Prishtina programon 9 mln euro investime

19/04/2017 9:47 AM 0 komente

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa së bashku me ministrin e Infrastrukturës, Lutfi Zharku inauguruan fillimin e punimeve për zgjerimin e rrugës Prishtinë- Veternik, e cila do të jetë rruga e parë në Kosovë me 4 korsi në një drejtim, pra 8 korsi në të dy drejtimet.

Ai tha se këto investime po bëhen në bazë të detyrimeve për të krijuar kushte më të mira për qytetarët. Ai konsideroi se ky projekt është investim për kryeqytetin, duke vënë në pah se investimet gjatë këtij viti në Prishtinë kapin shumën afër nëntë milionë euro.

I pyetur nga mediat se a po bëhet ky projekt për shkak të zgjedhjeve lokale që do të mbahen në vjeshtë, Mustafa ka mohuar se ky investim është për fushatë zgjedhore dhe se investimet në kryeqytet po bëhen për
të lehtësuar qarkullimin e qytetarëve.

Edhe ministri i Infrastrukturës Lutfi Zharku, duke vlerësuar këtë projekt, tha se ky segment rrugor do të zgjerohet në të dy anët e rrugës me nga dy korsi të reja, me gjerësi prej 3.5 metrash për secilën korsi. Po ashtu, në të dy anët e rrugës do të ndërtohen trotuare me ndriçim dhe shteg të biçikletave.

Sipas tij, projekti në fjalë është paraparë të realizohet me 2 llote. Lloti 1 do të jetë drejtimi Prishtinë -Veternik, krahu i majtë i rrugës, i cili sipas kontratës parashihet të përfundojë brenda 150 ditësh pune, me një gjatësi prej 1.5 kilometrash dhe me kosto prej 1,589,674.34 eurosh, ndërsa lloti 2 është drejtimi Prishtinë – Veternik, krahu i djathtë i rrugës, me një gjatësi prej 1.5 kilometrash dhe me kosto prej 1,374,516.70 eurosh.

Punimet e llotit 2, sipas kontratës, parashihet të përfundojnë brenda 110 ditësh pune. Punë kryes i këtij projekti është kompania “Beni com”. Ministri Zharku tha se përpos këtij projekti, në komunën e Prishtinës janë edhe disa projekte të tjera.

Vitin e kaluar, sipas tij, kanë filluar me asfaltimin e rrugës Dheu i Kuq – Mutivodë, ndërsa, sivjet do të realizohen projektet edhe për Hajkobillë-Zajçefc, Stallovë deri në Marec, si dhe disa projekte të tjera.

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz