Kur kanë kaluar dy muaj nga përmbytjet në zonën e Fierit dhe të Vlorës, vetëm pak gjëra kanë shkuar në vendin e duhur. Disa fermerë nuk janë dëmshpërblyer ende, ndërsa toka nuk është rehabilituar siç duhet. Mbështetja e biznesit dhe organizmave të huaja ndihmoi të mjekohet plaga e përmbytjeve të menjëhershme të fermerëve në këto zona, por nuk e shëroi atë. ..
Gjergji Gjeloshgjokaj është një prej blegtorëve në Ferras të Fierit, i cili dy muaj pas përmbytjeve nuk ka arritur të zëvendësojë asnjë nga kosheret e bletëve apo ndonjë krerë të tufës së derrave që ia mori lumi.
I pyetur nga revista “Monitor”, ai tregon se nuk është dëmshpërblyer për asnjë dëm që pësoi nga përmbytjet e fillimit të shkurtit, ndërsa pranon se disa prej kolegëve të tij u dëmshpërblyen, duke i zëvendësuar krerët e fermave me pula, dele e bagëti të tjera.
“Jam dëmtuar me 85 koshere bletë dhe 80 derra. Qeveria i mori me skrap dhe i ka groposur. Na u premtua se do të zëvendësohej ferma kokë më kokë, por deri më tani nuk kemi marrë asnjë qindarkë”, thotë Gjoleshgjokaj.
Për një jetë më të mirë, ai zbriti nga Tropoja dhjetëra vite më parë. Për t’i ngritur në këto nivele fermat, iu deshën dhjetë vite pune, e dy kredi ende të pashlyera. Ai tregon se ka dy hua të vogla, njëra 500 mijë lekë, marrë në një institucion mikrofinance, dhe tjetra, 200 mijë lekë, në një bankë të nivelit të dytë. Për shlyerjen e këtyre detyrimeve, kishte llogaritur të shiste herë pas here derra nga ferma e tij. Sot, kur derrat mungojnë, çlirimi i vetëm i tij, është toleranca e bankave për pezullimin e pagesave. Ndërkohë, nuk e ka shuar shpresën për kompensimin e kafshëve.
Dëm i pallogaritur siç duhet nga institucionet janë të mbjellat e kësaj fushe. Ekspertët e Ministrisë së Bujqësisë thonë se dëmi ka qenë i pallogaritshëm, pasi pjesa më e madhe e tokave në zonën Fier-Vlorë ishte djerrë. Por Gjerloshgjokaj, thotë se në fshatin e tij, një pjesë e mirë e tokës ishte mbjellë me jonxhë.
Kjo është ana e errët e një medalje të përbaltur nga përmbytjet, ndërsa nuk mungojnë rastet kur fermerët janë kompensuar. Vetë fermerët e fshatit Ferras kujtojnë disa raste që përkojnë edhe me daljet publike të Kryeministrit e kreut të Kuvendit. Familja e fermerëve nga Vlora mori në prani të Kryeministrit 400 krerë dele, ndërsa ferma e Mallakastrës u plotësua me pula, falë vizitës së Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta.
Dy muaj pas përmbytjeve, përfaqësuesit e Ministrisë së Bujqësisë thonë se situata e përmbytjeve u menaxhua në mënyrë të suksesshme, falë mbështetjes së bizneseve dhe e quajnë një çështje të mbyllur edhe për sa u përket kompensimeve të nevojshme. Sipas Ministrisë së Bujqësisë fermerët janë kompensuar, janë kryer pagesat për serat e luleshtrydheve të dëmtuara në Fier, ndërsa toka vlerësohet të jetë rehabilituar pas largimit të ujërave.
Gjeloshgjokaj thotë se u ka shkruar disa herë përfaqësuesve lokalë, ministrit të Bujqësisë e Kryeministrit, ndaj mbetet për t’u parë kur do të mbyllen plotësisht plagët e përmbytjeve në zonën ku përqendrohej gjysma e sipërfaqeve me sera, dhe mbi një e treta e fermave blegtorale.
Mbështetja nga një biznes te tjetri
Të kompensuar apo jo të gjithë, një gjë është e sigurt. Në fatkeqësinë e fundit natyrore të vendit, situata u përballua me mbështetje private të sipërmarrjeve dhe të organizatave ndërkombëtare.
