Drejtuesit e projektit TAP për Shqipërinë po kërkojnë sipërmarrës vendas për të kryer punimet e nevojshme për përgatitjen e terrenit. Me synimin për të filluar punimet sa më shpejt, ata kërkuan mbështetje edhe nga Ministria e Transportit. Puna e parë është vlerësimi dhe shpronësimi i pronarëve të tokës ku do të kalojë tubacioni i gazsjellësit. Në bazë të projektit, në vendin tonë do të kërkohen 73 hektarë tokë për instalime në sipërfaqe dhe rreth 140 hektarë për hapjen e rrugëve të reja apo përmirësimin e atyre ekzistuese. Në një intervistë për të përditshmen azere “AzerNews” dhënë gazetarit Gulgiz Dadashova, drejtori i përgjithshëm i TAP tregon për planet në vazhdimësi.
Flet drejtori i përgjithshëm i Trans-Adriatic Pipeline (TAP) Kjetil Tungland
Në opinionin tuaj, çfarë luajti rol thelbësor në përzgjedhjen e TAP, për projektin e Korridorit Jugor të Gazit? Cilat ishin avantazhet e kësaj gjurme që ndikuan në vendimin e konsorciumit të Shah Deniz?
Siç e dini, konsorciumi i Shah Deniz kishte vendosur tetë kritere përzgjedhëse: komercialitetin, zbatueshmërinë, financimin, dizenjimin inxhinierik, ndërlidhjen dhe transparencën, sigurinë dhe efikasitetin e veprimit, vlerësimin e publikut. Ndaj në fund të ditës, u arrit në përfundimin se projekti i gazsjellësit përmbushte të gjithë këto kritere. Ne gjithmonë patëm besim se TAP ishte opsioni më i mirë për Europën, më strategjiku, më i avancuari nga ana teknike dhe me kosto më të ulët. E ndërsa ka shumë pika të rëndësishme në rastin e TAP, është shumë e nevojshme që t’u kushtohet vëmendje elementëve kryesorë.
TAP ofron akses në disa tregje tërheqëse në Europë që kanë kërkesë të lartë për gaz. Në këto kushte, gjurma e tubacionit të gazsjellësit iu ofron atyre mundësi që të aksesojnë gaz me çmime të favorshme transporti. Gazsjellësi ynë nuk ka nevojë për subvencionime ose për kontribute nga taksapaguesit europianë për t’u ndërtuar.
Kapaciteti transportues i gazit mund të zgjerohet nga 10 miliardë metër kub gaz në vit në 20 miliardë metër kub dhe do të ndërtohet me fleksibilitet në transportim. Mund të lehtësojë furnizimin me gaz, në ato rajone ku kërkohen burime të reja, si në Europën Juglindore, por po ashtu edhe në tregjet e Europës Perëndimore.
E në fund, unë besoj se edhe elementi njerëzor luajti rol shumë të rëndësishëm gjatë procesit të përzgjedhjes. TAP ka inxhinierë që janë pjesë e kompanive lider në këtë fushë, ekspertë që kanë punuar fort çdo ditë dhe që rendnin pas perfeksionit.
Kapaciteti fillestar i TAP-it është projektuar në 10 miliardë metër kub gaz në vit, ndërsa parashikimi i Azerbajxhanit është për të prodhuar 50-60 miliardë metër kub gaz deri në vitin 2030. Nisur nga ky fakt, çfarë mundësish ka TAP për t’u zgjeruar? Cilat janë kapacitetet për të dërguar sasi të mëdha të gazit nga Deti Kaspik për në Europë?
Në fakt, gazsjellësi është projektuar që të akomodojë një volum më të madh të gazit, por kjo do të përcaktohet gjatë fazës së ndërtimit. Me instalimin do të shtohen dy kompresorë dhe kështu TAP mund të dyfishojë kapacitetin vjetor, duke e çuar në 20 miliardë metër kub. Ndaj është e rëndësishme që gjërat të vihen në optikën e perspektivës. Edhe pse sasia fillestare që do të merret nga fushat e Shah Deniz është 10 miliardë metër kub gaz, kjo sasi përbën vetëm 2% të kërkesës që ka Europa, por do të injektohet nga një burim që nuk ka qenë kurrë më parë i aksesueshëm nga ana e Europës.
TAP është hapi i parë i hapjes së Korridorit Jugor të Gazit, një projekt gjigant energjetik që në terma afatgjatë mund të transportojë sasi të shtuara të gazit nga Deti Kaspik.
Në opinionin tuaj, çfarë ndikimi do të sjellë gazi azer dhe Korridori Jugor në të ardhmen energjetike të Europës, në sigurimin e saj? Çfarë shansesh kanë vendet e tjera për t’iu bashkuar këtij Korridori? A ka projekte të tjera që mund të kontribuojnë në sjelljen e gazit në Europë?
