Papunësia dhe emigrantët e nxitën më shumë revoltën
Tërmeti populist i përjetuar në zgjedhjet e përgjithshme të Italisë më 4 mars, u nxit kryesisht nga ndarja e përjetshme që ekziston ndërmjet veriut dhe jugut të saj.
Suksesi i lëvizjes anti-establishment, Pesë Yjet, e cila mori gati një të tretën e votave të përgjithshme për t’u bërë partia më e madhe, erdhi kryesisht nga mbështetja që ajo mori në jug, ku PBB-ja për frymë është pak më shumë se dy të tretat e mesatares kombëtare dhe ku pothuajse gjysma e grupmoshës nga 15 deri në 24 vjeç janë pa punë, shkruan The Economist.
Në Sicili, secili prej posteve sipas sistemit mazhoritar (të njohur si first-past-the-post) u fitua nga partia “Pesë yjet”. Kjo i jep mundësinë liderit të kësaj partie, Luigi Di Maio, për të kërkuar postet më të mira për partinë e tij.
Rezultatet reflektuan edhe gjendjen alarmante, veçanërisht në veri, mbi emigracionin e pakontrolluar dhe ndikimin e tij mbi ligjin dhe rendin.
Fushata u zhvillua në hijen e të shtënave të 3 shkurtit në qytetin e Maceratit ku u plagosën gjashtë emigrantë afrikanë. Vrasësi, aktivist i ekstremit të djathtë, Liga e Veriut, u shpreh se e bëri këtë veprim sepse po hakmerrej për vrasjen e një vajze të re për të cilën u arrestuan tre nigerianë.
Në qytetin e Maceratas, partia Liga e Veriut ka fituar një numër të madh votash, 21%, në krahasim me 1% në vitin 2013.
Në nivel kombëtar, Liga (e cila për të fituar sa më shumë vota edhe në jug, në pjesën më të madhe të fushatës, e hoqi fjalën “e Veriut” dhe u quajt vetëm Liga) fitoi 17%. Me këtë përqindje, ajo avancoi ndaj partisë së moderuar, Forza Italia, të Silvio Berlusconi-t, me 3% më shumë. Kjo i lejoi liderit të Ligës, Matteo Salvini, të merrte udhëheqjen e aleancës në të cilën të dy partitë kishin luftuar në këto zgjedhje, përkrah edhe me partitë e tjera të vogla.
Blloku konservator fitoi 37% të votave. Nëse ato do të qëndrojnë të dyja, do të jenë partia më e madhe në Parlament, duke ia rritur mundësitë z. Salvini për t’u bërë Kryeministri i vendit.
Margjinalizimi i 81-vjeçarit Berlusconi vuri në dukje edhe një tjetër karakteristikë të riorganizimit më të madh të peizazhit politik që në momentin kur ai hyri në politikë në vitin 1994: si Brexit ashtu edhe zgjedhja e Donald Trump, ishte një refuzim i madh i establishmentit.
Një nga defektet kryesore të politikës italiane, sidomos në jug, ka qenë prej kohësh blerja e votave në këmbim të përfitimeve të ndryshme si sigurimi i vendit të punës, nënshkrimi i kontratave, etj. Por këtë herë, miliona jugorë votuan për një politikë e cila do të luftonte pikërisht marrjen e ryshfeteve dhe korrupsionin.
“Unë mendoj se janë të shumtë njerëzit në jug që duan një vend pa korrupsion dhe se apeli i vërtetë i Lëvizjes Pesë Yjet ishte premtimi për të ofruar të ardhura të përballueshme për qytetarët dhe përfitime neto të sigurta për të papunët dhe më të varfrit”, thotë Enrico Ponzone nga “Avisa Partners”, një firmë konsulence.
Disfata e reformatorëve
Partia Demokratike e qendrës së majtë (PD), partneri kryesor në koalicionin ekzistues të Paolo Gentiloni-t, pësoi disfatën më të keqe. Nëse në vitin 2014, ajo arriti të merrte 41% të votave, këtë vit ajo mori vetëm 19% të tyre. Lideri i PD-së, Matteo Renzi, njoftoi dorëheqjen, por e shtyu largimin deri në momentin e formimit të një qeverie të re. Jashtë Italisë, rezultati i arritur në këto zgjedhje u konsiderua si një refuzim i BE-së dhe monedhës së saj të përbashkët. Dhe kjo gjë është më se e vërtetë, sepse pakënaqësitë në këtë drejtim ekzistojnë, kryesisht për të paktën 3 arsye.
