Bankat qendrore ende testojnë kufijtë e normave të ulëta të interesit
Në qershor të vitit të kaluar, Banka Qendrore Europiane (BQE) uli normën e saj bazë të interesit, në bazë të së cilës ajo jep kredi për bankat tregtare, në 0.15% dhe normën e depozitave, të cilat ajo paguan bankat për rezervat e tyre, në -0.1%. Për një bankë qendrore që dikur ka qenë e kujdesshme në lidhje me masat jokonvencionale, vendosja e një norme negative interesi përfaqësonte një lëvizje të guximshme. BQE në fakt po impononte bankat komerciale të mbanin depozitat e tyre të tepërta në bankën qendrore, me shpresën se kjo do të ulte në përgjithësi koston e huamarrjes, shkruan The Economist.
Tre muaj më vonë, BQE uli sërish normën e depozitave, në -0.2% dhe në fillim të dhjetorit e çoi në -0.3%.
Në një fjalim të kohëve të fundit, z. Draghi deklaroi se politikat jokonvencionale të BQE-së gjatë 18 muajve të fundit kanë qenë ‘forca dominuese’ në nxitjen e ekonomisë së eurozonës dhe shmangien e deflacionit.
Kreditimi nga bankat po rigjallërohet ngadalë. Edhe kështu, ai sugjeroi, se inflacioni i ulët dhe shqetësimet e zgjatura rreth forcës së rimëkëmbjes i justifikojnë veprimet e mëtejshme.
Jo shumë kohë më parë, norma më e ulët e mundshme e interesit mendohej të ishte zero. Ekziston një alternativë e shpejtë për të mbajtur paratë në banka: mbajtja e tyre në kesh. Kasafortat nuk kërkojnë detyrime për ruajtje. Depozituesit mund të tolerojnë tarifat e vogla, për të shmangur koston dhe “sherrin” për të arritur marrëveshje të tjera- por ka shumë nga ata që supozojnë se toleranca e tyre do të jetë e kufizuar. ‘Ne aktualisht gjendemi në kufirin më të ulët,’ referoi Mario Draghi, shefi i BQE-së, pas reduktimit të fundit. Tashmë ai duket se po e rimerr në konsideratë këtë gjë- por cili është kufiri më i ulët që mund të arrijë BQE-ja?
BQE nuk është e vetme në testimin e kufirit më të ulët lidhur me normat e interesit. Banka Qendrore e Danimarkës ka caktuar normën e saj kryesore të politikës nën zero për pjesën më të madhe të kohës në tre vitet e fundit, me qëllim që të pengojë flukset hyrëse të kapitalit që kishin kërcënuar kursin e saj të lidhur të këmbimit me euron. Në janar, Banka Kombëtare e Zvicrës braktisi përpjekjet e saj për të ndaluar rritjen e frangës kundrejt euros duke shtypur dhe shitur franga në sasi të mëdha; në vend të kësaj ajo përdori normat negative të interesit për të penguar investitorët të blinin franga. Banka Qendrore e Suedisë, Riksbank, vendosi për një normë kryesore negative në shkurt, me synimin për të dobësuar krona-n, për të shtrenjtuar importet dhe për ta nxitur kështu inflacionin afër objektivit të saj prej 2%.
Për të gjitha këto vende, është kursi i këmbimit ndaj euros që ka më shumë rëndësi. Për të kontrolluar monedhat e tyre, bankat e tyre qendrore duhet të ofrojnë norma interesi që janë shumë më tepër nën zero se ato të BQE-së. Norma e depozitave në Danimarkë dhe në Zvicër është -0.75%. Në Suedi ajo është -1.1%.
Kjo nuk i ka nxitur bankat komerciale të shkëmbejnë rezervat e tyre në bankën qendrore për kesh, sikundër do të sugjeronte teoria. Kjo për shkak se diçka e tillë do të ishte vetë e kushtueshme. Për të vendosur pagesat, bankat duhet të lëvizin çdo ditë shuma të mëdha mes tyre.
Kostot e numërimit, ruajtjes, lëvizjes dhe sigurimit të sasive të mëdha të kartëmonedhave, me sa duket tejkalojnë detyrimet e vogla që bankat qendrore të Evropës kanë vendosur në mbajtjen e depozitave elektronike.
Përdorimi tjetër i mundshëm për rezervat e bankave është që t’i japin ato hua për bankat e tjera, por ato tashmë janë ‘dyndur’nga likuiditeti i tepërt i krijuar nga QE.
