Ky është një prej proceseve më të vështira për një punonjës, por nuk do të thotë që është më pak për një punëdhënës.
Të pushosh një punonjës, duke e parë drejt e në sy dhe t’i thuash që fatkeqësisht ai nuk do të jetë më pjesë e kompanisë, është një prej gjërave më të vështira. Madje është më e vështirë për punëdhënësin që ta japë një lajm të tillë, sepse duhet të gjejë fjalët e duhura dhe duhet të tregohet më i kujdesshëm sesa për punonjësin që e dëgjon një gjë të tillë (edhe pse normalisht pasojat për këtë të fundit janë më të rënda).
Këshillat e mëposhtme do t’ju ndihmojnë duke jua bërë më të lehtë këtë proces:
Duhet të jeni të sigurt për vendimin që do merrni
Në një çështje të tillë, kur bëhet fjalë për të pushuar dikë nga puna, duhet të jeni të sigurt dhe asnjëherë të mos merrni vendime të tilla në gjaknxehtësi e sipër, sepse asnjëherë nuk janë ato të duhurat. Edhe nëse ju nuk keni aspak tolerancë për sjellje të caktuara, jepini vetes disa minuta kohë për ta analizuar situatën në qetësi. Kur ju jeni të acaruar është shumë e lehtë për të marrë vendime të tipit: Ai punonjës duhet pushuar menjëherë. Por mos harroni edhe faktin që pasi situata të jetë qetësuar dhe qartësuar, ju mund të bëheni pishman për vendimin e marrë, prandaj këshillohet që një vendim të tillë kaq të rëndësishëm, të mos e merrni kurrë ne gjaknxehtësi e sipër.
Çdo gjë duhet të jetë shumë mirë e përcaktuar
Cilat janë përfitimet e fundit të punonjësit para se të largohet? Kur do ta marrë ai pagën e fundit që i takon? Nëse nuk keni një përgjigje për pyetjet e mësipërme atëherë, atëherë mos dyshoni në faktin se një pjesë e mirë e fajit për keqmenaxhimin e punës në kompaninë tuaj është e juaja( e punëdhënësit). Periudha kohore nga momenti që ju i thoni një punonjësi që “Jeni i pushuar”, e deri në momentin që ai largohet nga kompania, është një periudhë shumë e tensionuar, sidomos për punonjësin. Ju duhet të dini çdo detaj dhe të vendosni pikat mbi “i” edhe gjatë kësaj periudhe kalimtare, në mënyrë të tillë që çdo gjë të kalojë sa më natyrshëm, duke e bërë këtë situatë sa më të lehtë për të dyja palët.
Një dëshmitar është i nevojshëm
Duke qenë se ky proces është shumë i vështirë, këshillohet edhe pse nuk është e detyrueshme që ju t’ia komunikoni këtë lajm punonjësit në prani të burimeve njerëzore. Kjo gjë edhe pse mund të konsiderohet disi si ofenduese për punonjësin, mbron në radhë të parë kompaninë tuaj në rastin se punonjësi do të pretendonte që ju i keni thënë gjëra që nuk janë të vërteta.
Duhet të dini se çfarë do të thoni
Edhe pse mbase kjo nuk mund të jetë hera juaj e parë që pushoni dikë, gjithsesi ky proces do të mbetet gjithmonë i vështirë dhe tejet delikat.
Tregohuni profesional dhe shpreheni mendimin sa më shkurt të jetë e mundur, duke mos u zgjatur me fjalë të kota, sepse tek e fundit pas lajmit të hidhur që po i jepni punonjësit, ai nuk ka as më të voglin interes për t’ju dëgjuar.
Kurrë mos debatoni
Një pjesë e punonjësve që pushohen acarohen shumë, madje duke treguar një pjesë të vetes të cilën nuk e kishin shfaqur deri në momentin që marrin lajmin e hidhur. Ndërsa disa të tjerë reagojnë ndryshe. Cilido qoftë reagimi, ju nuk duhet të përfshiheni kurrë në debate në një situatë të tillë. Nëse ju jeni të sigurt për vendimin që po merrni dhe jeni në rregull me të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, debatet dhe argumentet e ndryshme janë të tepërta dhe nuk kanë vend në një situatë të tillë.
Mos i ofroni ndihmë në momentin që nuk do t’ia jepni atë
Nëse ju jeni duke e pushuar një punonjës për shkak të kushteve të vështira ekonomike që po kalon kompania juaj, këshillohet që të mos i ofroni ndihmë në momentin që nuk do t’ia jepni atë. Edhe pse një veprim i tillë duket sikur do ta bëjë më të lehtë situatën për momentin, zhgënjimi që punonjësi do të marrë më vonë do të jetë shumë i madh, prandaj mos bëni premtime të cilat nuk i mbani dot.