Ajri, uji dhe toka e ndotur vrasin tre herë më shumë çdo vit se sa sëmundjet si AIDS, malaria dhe tuberkulozi së bashku
Një në gjashtë vdekje në vitin 2015 në mbarë botën lidhej me ndotjen, kryesisht me ndotjen e ajrit, të ujit dhe të mjediseve të punës, shkruhej në një raport të botuar të premten në revistën “The Lancet”.
“Është vlerësuar se sëmundjet e shkaktuara nga ndotja ishin përgjegjëse për 9 milionë vdekje të parakohshme në 2015 – apo 16% e të gjitha vdekjeve në botë”, shkruhet në raport, rezultat i dy viteve punë të një komisioni që bashkoi revistën mjekësore britanike “The Lancet”, disa organizata ndërkombëtare, OJQ-të dhe rreth dyzet studiues të specializuar në çështjet e shëndetit dhe mjedisit.
Ky raport paraqet “tri herë më shumë vdekje sesa AIDS, tuberkulozi dhe malaria së bashku, dhe 15 herë më shumë se ato të shkaktuara nga luftërat dhe të gjitha format e tjera të dhunës”, theksojnë autorët e saj. Ndotja e ajrit (brenda dhe jashtë) është përgjegjëse vetëm për 6.5 milionë vdekje çdo vit, kryesisht nëpërmjet sëmundjeve të patransmetueshme siç janë sëmundjet e zemrës, AVC [aksident vaskular cerebral, hemorragjike ose ishemike), kanceri i mushkërive dhe sëmundjet pulmonare obstruktive kronike (SPOK)].
Ndotja atmosferike, e shkaktuar kryesisht nga industria dhe automjetet, është përgjegjëse për 4.5 milionë vdekje në vit. Ajri i brendshëm, me 2.9 milionë vdekje të parakohshme, është kryesisht i ndotur nga vatrat me zjarr që përdoren për gatim dhe ngrohje në vendet më të varfra. Për efekt krahasimi, duhani vret 7 milionë njerëz çdo vit.
Uji i ndotur lidhet me 1.8 milionë vdekje, për shembull nëpërmjet kanalizimeve të dobëta ose kontaminimit të burimeve, shkaqeve të sëmundjeve gastrointestinale dhe infeksioneve parazitare.
Ndotja në mjediset e punës shkakton rreth 800,000, nëpërmjet ekspozimit ndaj substancave toksike ose kancerogjene. Dhe ky vlerësim ndoshta është “nënvlerësuar”, shton “The Lancet”, duke pasur parasysh dhe “shumë ndotës kimikë të tjerë që shfaqen të cilët nuk janë identifikuar ende”.
Fenomeni prek kryesisht “të varfrit dhe të pambrojturit”, vëren raporti. 92% e këtyre vdekjeve ndodhin në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme dhe në çdo shtet prek më së shumti minoritetet dhe popullatat e izoluara.
Në vendet në proces industrializimi të shpejtë si India, Pakistani, Kina, Madagaskari ose Kenia, përafërsisht një në katër vdekje mund të ketë lidhje me ndotjen. Raporti gjithashtu thekson peshën ekonomike të këtyre jetëve të shkurtuara për vendet në fjalë: më shumë se 4.6 trilionë dollarë në vit, ekuivalente me 6.2% të pasurisë ekonomike botërore.
Por kjo peshë “neglizhohet si nga qeveritë ashtu dhe nga organizatat për zhvillim”, thotë “The Lancet” në një editorial që shoqëron raportin. Revista mjekësore bën thirrje për “trajtimin urgjent të situatës” dhe mposhtjen e “mitit se ndotja është një pasojë e pashmangshme e zhvillimit ekonomik”.
/ LE FIGARO