Do të na duhet ta shohim çështjen në një panoramë më të madhe. Hapja e Korridorit Jugor të Gazit është një zhvillim i rëndësishëm për sigurinë energjetike të Europës. Ofron një burim të ri kundrejt gazit natyror dhe mundësi për të reduktuar varësinë nga një grup i kufizuar furnizuesish të mëdhenj. Gjurma që ndjek TAP ofron mundësi për lidhje me projekte të rëndësishme infrastrukturore në Europën Juglindore, siç është edhe projekti i gazsjellësit Ionian Adriatic Pipeline (IAP), që do të mund të lehtësojë furnizimin me gaz të disa tregjeve të reja që kanë një kërkesë në rritje, siç janë Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi dhe Kroacia. TAP, gjithashtu mund të lehtësojë furnizimin me gaz për Bullgarinë përmes linjës së interkonjeksionit Greqi-Bullgari (IGB) ose nëpërmjet rrugëve të tjera të interkonjeksionit, siç është ajo Kula-Sidirokastro. Opsioni i fundit është përdorur edhe në vitin 2009 për të injektuar gaz natyror në tubacionin Bullgari-Greqi nga terminali grek i gazit në Revythoussa. Është e rëndësishme të sqarohet se ne bashkëpunojmë me zhvilluesit e projekteve të ndryshme të tubacioneve në disa vende, por TAP nuk është përgjegjës për shitjen e gazit ose të dërgesave aktuale të gazit në këto tregje.
Lidhur me shanset e vendeve të tjera të rajonit të Kaspikut për t’u bashkuar me Korridorin Jugor të Gazit përtej vitit 2020, unë mendoj se ka perspektiva të mira, pasi rezervat në rajon janë me të vërtetë të bollshme.
Së fundi, në lidhje me ndërtimin e gazsjellësve të tjerë në Europë, do të doja të theksoja rëndësinë themelore për të siguruar sukses komercial.
Cilat janë argumentet kryesore në lidhje me përfitimet e rrugës TAP për Europën Jugore? Cilat janë efektet e TAP do t’ju presin në Europën Perëndimore?
Përfitimi kryesor i TAP për Europën është diversifikimi i furnizimit me gaz. Nisur nga kjo, tubacioni ynë do të sjellë përfitime të konsiderueshme ekonomike për Europën Jugore, veçanërisht në sigurimin e stimujve ekonomikë për dy vende të rëndësishme të Eurozonës, por natyrisht edhe për Shqipërinë. Studimet e pavarura tregojnë se Greqia vetëm nga zbatimi i projektit TAP do të mund të injektojë në ekonomi 1.5 miliardë euro, si dhe do të krijohen rreth 2,000 vende pune të drejtpërdrejta dhe rreth 10,000 në mënyrë jodirekte, duke siguruar sinjal pozitiv për investitorët e huaj.
Në Itali, sipas një studimi të pavarur të realizuar nga “Nomisma”, ndërtimi i tubacionit do të kontribuojë direkt në PBB-në e rajonit të Pulias me rreth 80 milionë euro në vit gjatë periudhës së ndërtimit, ndërsa do të krijohen rreth 150 vende pune në vit (me kohë të pjesshme dhe të plotë).
Sipas një studimi të pavarur të ndërmarrë nga “Oxford Economics”, në Shqipëri, zbatimi i TAP do të kushtojë përafërsisht 1 miliard dollarë dhe kjo do të nxisë aktivitetin ekonomik në tërësi, por edhe në zonat nga ku do të kalojë, duke gjeneruar punësimin, mbajtjen dhe krijimin e infrastrukturës, zhvillimin e potencialeve lokale dhe aftësitë. Studimi tregon se ndikimi i drejtpërdrejtë i projektit do të arrijë kulmin në vitin 2017, kohë në të cilën aktiviteti mund të gjenerojë 57 milionë euro për PBB-në shqiptare, si dhe të krijojë 4,200 vende pune në vit
(me kohë të plotë e të pjesshme).
Lidhur me Europën Perëndimore, ‘zbarkimi’ i TAP në Itali ofron mundësi për të sjellë gazin në Francë, Zvicër, Gjermani, Austri, Belgjikë, madje edhe Mbretërinë e Bashkuar. Këto të fundit konsiderohen si dy tregje premtuese, duke pasur parasysh se “Fluxys”, operator belg, u bë pjesë e bordit, si një aksioner TAP.
Cili është progresi i projektit TAP përpara fillimit të punimeve për ndërtimin dhe vendimin përfundimtar të investimit të konsorciumit Shah Deniz?
TAP po ecën mirë në përafrimin e plotë me zhvillimin e projektit të Shah Deniz 2 në Azerbajxhan. Siç e dini, ne kemi përfunduar projektimin inxhinierik (FEED) në mars të këtij viti, ndërsa po vazhdojmë punën për t’u përgatitur për tenderim.
Gjithashtu ka përfunduar vlerësimi mjedisor dhe social (ESIA) që është paraqitur në të tria vendet pritëse. Kërkesa jonë është miratuar tashmë nga Shqipëria, ndërsa jemi duke u konsultuar me Greqinë dhe Italinë.