Norma e depozitave në bankat qendrore përcakton bazën për koston e kredive brenda natës në përgjithësi, që është edhe arsyeja se pse normat afatshkurtra të tregut të parave janë kthyer gjithashtu në negative. Në të vërtetë, normat negative të politikave dhe krijimi i parasë nëpërmjet blerjeve të bankës qendrore të obligacioneve apo të monedhave të huaja kanë nxitur drejt rënies yield-et e obligacioneve kombëtare në të gjithë Evropën. Kjo nga ana tjetër, ka ulur normat e interesit të bankave për kredi të reja.
Bankat i kanë transferuar disa nga kostot e normave negative tek klientët e tyre korporative. Për ato, gjithashtu, kostoja e lëvizjes dhe ruajtja e rezervave të mëdha të kesh është e ndaluar; alternativa e qartë – blerja e obligacioneve të sigurta dhe të likuid-edhe tani shoqërohet me kosto, falë yield-eve negative.
Së fundmi Alternative Banka Schweiz, një njësi e vogël zvicerane, tha se do të detyrohej të impononte norma negative në llogaritë personale duke filluar nga janari. Megjithatë, shumica e bankave, kanë mbrojtur konsumatorët me pakicë nga detyrime të tilla, me supozimin se në një situatë të tillë ata do i lëviznin llogaritë e tyre diku tjetër. Si pasojë, depozitat e përgjithshme bankare kanë qenë të qëndrueshme.
Bankat thjesht kanë marrë koston e depozitave në bankën qendrore, që ka dëmtuar fitimet. Reduktimi i mëtejshëm në normën e depozitave të BQE-së prej 0.2 pikë përqindjeje mund të tkurrë fitimet neto të bankave evropiane me 6%, sipas Autonomous Research.
Teksa normat e interesit vijojnë drejt rënies, “recetat” e ekonomistëve janë bërë më të guximshme. Gjatë një fjalimi në shtator Andy Haldane, kryeekonomist i Bankës së Anglisë, paraqiti një sërë mundësish për të lejuar rënien e mëtejshme të normave. Opsioni më radikal do të ishte eliminimi i opsionit të kasafortës duke ‘hequr qafe’ krejtësisht kesh-in. Ken Rogoff i Universitetit të Harvardit llogarit se ka 4,000 dollarë në monedhë në qarkullim për çdo person në Amerikë.
Pjesa më e madhe e tij është përdorur për të fshehur transaksionet nga autoritetet tatimore apo të policisë. Eliminimi i saj do të frenonte aktivitete të tilla, si dhe do ndihmonte bankierët qendrorë.
Megjithatë, depozituesit mund të gjejnë ende mënyra për të mbrojtur kursimet e tyre. Përdorimi i monedhës së huaj apo metaleve të çmuar do të ishte një alternativë e qartë. Sikundër theksojnë Kenneth Garbade dhe Xhemi McAndrews i Rezervës Federale të Nju Jorkut, tatimpaguesit mund të paguajnë paradhënie për tatimorët dhe më pas të pretendojnë diferencën.
Depozituesit mund të tërheqin fondet në formën e drafteve të bankierëve (çeqe të certifikuar) për t’i përdorur si një si një mjet i sigurt këmbimi. Drafte të tilla mund të bëhen edhe një formë e monedhës paralele, pasi janë të transferueshëm. Çdo formë karte para-paguese, të tilla si ato të transportit urban, kuponat dhuratë ose SIM-et e telefonëve celularë mund të dyfishohen si aktive me yield zero. Nëse norma e interesit arrin në nivele të thellë negativë, kjo do përmbyste rutinën e biznesit.
Kompanitë do të kërkonin të kryenin pagesa të shpejta dhe t’i merrnin ato ngadalë. Inventarët e tyre do të rriteshin së tepërmi.
Në praktikë, bankat e eurozonës janë ato që përballen të parat me normat negative. Ekzistojnë shqetësime se, nëse normat bien së tepërmi, ato mund të dëmtojnë ekonominë. Bankat, që janë të shqetësuara për stabilitetin e depozitave të tyre, ka më pak të ngjarë të japin hua, thotë Huw van Steenis i Morgan Stanley, një bankë investimesh.
Megjithatë, nxitja e normave drejt niveleve më të ulëta ende ka gjithashtu gjasa të dobësojë edhe më tej euron kundrejt dollarit, sidomos teksa Rezerva Federale duket e vendosur të rrisë normën bazë të interesit në 16 dhjetor.
Ky mund të jetë edhe motive kryesor i BQE-së, ashtu sikundër kufizimi i monedhës së tyre është qëllimi i qartë i anëtarëve të tjerë të klubit të normës negative.