janë disa nga dinamikat që, në mënyrë individuale ose në kombinim me njëra-tjetrën, po nxisin kompanitë të përmirësojnë dhe transformojnë modelet e tyre operative globale dhe gjurmët e aktiviteteve.
Raporti më i fundit mbi Trendet e Pozicionimit Global nga Instituti IBM për Vlerën e Biznesit (IBV) përshkruan tendencat e fundit në zgjedhjen e lokacionit të korporatave – se në cilat vende të botës kompanitë po pozicionohen dhe zgjerojnë bizneset e tyre dhe po krijojnë vende pune. Ky studim ofron njohuri strategjike, se cilat industri po zgjerohen dhe cilat rajone në mbarë botën po përfitojnë përmes krijimit të vendeve të punës dhe rritjes ekonomike.
Në vijim gjenden disa informacione të përzgjedhura nga raporti:
6% rritje në krijimin e vendeve të punës në mbarë botën nga investimet e huaja.
SHBA renditet e para, me një performancë rekord të vendeve të punës nga investimet e huaja në vitin 2014.
Irlanda vazhdon të udhëheqë botën në tërheqjen e projekteve me vlerë të lartë.
Maqedonia renditet e para në krijimin e vendeve të punës për frymë.
Londra është qyteti kryesor global për tërheqjen e projekteve të investimeve të huaja.
Zinxhirët globalë të furnizimit po bëhen gjithmonë e më kompleks, veçanërisht për aktivitetet prodhuese, me kombinimet e strategjive “nearshoring” (transferimi i biznesit ose proceseve IT në kompanitë e një vendi fqinj) dhe ‘offshoring’ (transferimi, nga një kompani, i procesit të një biznesi nga një vend në tjetrin) të përdorura nga kompanitë.
Kompanitë vazhdojnë të përshtasin qasjen e tyre ndaj qendrave të përbashkëta të shërbimit.
Shfaqja e ‘Internet of Things’ (ndërlidhja e mekanizmave unikë të identifikueshëm kompjuterikë me infrastrukturën ekzistuese të internetit) do të transformojë më tej gjurmët globale, teksa ofron mundësi të reja që kompanitë të operojnë në rrjete komplekse të prodhimit, shpërndarjes dhe shitjes nëpër vende të shumta, duke rritur fuqinë e të dhënave për të udhëhequr krijimin e vlerës.