Punëtorët e vendeve në zhvillim po përballen me një mjedis më armiqësor krahasuar me paraardhësit
Ditët e fundit, politikëbërësit u mblodhën në Uashington për të festuar për rimëkëmbjen e ekonomisë globale, shkruan Financial Times. Përveç kësaj, ata duhet të shqetësohen mbi të gjitha për perspektivat afatgjata të një grupi shtetesh me të ardhura të ulëta në Azinë Jugore dhe Afrikën Sub-Sahariane, të cilët janë etiketuar edhe si “konvergjentët e fundit”. Konvergjenca ekonomike, procesi gjatë të cilit vendet e varfra po mundohen që të ecin me të njëjtin hap me atë të vendeve të pasura, ka qenë një prej shenjave dalluese të ekonomisë globale që prej vitit 1970. Por a e kemi lënë ne pas vërtet një epokë të tillë?
Disa e fillojnë argumentin, duke thënë se vrulli i pamëshirshëm i teknologjisë nënkupton edhe që jeta e njerëzve do të vazhdojë të përmirësohet. Por sigurisht që ekzistojnë arsye për t’u shqetësuar. Konvergjentët e fundit po përballen me tri sfida të rëndësishme që paraardhësit e tyre në Azinë Lindore, në katër dekadat e mëparshme, nuk i kanë pasur, të tilla si: reagimi kundër globalizimit, ndryshimet klimatike dhe automatizimi.
Konvergjentët e parë publikuan norma vjetore të rritjes së eksporteve me më shumë se 20%, pa të cilën “mrekullia” në ekonominë e tyre nuk do të kishte ndodhur.
Por refuzimi politik i globalizimit do të thotë që konvergjentët e fundit do të përballen me një mjedis tregtar më armiqësor. Si rezultat, ata, edhe si një grup në tërësi, edhe si shtete të mëdha individuale, si India, nuk mund të shpresojnë të ecin përpara në rrugën e tyre drejt rritjes, pa rrezikuar një reagim proteksionist të tregjeve të avancuara.
Për më tepër, zhvillimi i suksesshëm kërkon që njerëzit të lënë bujqësinë për disa sektorë më dinamikë dhe më produktivë. Largimi nga bujqësia duhet të ndodhë në një mjedis rritjeje të produktivitetit bujqësor, në mënyrë që popullata të ushqehet ende me fermerët e mbetur, ndërkohë që ata që do të largohen, të jenë të pajisur me njohuritë e duhura që t’u mundësojnë atyre gjetjen e mundësive diku tjetër.
Por kjo nuk po ndodh, të paktën jo në Indi, ku produktiviteti bujqësor ka mbetur në stanjacion. Ndryshimet klimatike janë kërcënuesi kryesor i Afrikës aziatike dhe Nënsahariane, duke e lënë atë në një nivel produktiviteti mjaft të ulët. Bazuar në një studim të fundit të kryer nga Instituti Ekonomik Indian, ndryshimet klimatike mund të zvogëlojnë rendimentin nga 20 deri në 30%, veçanërisht në rajonet ku mungesa e ujit është e theksuar.
Një prej shqetësimeve të tjera me të cilat këta konvergjentë të vonshëm mund të përballen është edhe “deindustrializimi i parakohshëm”. Referuar disa kërkimeve të fundit të FMN-së, sektorët e shërbimeve mund të zëvendësojnë ato të prodhimtarisë, duke u cilësuar në të njëjtën kohë si motorët e kësaj rritjeje (konkretisht janë sektorët e shërbimeve financiare dhe ai i biznesit, si ndër më të rëndësishmit).
Në krahasim me sektorin e prodhimit, këta sektorë shërbimesh do të punësojnë një pjesë të vogël të fuqisë punëtore. Për më tepër, këta sektorë kërkojnë aftësi profesionale më të mëdha sesa ai i prodhimtarisë, të cilat i mungojnë pjesës më të madhe të fuqisë punëtore.
Në Indinë rurale, për shembull, rreth 20% e 13 dhe 14-vjeçarëve nuk arrijë as të lexojnë dhe as të kryejnë veprimet bazike matematikore. Prandaj zhvillimi i sektorëve të shërbimeve mund t’i vijë në ndihmë një numri të vogël njerëzish, të paktën atyre që kanë zhvillim profesional bazik.
Mungesa e aftësive profesionale nuk është sfida e fundit me të cilën duhet të përballen këto shtete. Automatizimi dhe robotika është një tjetër sfidë e madhe për to, e cila padyshim që do të kërkojë aftësi të mira profesionale, të cilat konvergjentët e fundit as nuk i ëndërrojnë, e jo më t’i realizojnë. Por nëse makineritë do të fillojë, për shembull, të bëjnë punë si prerja e copërave të ndryshme, atëherë edhe prodhimi me intensitet të lartë do të jetë i pambrojtur. Referuar të dhënave të fundit, normat e rritjes për frymë për konvergjentët e fundit kanë shënuar rënie në dekadën e fundit. Këta tregues janë mjaft shqetësues.
Ata përballen me perspektivën e zymtë që tranzicioni i zhvillimit do të ketë në lidhje me lëvizjen në shkallë të gjerë të punës nga bujqësia me produktivitet të ulët tek sektorët e shërbimeve jo shumë të larta, nga informaliteti rural tek informalitetin urban. Ky është një ndryshim lokal, jo strukturor. Për këtë arsye, politikëbërësit duhet të mendohen mirë përpara se të veprojnë dhe t’i japin përgjigje pyetjes nëse këto sfida globale do të kenë ndikim negativ dhe do t’i japin fund epokës së artë të konvergjencës ekonomike.