Në mungesë të një vendimi qeverie, për të financuar qoftë edhe një shifër të vogël për zonën, Kryeministri Edi Rama, mati pulsin e sipërmarrësve të mëdhenj në vend, shoqatave të biznesit, të cilat, me dëshirë, apo me detyrim, dërguan ushqime, pajisje, e madje edhe kafshë në fshatrat e dëmtuara nga përmbytjet. Vetë z. Rama shkoi disa herë në këto zona, ku ndoqi nga afër shpërndarjen e ndihmave emergjente, si edhe zëvendësimin e krerëve të bagëtive. Bankat ishin të parat që morën angazhimin për të “ngrirë” pagesat e interesave për fermerët kredimarrës të dëmtuar.
Kryeministri deklaroi disa herë se, do të ketë një plan të qeverisë për përmirësimin dhe rimëkëmbjen e atyre zonave të prekura nga përmbytjet si rezultat i reshjeve të dendura të shiut. Por, ky plan duket se kaloi me mbështetje private dhe ndihmat e huaja, të cilat me gjithë dëshirën e mirë, nuk pritet të administrohen e të kenë efektin rimëkëmbës në ato nivele që mund ta jepte një fond i koordinuar nga qeveria.
Humbëm mundësinë e ndihmës së duhur nga BE
Llogaritë e para flisnin për të paktën 5 milionë euro. Por kjo vlerë duket të jetë shumë larg reales. Mungesa e sigurimit të një vlere reale duket se i humbi vendit edhe mundësinë për të përfituar mbështetjen e duhur nga vendet e Bashkimit Europian.
Komisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi të Mirë, Johanes Hahn, pati theksuar menjëherë pas përmbytjeve se Bashkimi Europian është i gatshëm të ndihmojë Shqipërinë pas përmbytjeve në Jug të vendit. Megjithatë, Hahn u kërkoi autoriteteve shqiptare që të bëjnë një pasqyrim të saktë të dëmeve dhe pasojave që kanë shkaktuar përmbytjet. Pak ditë pas përmbytjeve, Hahn theksoi se “është absolutisht e nevojshme që të kemi të dhëna të sakta për sa u përket dëmeve, kostot e këtyre dëmeve. Nëse këto të dhëna janë më të qarta, dhe kemi një ide më të mirë dhe më të saktë të situatës, me siguri që do të organizojmë diçka, sepse jemi plotësisht të vetëdijshëm për pasojat e këtyre fatkeqësive natyrore”.
Mekanizmi i BE-së për mbrojtjen civile u aktivizua më 4 shkurt për Shqipërinë, pas 4 ditë reshjesh të dendura, që sollën shpërnguljen e 600 familjeve dhe dëme në 17 mijë hektarë. Këto janë edhe shifrat e raportuara nga qeveria shqiptare pranë Qendrës së Koordinimit të Përgjigjes ndaj Emergjencave të BE-së. Këto raportime të pjesshme, rezultuan edhe me ndihma të pjesshme. Nga Komuniteti Europian u përgjigjën dy vende: Austria dhe Sllovakia. Ato dërguan pompa të kapacitetit të lartë (për dehidratimin e tokës), shtretër, batanije, gjeneratorë, tenda e artikuj ushqimorë. Kjo është një nga mangësitë e kësaj përmbytjeje ende pa faturë.
Dëmet më të mëdha, “shërim” më të ngadaltë
Pas fazës së parë të emergjencës, Ministria e Bujqësisë kaloi në atë të vlerësimit të dëmit. Ministria e Bujqësisë përgjigjet për premtimin e dhënë fermerëve për t’i dëmshpërblyer, të paktën në fushën e blegtorisë, përmes ofrimit të donatorëve të huaj e vendas. Jani Babi, zëvendësministër i Bujqësisë, pati theksuar se “bizneset që punojnë në lidhje me bujqësinë janë treguar të gatshëm të zëvendësojnë këto ferma blegtorale me bagëti më të mira se ato që kishin. Pra, me raca më të mira. Nuk do të jepen në para, por do të zëvendësohen kokët e bagëtive”. Kjo filloi me dëmshpërblimin e shpendëve, ku u shpërndanë gjashtë mijë zogj.
