FAO parashikon rritje të prodhimit të drithërave e prodhimeve shtazore. Kjo do të sigurojë rezerva të kënaqshme e çmime më të ulëta.
Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë, (FAO) vëren se tregjet globale për shumë prodhime ushqimore karakterizohen nga furnizimi i bollshëm. Sipas kësaj organizate, tregjet paraqesin më pak paqartësi sesa vitet e fundit. Kjo situatë reflektohet edhe në indeksin e çmimeve të prodhimeve bujqësore, i cili ka zbritur në nivelin më të ulët të katër viteve të fundit. Më shumë përjashtime ka te tregjet e prodhimeve shtazore.
Në tërësi, tregtia ndërkombëtare ushqimore pritet të jetë mbyllur me 1 trilion dollarë, duke paralajmëruar një rekord të ri të prodhimit botëror për vitin që sapo lamë pas.
Sezoni i të korrave 2014-2015, sipas FAO-s, parashikon rritje për sojën, ndërsa është parashikuar një rritje e lehtë e furnizimit të vajrave dhe yndyrave.
Pavarësisht prodhimit në rritje, ekspertët nuk presin të ketë ndonjë lehtësim të çmimeve në tregjet ndërkombëtare, por vajrat me bazë bimore mund të stabilizohen në nivelin e ulët aktual të tyre.
Përjashtim bën prodhimi i qumështit, i cili vazhdon të rritet në mënyrë të qëndrueshme në shumë vende. Çmimi i këtij produkti, sipas të dhënave të FAO-s, ka pasur ulje të vazhdueshme dhe në muajt e fundit arriti në nivelet e shënuara në mes të vitit 2012.
Për shkak të nivelit të rezervave, çdo vit ka rëndësi edhe prodhimi i sezonit të mëparshëm. Sipas të dhënave të FAO-s, prodhimi i drithërave gjatë vitit 2014 vlerësohet të ketë arritur në 2.5 miliardë tonë, ose 65 milionë tonë më shumë se sa parashikonin ekspertët e FAO-s në fillim të vitit 2014. Faktori kryesor ishte një përmirësim i vazhdueshëm i prodhimit të drithërave, veçanërisht i misrit.
Vlerësimet e gjysmës së dytë të vitit që lamë pas tregojnë për një kthesë, ndonëse të lehtë nga piku i arritur në vitin 2013, me prodhimin e grurit, i cili arriti një rekord të ri, në nivelin 718.5 milionë tonë. E kundërta ka ndodhur, për shkak të kushteve të papërshtatshme të motit, me prodhimin e orizit, parashikimet e të cilit janë në rënie.
Viti vlerësohet paraprakisht të jetë mbyllur me 496.4 milionë tonë, ose me një rënie të lehtë prej 0.4% krahasuar me 2013.
Përdorimi i drithërave për periudhën 2014-2015 është parashikuar të rritet 1.8% krahasuar me një vit më parë, ndërsa përdorimi total i ushqimit është parashikuar të rritet me 1%, duke përcaktuar një konsum për frymë prej 153 kg në vit. Përdorimi për konsumin e kafshëve, nga ana tjetër, është parashikuar të rritet 2.5%, pak më pak se një vit më parë.
Bazuar në parashikimet e fundit për prodhimin dhe përdorimin e drithërave, rezervat e drithërave deri në fund të sezonit të të korrave 2015 pritet të arrijnë në 627.5 milionë tonë, duke u rritur 8.3% nga një nivel i lartë në fillim të sezonit dhe niveli më i lartë në 15 vitet e fundit.
Misri shënon rritjen më të madhe i ndjekur nga gruri, ndërsa rezervat e orizit parashikohet të bien, megjithëse nga një nivel rekord rezervash të një viti më parë.
Parashikimi i përgjithshëm pozitiv, nëse realizohet, do të rezultojë me një nivel prej 25.2% të raportit të rezervave ndaj sasisë që do të përdoret për konsum në sezonin 2014-’15 nga 23.5% që ishte në periudhën 2013-’14. Kjo pritet të shënojë nivelin më të lartë që nga 2001-2002.
Furnizimi i bollshëm i vitit 2014 ka sjellë rënie të ndjeshme të çmimeve në tregjet ndërkombëtare, përjashtuar orizin. Gjithsesi, çmimet më të ulëta nuk pritet të nxisin tregtinë, pasi vendet më të mëdha importuese po ruajnë furnizimet e mëdha çka do të frenojë kërkesën për import. FAO parashikon që tregtia e drithërave në tërësi të bjerë këtë vit me 5%, ose 337 milionë tonë.
Prodhimi i mishit vlerësohet paraprakisht të jetë rritur në mënyrë modeste në 2014-n. Sipas të dhënave të FAO-s, prodhimi është rritur 1.1% për të arritur në 3 milionë tonë. Rritja pritet në vendet në zhvillim, të cilat janë njëkohësisht edhe qendrat kryesore të rritjes së kërkesës.
Në nivel ndërkombëtar, çmimet e mishit kanë mbetur të larta, në vlera historike për tre vitet e fundit. Indeksi i çmimit të mishit, sipas FAO-s, ishte mesatarisht 185 pikë. Sipas FAO-s çmimet janë rritur për të gjitha kategoritë, veçanërisht për mishin e gjedhit, ndonëse nga fundi i vitit 2014 ra në sy një ulje e çmimit për mishin e derrit dhe të deles.
Tregtia botërore e mishit, sipas FAO-s, vlerësohet paraprakisht të jetë rritur në nivel të moderuar, 2.3% në 2014 ose në 31.6 milionë tonë.
Rritja e parashikuar do të jetë më e ulët se mesatarja e shënuar vitet e fundit, për shkak të disa faktorëve, përfshirë edhe prodhimin e kufizuar në disa prej vendeve kryesore eksportuese.
Parashikimet e FAO-s për 2015
Rritje me 1.8% e përdorimit të drithërave
Rritje mbi 8% e rezervave të tyre
Ulje 5% e tregtisë së drithërave
Rritje e prodhimit të mishit mbi 1%
Rritje e tregtisë së mishit, 2.3%
Burimi: Parashikimi ushqimor, FAO
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.