Në kohën e zhvillimit të industrisë dhe rritjes së automatizimit, koncepti i “një pune për jetën” është bërë gjithnjë e më i paarritshëm.
Për disa, kjo është diçka pozitive: jo më shqetësime se do të ngecni në një punë që ju e urreni për 30 vitet e ardhshme – një mundësi tjetër pune do t’ju vijë, apo jo? Por për ata që projektojnë rrugën e tyre të karrierës, ky ndryshim peizazhi mund të duket shkurajues.
Megjithatë, edhe në një botë në ndryshim të vazhdueshëm, është përsëri e mundur të arrini qëllimet tuaja në karrierë, sipas CEO-s së DBS, Piyush Gupta, bankës më të madhe në Azinë e Jugut. Ju thjesht duhet të punoni fort përgjatë viteve.
“Nëse thoni se ‘dua të bëhem një sipërmarrës në moshën 40 vjeç’, ju duhet të keni disa aftësi të caktuara të cilat duhet t’i arrini në moshën 30 apo 35-vjeçare.
Gupta këshillon të mendoni rreth punës që do t’ju pëlqente të bënit në moshën 40 apo 50-vjeçare. Ju duhet të punoni më pas në pozicionin e nevojshëm dhe të zhvilloni aftësitë që kërkohen për të shkuar aty. Ai sugjeron ta bëni këtë gjë në një hark prej pesë vjetësh”.
“Ndërkohë që ju punoni, do të keni më shumë mundësi për t’u shfaqur dhe do të fitoni përvojën e nevojshme për t’u kualifikuar në punën tjetër që do të bëni” – tha Gupta.
Këto ekspozime dhe përvoja mund të jenë “mjaft të ndryshme” dhe mund të jenë të nevojshme në faza të ndryshme në jetë – theksoi Gupta.
“Ju nuk mund të bëni gjithçka menjëherë, por ju mund ta bëni këtë në një mënyrë të planifikuar. Ju duhet të jeni sistematik në këtë gjë dhe të krijoni karrierën që doni”.
“Kjo ka të bëjë më shumë me zhvillimin e vetes në një periudhë të caktuar se sa me çfarë dëshironi në një kontekst të caktuar”, – thekson Gupta.
Kur duhet ta merrni në konsideratë një ndryshim në karrierën tuaj?
“Gjithë kohën” – sipas Gupta, i cili ka bashkëpunuar në 22 projekte të ndryshme përgjatë 27 vjetëve që ka punuar në Citibank para DBS.
Ai këshillon që ju të krijoni përvoja të ndryshme në fusha të ndryshme, nuk ka rëndësi nëse është e njëjta kompani apo kompani të tjera.
Filozofia ime ishte që brenda 90 – 120 ditëve të para në një rol të ri do të kisha një ndjesi të mirë të asaj që do të më pëlqente të bëja më pas – shpjegoi ai.
“Më pas sigurohesha që të gjithë – burimet njerëzore, drejtuesi im, kompania për të cilën punoja – të dinin që aspiroja të transferohesha në një fushë të veçantë.
*Karen Gilchrist
Burimi: CNBC