Nga situata e përmbytjeve dëmi llogaritet rreth 2070 krerë të imëta, 22 krerë gjedh, 338 derra, 69600 shpendë dhe 460 koshere bletë. Pas përmbytjes, u morën masa për pastrimin e zonës dhe shmangien e ndonjë epidemie.
Dëmtimet në kafshë vlerësohet të arrijnë në 700 mijë dollarë.
Për sa u përket dëmeve në bujqësi, në sera pati një dëmtim prej 2 milionë eurosh. Dëmi u mor përsipër të kompensohej nga Ambasada Amerikane dhe USAID.
Sipërfaqet e mbjella, sipas statistikave, janë rreth 9 mijë hektarë dhe 80 hektarë pemëtore.
Por, dëmi më i madh vlerësohet të jetë bërë në infrastrukturën e kullimit dhe ujitjes. Kemi dëmtime, në të cilat do të ndërhyhet menjëherë, do të jepen fonde dhe nga qeveria, thotë zëvendësministri Babi. Flitet për fonde të tjera suplementare për të ndërhyrë në riparimin e kanaleve kulluese, digave dhe argjinaturave, me qëllim që t’u paraprijmë fatkeqësive të tjera. Këtu nuk flasim vetëm për Vlorën dhe Fierin, por edhe për Beratin, Korçën dhe Shkodrën. “Vetëm për t’i sjellë në gjendjen e mëparshme, për infrastrukturën nevojiten 1.3 miliardë lekë”.
Dëmet paraprake
Dëmet në kafshë
2070 krerë të imëta
22 krerë gjedh
338 derra
69600 shpendë
460 koshere blete
Infrastrukturë
1.3 mld lekë dëme për infrastrukturën kulluese e argjinatura
Dëmet në bujqësi
9 mijë hektarë tokë e mbjellë
80 hektarë pemëtore.
Dëmi në sera
2 mln euro
Moti i keq në shkurt, perime të shtrenjta
Kanë kaluar disa vite nga koha kur çmimi i perimeve ishte në nivelet e ditëve të sotme. Një kilogram domate kushton 250 lekë, ndërsa 1 kilogram speca kushton 300-350 lekë. Krahasuar me një vit më parë, këto produkte janë 20% më të larta. Një listë arsyesh duket se janë në favor të çmimeve të larta. Por, kryesore sipas tregtarëve është pikërisht efekti i motit të keq gjatë muajit shkurt. Sipas përfaqësuesve të shoqatave të fermerëve, të mbjellat u dëmtuan tërësisht në zonat e përmbytura por edhe ku nuk pati përmbytje (si në Lushnjë) prodhimi u dëmtua nga reshjet dhe temperaturat e ulëta.
Periudha mars-prill, çdo vit na përball me “lojëra” të çmimeve, pasi siç thekson edhe zëvendësministri i Bujqësisë, Alban Zusi, një prej arsyeve është sezonaliteti i prodhimit. Pra, ndërsa produktet e dimrit janë drejt përfundimit, ato të pranverës ende nuk ka mbushur tregun.
Një arsye tjetër që renditet nga Ministria e Bujqësisë është rritja eksporteve. Alban Zusi thekson se nga të dhënat operative që raportojnë tregtarët, eksportet këtë sezon janë rritur 30% krahasuar me një vit më parë. Sipas tregtarëve, kërkesa është rritur nga vendet fqinje, por edhe ato të Europës Lindore.
Një zhvillim i tillë, sipas drejtuesve të Ministrisë së Bujqësisë, mund të ketë penalizuar blerësit, por ka ndihmuar fermerët. Një prej sipërmarrësve të magazinave të fruta-perimeve në Lushnjë tregon se po i blen më shtrenjtë perimet te fermerët. Tregtaret e Lushnjës raportojnë rritje të eksporteve, ndërsa sipërmarrësi i Agrokonit, Ruzhdi Koni, thekson se vazhdon eksportin si një vit më parë.
Por, ndërsa mbetet për t’u verifikuar nga shifrat e doganave nëse kemi importuar më shumë, fakt mbetet se çmimet e larta po mbajnë larg konsumatorët.
Tregtarët e tregjeve kryesore të fruta-perimeve në kryeqytet, thonë se shitjet kanë rënë në mënyrë drastike krahasuar me një vit më parë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.