Kancelarja Angela Merkel tha se Gjermania nuk do të devijojë nga ‘receta ‘e saj e shtrëngimit të buxheteve dhe ‘remonteve’ ekonomike në përpjekjet për ta nxjerrë zonën e euros nga gjendja e saj apatike.
Pa përmendur Greqinë, ku krerët e BE po luftojnë të bindin qeverinë të angazhohet me reformat ekonomike, Merkel përgëzoi anëtarët e euros përfshirë Spanjën dhe Portugalinë për zbatimin e masave të tilla në këmbim të financimit të ndihmës evropiane. Ajo e cilësoi Irlandën ‘motorin e rritjes së Europës.’
Merkel riafirmoi strategjinë e qeverisë së saj përpara se Ministrat e financave të euro-zonës të takohen këtë javë në kryeqytetin letonez Riga për tu përpjekur për herë të fundit të mbajnë bisedime rezultative me Greqinë. Tregjet u rigjallëruan ditën e mërkurë pasi ministri ‘anti-shtrëngues’ i financave të Greqisë përmendi se Greqia ka bërë progres.
Në kontrast me Greqinë, kombet në listën e sukseseve të Merkel ‘kanë përjetuar programe tepër të vështira dhe kanë fituar një grimë hapësire për frymëmarrje,’ tha ajo për ligjbërësit dhe zyrtarë të biznesit.
Po kështu, udhëheqësi gjerman tha se ekonomia e euro-zonës ka akoma shumë punë për të bërë përballë sfidave, përfshirë normat tepër të ulëta të interesit dhe kërcënimeve të deflacionit që pasohen nga rënia në çmimin e naftës.