Në vite, një pjesë e konsiderueshme e shqiptarëve e kanë gjetur zgjidhjen në sigurimin e të ardhurave në hapjen e një biznesi tregtie me pakicë, një formë kryesisht vetëpunësimi, që ka mundësuar 14% të vendeve të punës në ekonomi, duke u renditur e para. Por, tashmë me zhvillimin e qendrave të mëdha të retail, kjo formë punësimi po rezulton e paqëndrueshme. Ndërkohë që industria, shërbimet e telekomunikacionet po rezultojnë si sektorë që mund të sigurojnë rritjen e punësimit në të ardhmen afat-mesme e afatgjatë. Por, industria, e mbërthyer nga kriza ka zhgënjyer vitet e fundit. Kriza vë në pikëpyetje rritjen e vendeve të punës në të ardhmen…
Tregtia dhe industria janë dy sektorët kryesorë në ekonomi, porsa i përket vendeve të punës me përkatësisht 26% dhe 31% të të punësuarve në ekonomi (duke përjashtuar administratën shtetërore dhe bujqësinë). Të dhënat bëhen të ditura në anketën strukturore të INSTAT, 2011, publikuar rreth një muaj më parë.
Burimi: Anketa Strukturore e Ndërmarrjeve, 2011
Të ndara më tej, sipas nën-sektorëve, është pikërisht tregtia me pakicë, gjeneruesi më i madh i vendeve të punës në ekonomi(gjithnjë duke përjashtuar administratën shtetërore dhe bujqësinë)me rreth 14% të totalit (shih tabelën 6). Që në vitet e para të tranzicionit, shit-blerja me pakicë u pa si një formë e mirë punësimi, apo vetë punësimi për shumë individë, ndërkohë që sot gati 40 mijë persona sigurojnë të ardhurat në këtë formë (nga rreth 280 mijë persona që rezultojnë të punësuar në total në sektorë të ndryshëm të ekonomisë).
Shifra e të punësuarve apo vetëpunësuarve në tregti, mund të jetë më e madhe, pasi tregtia me pakicë është një nga sektorët e ekonomisë, ku informaliteti është më i lartë. Por kjo formë punësimi sa vjen e po bëhet më e paqëndrueshme, me zhvillimin e qendrave të mëdha të tregtisë me pakicë, të cilat duke përdorur avantazhet e ekonomisë së shkallës po konkurrojnë ndjeshëm pikat e vogla të pakicës.
41 mijë vende të shtuara në tre vjet, kryesojnë shërbimet/ zhgënjen industria
Janë rreth 41 mijë vende pune të shtuara në sektorë të ndryshëm të ekonomisë gjatë periudhën 2008-2011. Shifrat mund të merren me rezerva, duke pasur parasysh nivelin e lartë të informalitetit në ekonomi, megjithatë ato shërbejnë për të gjykuar për tendencën bazë.
Janë pikërisht shërbimet ato që kanë kryesuar në hapjen e vendeve të reja të punës me gati 18 mijë individë që janë punësuar në hotele restorante, shërbime profesionale, apo shërbime të tjera.
Me shtimin e konkurrencës, maturimin e tregjeve dhe domosdoshmërinë për t’u bërë më efektiv përballë krizës, janë pikërisht shërbimet profesionale, ato që e kanë pasur më të lehtë të rriten vitet e fundit. Edhe telekomunikacionet kanë ndikuar pozitivisht në ekonomi, pas hyrjes në treg të dy operatorëve të rinj gjatë katër viteve të fundit.
Ndërtimi, metalurgjia, energjia elektrike janë tre nën-sektorët ku numri i vendeve të punës është reduktuar përgjatë tre viteve të fundit.
Por, sektori që ka zhgënjyer më shumë është industria, që është dhe gjeneruesi më i madh i vendeve të punës në ekonomi dhe që mund t’i sigurojë vendit një rritje të qëndrueshme në afatin e mesëm e të gjatë, duke u bërë dhe faktori kryesor në hapjen e fronteve të reja të punës. Degë të tilla si tekstilet dhe këpucët (që kanë mbi 10% të të punësuarve në vend, zyrtarisht, pasi jo zyrtarisht numri mund të jetë më i lartë; apo një të tretën e të punësuarve në industri) kanë gjeneruar së bashku vetëm 4 mijë fronte pune të reja në tre vjet, ku tekstilet kanë shtuar më pak se një mijë persona. Pikërisht nxitja e industrisë mbetet një parakusht për të garantuar hapjen e fronteve të reja në të ardhmen.
BURIMI : INSTAT
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.