Televizionet e mëdha po arrijnë të mbajnë reklamuesit, ndonëse po detyrohen të sakrifikojnë nga fitimet e tyre. Kohë më të vështira kanë ardhur për shtypin e shkruar, që vazhdon të vuajë largimin e lexuesve në favor të online, duke u bërë më pak tërheqëse për bizneset që duan të reklamojnë produktet. Reklamuesit e mëdhenj po mbajnë dorën, ndërkohë që hyrjet e reja mungojnë. Cili e kryeson garën e televizioneve dhe shtypit të shkruar, sipas të ardhurave e fitimeve. Si po lulëzon reklama në mediat online
Nga Ornela Liperi
Shikuesit e lexuesit sa vijnë e po bëhen më kërkues dhe përzgjedhës. Media online e ka bërë shumë të lehtë përhapjen e informacionit brenda pak sekondash, duke konkurruar fort shtypin e shkruar, por edhe televizionet informative. Teknologjia ka shtuar alternativat edhe për shikuesit, që përveçse kanë mundësi të ndryshojnë kanalin, mund të zhvendosin vëmendjen në internet, YouTube, kanalet dixhitale, Netflix dhe të shohin filmat e fundit e zgjedhje të tjera pa fund.
Në këtë evolucion të shpejtë, televizionet e gazetat gjenden përballë kufizimeve për të reaguar e për t’u përshtatur. Tregu i reklamave, burimi kryesor i të ardhurave të tyre, vijon të mbetet i frenuar prej disa vitesh radhazi. Shumë kompani po shkurtojnë buxhetet e marketingut, të parat që preken në kohë krize. Shpresat e televizioneve kanë mbetur te kompanitë e telekomunikacionit dhe bankat, që kanë dhe buxhetet më të mëdha në dispozicion për marketing e reklama, ndërsa reklamuesit e rinj numërohen me pikatore.
Gjithsesi, televizionet e mëdha po arrijnë të rezistojnë dhe të marrin pjesën kryesore të tortës së buxheteve të reklamuesve.
Për vitin 2015, xhiro e tre televizioneve kryesore në vend (Top Channel, Klan, Vizion Plus) u rrit me 8.1%, pas tkurrjes po me 8% një vit më pare, sipas të dhënave nga bilancet e tyre. Në 2015-n u zhvilluan zgjedhjet lokale dhe gjithmonë në periudha elektorale, të ardhurat e televizioneve kanë tendencë rritjeje. Por, ndonëse kanë ruajtur të ardhurat, televizionet kanë sakrifikuar fitimet. Këto të fundit ranë me gati 30% për tre televizionet në fjalë.
Për vitin 2016, të dhënat parapake nga monitorimet e kohës së reklamave për 11-mujorin, nga Idra Media, tregojnë për një rritje të lehtë të kohës së reklamimit për 8 televizionet kryesore në vend. Frenimi i buxheteve të marketingut të bizneseve duket se ka prekur dhe televizionet informative, që ishin në lulëzim deri pak kohë më parë.
Krizën po e vuan më së shumti media e shkruar, ku pjesa më e madhe e gazetave kanë parë rënie të të ardhurave dhe fitimeve në 2015-n, ndërsa të dhënat e monitorimeve të 11-mujorit 2016 tregojnë rënie drastike të sipërfaqes së reklamave.
Reklamat jashtë dyerve (outdoor) kanë vijuar për të dytin vit radhazi me rënie, të thellë për disa, duke u prekur më shumë nga shkurtimi i buxheteve të marketingut të kompanive.
Pas një rritjeje në 2014-n, edhe radiot kryesore kanë parë një reduktim të të ardhurave në vitin 2015.
Në ndjekje të një tendence globale, i vetmi segment që po kalon ditë të mira është ai i reklamave online, që po i gëzohet rritjes së numrit të përdoruesve online dhe po përfiton duke joshur klientët – reklamuesit, që janë të dëshpëruar të maksimizojnë koston e arritjes së një klienti potencial – me tarifat që ende mbeten të ulëta. Të dhënat e monitorimeve nga Idra Research flasin për një rritje me 40% të sipërfaqes së reklamuar në mediat online dhe 70% në vlerë për 11-mujorin 2016.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.