Ekziston një ide, e cila sa vjen e po përforcohet se Italia është lënë e vetme nga partnerët e saj të BE-së për t’u marrë me çështjen e emigracionit. Ekonomia ka kaluar në stanjacion që kur Italia hyri në euro, kështu që PBB-ja e Italisë për frymë, në ditët e sotme është më e ulët në terma realë sesa ishte në vitin 2000.
Dhe politikanët italianë ia kanë hedhur të gjithë fajin për rritjen e ngadaltë të ekonomisë, politikave shtrënguese të BE-së, sesa mungesës së reformave strukturore në vend për të rritur produktivitetin.
Por, edhe pse si Lëvizja Pesë Yjet, ashtu edhe ajo e Ligës së Veriut propozojnë të injorojnë kufirin e deficitit buxhetor prej 3% të caktuar nga Eurozona për të nxitur rritjen, secili prej liderëve të këtyre partive ka thëne se tani nuk është momenti i duhur për t’u tërhequr nga monedha e vetme. Nëse ndonjëri prej tyre do të qeverisë Italinë, do të varet nga rezultati i negociatave që do të zhvillohen.
Rezultati i votimeve është ironik. Parlamenti i ri, ashtu si edhe ai i vjetër, do të përbëhet nga tre blloqe të mëdha, ku asnjëri nuk ka shumicën absolute.
Deri më tani, ka qenë Lëvizja Pesë Yjet, e cila e vendosur midis së majtës dhe së djathtës, ka refuzuar të bashkëpunojë me partitë kryesore, duke i detyruar ato që të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën, në mënyrë që vendi të ketë një qeveri. Tani është PD-ja e shkatërruar, ajo që mund të ofrojë mbështetjen e nevojshme për kontrollin e Parlamentit.
Ajo, edhe mund të mos bashkohet domosdoshmërisht me një koalicion, por mund të sigurojë mbështetje të jashtme për një qeveri të pakicës. Edhe pse kjo gjë nuk pritej para votimeve, është pikërisht PD-ja me mbretin e pas-zgjedhjeve Berlusconi-n, që, nëse vendos ta ushtrojë atë fuqi që ka në dorë, mund të shkaktojë ndarjen e partisë, e cila është tashmë e shpërbërë.
Nga ana tjetër, përgjigjja fillestare e z. Renzi ishte se përjashtonte çdo marrëveshje me “ekstremistë” ose “forca antisistematike”.
Por disa anëtarë të partisë së tij do të ishin pro diskutimit të një marrëveshje me Lëvizjen Pesë Yjet, e cila përkrah pacifizmin dhe ambientalizmin, pjesë e së cilës janë shumë ish-aktivistë të shoqërisë civile.
Refuzimi për të bashkëpunuar me njëra-tjetrën, mund ta detyrojë Presidentin e Italisë, Sergio Mattarella, që të përpiqet të ndërtojë një koalicion të madh ose të vendosë zhvillimin e zgjedhjeve të reja. Por kjo do të rriste mundësitë, edhe pse ato janë të pakta, për një marrëveshje koalicioni midis Lëvizjes Pesë Yjet dhe Legës së Veriut.
Z. Salvini e ka përjashtuar idenë e “koalicioneve të çuditshme”, ndërsa z. Di Maio, tha se mirëpriste diskutime nga të gjitha palët(ndërsa në të kaluarën, Lëvizja Pesë Yjet, i ka përjashtuar marrëveshjet).
Nga të gjitha koalicionet e mundshme dypartiake, një partneritet i mundshëm i populistëve do të kishte shumicën më të fortë parlamentare. Megjithatë, një marrëveshje me Ligën e Veriut mund të shkatërronte Lëvizjen Pesë Yjet dhe të nxiste revoltë tek votuesit e saj në jug të vendit, të cilët kujtojnë se vetëm pak kohë para zgjedhjeve partia e z. Salvini e kishte bërë të qartë qëndrimin përbuzës për rajonin jugor të Mezzogiorno-s.
Rruga e rindërtimit të politikës italiane pas tërmetit të 4 marsit, do të jetë e gjatë dhe e vështirë.