Normat më të favorshme të interesit tek fondet e investimit përvijuan në pjesën e dytë të vitit 2017 një interes të rritur të individëve për të zhvendosur paratë e tyre në këtë segment në vend të letrave me vlerë të qeverisë. Një situatë e tillë duket se ka vazhduar edhe në pjesën e parë të këtij viti ku sipas të dhënave zyrtare nga Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare në periudhën janar-qershor 2017 ka pasur një rënie të vlerës absolute të transaksioneve krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
“Transaksioni i llojit B “Shitje nga portofoli i ndërmjetësit financiar” gjatë periudhës janar-qershor 2018, ka pasur një rritje prej 437 milionë lekë ose 17.88% krahasuar me periudhën janar-qershor 2017. Ndërkohë edhe numri i transaksioneve është rritur në masën 23.22%.
Transaksioni i llojit C “Blerje para afatit të maturimit” gjatë periudhës janar-qershor 2018, ka pasur ulje prej 185 milionë lekë ose 14.94% dhe gjithashtu, një ulje në numrin e transaksioneve në masën 12.96%, krahasuar me të njejtën periudhë të një viti më parë.
Vihet re një ulje në vlerë absolute e totalit të transaksioneve të llojit B dhe C të marra së bashku me rreth 252 milionë lekë, krahasuar me periudhën janar-qershor 2017” vlerëson AMF.
Të njëjtat të dhëna tregojnë se volumi i tregut sekondar të letrave me vlerë të qeverisë për periudhën janar-qershor 2018 u dominua në masën 90.60% nga transaksionet në instrumente afatshkurtër (bono thesari) dhe pjesa tjetër prej 9.40% ishin instrumente afatgjatë (obligacione).
Sipas AMF të dhënat statistikore të tregut me pakicë të letrave me vlerë të Qeverisë për periudhën janar-qershor 2018 flasin për një dominim të transaksioneve “Blerje në tregun primar” dhe “Shlyerje e vlerës nominale në maturim” përkatësisht me 57.18% dhe 29.68% kundrejt volumit të përgjithshëm.
Pjesëmarrja në tregun sekondar të letrave me vlerë të qeverisë, për këtë periudhë dominohet nga investitorët individualë, të cilët kryejnë 99.38% të të gjitha transaksioneve në këtë treg.
Normat e interesit të letrave me vlerë janë vënë viteve të fundit nën presion si rrjedhojë e politikës monetare lehtësuese të Bankës së Shqipërisë për të nxitur kreditimin, investimet dhe konsumin në vend. Kjo politikë është transmetuar tek interesat e depozitave më shumë, disi më e moderuar tek kredia por nuk i kanë shpëtuar as letrat me vlerë.
Ulja e fundit e normës bazë të interesit të lekut nga Banka e Shqipërisë u bë në fillim të qershorit duke e çuar atë në 1 për qind. Nëse ajo do të transmetohet sikurse pritet edhe tek interesat e letrave me vlerë do të vijojë tendenca për ti bëre ato më pak atraktive për investime.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.