Për më tepër, në shtator 2013, TAP filloi procesin e servitutit dhe blerjen e tokës (LEA) në Greqi dhe Shqipëri. Ekipet tona kanë filluar intensivisht punën për të identifikuar pronarët e ligjshëm në zonat nga ku kalon tubacioni.
Në aspektin politik, ne po presim ratifikimin e marrëveshjes ndërqeveritare (IGA), të nënshkruar në mes të Italisë, Greqisë dhe Shqipërisë në shkurt të vitit 2013, nga Parlamenti italian. Senati italian ratifikoi marrëveshjen më 17 tetor, ndërsa është në pritje për t’u realizuar edhe nga Dhoma e Deputetëve. IGA është ratifikuar tashmë nga Shqipëri (mars 2013) dhe nga Greqia (prill 2013).
Gjithashtu, TAP ka në plan të fillojë ndërtimin e rrugëve në zonat nga ku do të kalojë rrjeti në Shqipëri në vitin 2014, në mënyrë që të jetë gati për të nisur ndërtimin e tubacionit në vitin 2015.
Një moment kyç për të ardhshmen që pritet të përmbyllet këtë vit është edhe rezoluta e ndërtimit, ose me fjalë të tjera vendimi i aksionerëve të TAP-it për investimin.
Ne jemi të bindur se kjo do të përfundojë me sukses, përpara vendimit final për investimin që do të marrë konsorciumi i Shah Deniz.
Alternativat që lidhin Shqipërinë me rrjetin ndërkombëtar të naftës dhe gazit
Aktualisht Shqipëria ka një prodhim minimal të gazit natyror, rreth 4-5 milionë m³, e cila është një sasi pothuajse e parëndësishme e që shërben vetëm për të furnizuar proceset teknologjike të rafinerisë dhe industrisë së naftës. Pavarësisht përpjekjeve dhe inkurajimit të investitorëve të huaj nga të gjitha strukturat e shtetit shqiptar, Shqipëria nuk është ende e lidhur me rrjetin
ndërkombëtar të gazit. Është e kuptueshme se lidhja e Shqipërisë me rrjetin e gazit do të ketë ndikim pozitiv në përmirësimin e situatës së energjisë në vend dhe do të ndikojë në mënyrë të
konsiderueshme në përdorimin e energjisë. Deri më sot, ngarkesa kryesore u përket produkteve të naftës dhe energjisë elektrike. Skenari i energjisë së rinovueshme mbështet të gjitha alternativat, të cilat e përfshijnë vendin tonë në rrjetin ndërkombëtar të naftës dhe gazit, duke i dhënë përparësi projektit, i cili e konsideron Shqipërinë si një vend strategjik dhe merr parasysh avantazhet e alternativave që ofrohen për ruajtjen e gazit nën tokë.
Dy janë projektet e rëndësishme në të cilat është përfshirë Shqipëria (dhe që synon të hyjë):
Projekti i gazsjellësit Trans Adriatic (gazsjellësi Trans Adriatic – TAP), që po zhvillohet nga një konsorcium aksionerësh. Ky gazsjellës është pjesë e një korridori të ri të furnizimit me gaz të Europës, të ashtuquajturit “Korridori Jugor i Gazit”, i cili do të sjellë gazin nga Kaspiku dhe Lindja e Mesme në vendet europiane. Shqipëria e ka mbështetur këtë variant dhe është zyrtarisht pjesë e tij. Aktualisht ERE është duke shqyrtuar kërkesën e dërguar nga shoqëria e gazsjellësit Trans Adriatic për të aprovuar përjashtimin nga aksesi të palëve të treta dhe po punon në këtë drejtim me autoritetet rregullator të dy vendeve, Greqi dhe Itali.
Shqipëria shfrytëzon pjesëmarrjen në Traktatin e Komunitetit të Energjisë, i cili mbështet projektet e gazit, të cilat krahas furnizimit të vendeve europiane, realizojnë gazifikimin për shumë vende të Europës Juglindore.
Projekti i gazsjellësit Jon Adriatik – IAP. Projekti ka lidhje me planet e zhvillimit të rrjetit të gazit natyror në Ballkanin Perëndimor, nga Kroacia në Bosnjë & Hercegovinë, Mal të Zi
dhe Shqipëri. Ky projekt shpresohet të funksionojë në një sistem qarku të mbyllur, ku furnizimi do të realizohet në dy drejtime, veri dhe jug nga sistemi kroat i transportit të gazit dhe TAP. Projekti IAP do të jetë gjithashtu pjesë e Unazës së gazit të Komunitetit të
Energjisë (Cikli i Gazit i Komunitetit të Energjisë), i cili është një projekt rajonal, i aprovuar nga Komuniteti i Energjisë dhe BE. Projekti i gazsjellësit IAP është aktualisht në fazën e
kryerjes së studimit të fizibilitetit, me një fond prej 3 milionë eurosh nga BE.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.