Booking.com, platforma lider për prenotime të çdo lloji, ndërmori një studim për të kuptuar se cilat do të jenë 10 destinacionet e para për 2018. Me fjalë të tjera, destinacionet që kanë tërhequr interesin më të madh të turistëve muajt e fundit.
Të dhënat vërtiten rreth destinacioneve që kanë shënuar rritjen më të madhe të prenotimeve gjatë një viti (shtator 2016 – 2017). Studimi tregon se thuajse gjysma e njerëzve në botë (47%) duan të udhëtojnë më shumë, në veçanti në qytete të pasur me histori dhe kulturë (41%).
Studimi u krye në mënyrë të pavarur te më shumë se 18 mijë persona, të cilët kanë udhëtuar një herë në 12 muajt e fundit apo që kanë ndër mend të udhëtojnë në vitin e ardhshëm.
Ndër tendencat spikat edhe dëshira për të zbuluar parajsa gastronomike (41%) dhe vende të reja bregdetare (50%). Thuajse gjysma e turistëve (45%) duan destinacione ku të ndiejnë më shumë shpirtin e aventurës dhe 60% dëshirojnë që pushimet e tyre të jenë më të pasura me aktivitete.
Shumë turistë zgjedhin Japoninë për jetën elektrizuese të natës së Tokios apo për tempujt e Kiotos, por vitin tjetër, një destinacion që do të ketë numër të lartë turistësh do të jetë Sapporo. Është pikënisja ideale për të zbuluar malet dhe banjat termale të Hokkaidos. Ndër të tjera, ky qytet këshillohet edhe për ushqimin e frutat e detit.
Ndër dhjetë destinacionet e Booking.com është edhe Nashville, i cili përveç muzikës dhe muzeve në nder të Johny Cash apo Willie Nelson, është vendi ideal për t’iu kushtuar aktiviteteve në ajër të pastër me gjithë familjen. Këshillohet SoBro Guest House, një hap larg Country Music Hall of Fame and Museum.
Në Europë, një destinacion me rritje konstante të numrit të vizitorëve është Bukureshti. Kryeqyteti i Rumanisë është një zgjedhje e mirë për muzetë e parqet. Në verë ju mund të merrni një varkë dhe të shëtisni nëpër Parkun Cișmigiu.
Një destinacion tjetër, surprizë në këtë listë, është Zakopane, një vend malor në Poloni. Zakopane është një destinacion i njohur nga të gjithë ata që pëlqejnë të bëjnë ski në dimër, ndërsa në verë ju mund të bëni ekskursione në Parkun Kombëtar Tatra.
Udhëtimi nëpër botë vijon me Taitung, qytet bregdetar në Tajvan, një ndërthurrje e maleve, banjave termale, tempujve dhe aktivitete të ndryshme në oqean (këshillohet Hana Homestay).
Brisbane në Australi është ideal për gjithë baret, restorantet, vreshtat dhe plazhet. Ju mund të bëni sërf në Ocean Beach, të merrni rreze dielli në Sylvan Beach dhe të sodisni delfinët në Red Beach apo lagunat Streets Beach dhe Settlement Cove.
Ndër destinacionet trendi për vitin 2018 është edhe Bogota, në Kolumbi, një pikënisje e mirë për të eksploruar vendin.
Vijon Portland në SHBA, një qytet i pasur me kulturë dhe që pëlqehet shumë për jetën e natës…
…dhe Lima, për ata që janë në kërkim të adrenalinës.
Renditja mbyllet me Hanoverin në Gjermani – këtu keni shumë për të vizituar, duke filluar me muzetë, atraksionet kulturore, parqet si Herrenhäuser Gärten, liqenin Maschsee dhe pyllin urban Eilenriede, një ndër më të mëdhenjtë në Europë.
Burimi: La Repubblica