Sipas Jerry Kaplan, ndër ekspertët më të mëdhenj në botë të shkencës kompjuterike, punët që nuk do të vdesin kurrë janë ato ku kërkohet aftësia për të ngjallur besim dhe ndjeshmëri
Besimi dhe ndjeshmëria, sfisa e robotëve
A do t’i zëvendësojnë ndonjëherë robotët njerëzit? Jo në ato punë ku kërkohet aftësia për të ngjallur besim dhe ndjeshmëri, përveçse elasticitet në zgjidhjen e problemeve. Kështu shprehet Jerry Kaplan, ekspert në shkencën kompjuterike dhe ndër pionierët e Silicon Valey.
“Nëse jeni të trishtuar pasi nuk keni dalë mirë në një provim dhe shkoni në një bar të pini diçka, a do të donit që t’ju shërbente një robot, a do t’ua tregonit problemet tuaja atij? A do t’i besonit një roboti që po përpiqet t’ju shesë një produkt? A do t’ju pëlqente që në spital të kujdesej një robot për ju?” – pyet në mënyrë provokuese Kaplan audiencën e studentëve, me rastin e prezantimit të librit të fundit në Universitetin Luiss në Romë.
Kufijtë e algoritmeve
Sipas Kaplan, jo të gjitha punët do të zhduken nga vala e automatizimit, pavarësisht se robotika ka bërë hapa të mëdha në vite dhe tani affective computing – ose programimi i androidëve të aftë të njohin e imitojnë emocionet njerëzore – ky është kufiri i fundit i Inteligjencës Artificiale.
Disa karakteristika të njerëzve nuk mund të riprodhohen kurrë në mënyrë të përsosur nga një algoritëm. “Në pjesën më të madhe të rasteve – thekson shkencëtari – robotët do të zëvendësojnë njerëzit në gjithë aktivitetet që parashikojnë teknikat e ekzekutimit dhe qëllimet e paracaktuara”.
Në dhjetë vjet do të zhduken 50 për qind e profesioneve aktuale
Kjo nuk është diçka e re. Kaplan përmend shembullin e asaj që ndodhi me centralistët. “Në Amerikë, para disa dekadash numëroheshin një milion centralistë, sot janë më pak se dhjetë mijë, të cilët janë zëvendësuar nga softëare që kryejnë thirrjet”.
Megjithatë, ndikimi i Inteligjencës Artificiale në tregun e punës nuk do të jetë pa dhimbje. Kaplan vlerëson se në dhjetë vitet e ardhshme, më shumë se 50 për qind e profesioneve aktuale nuk do të ekzistojnë më.
Nga konkurrenca te bashkëpunimi
Më shumë se sa një konkurrencë njeri – robot, profesori amerikan parapëlqen të flasë për një bashkëpunim.
“Kjo do të jetë rruga kryesore: robotika mund ta ndihmojë njeriun dhe ta mbështesë në punë, siç është duke ndodhur në disa fusha të Industrisë 4.0”. Ndryshimi krahasuar me të kaluarën është që sot njerëzit kanë aftësinë të projektojnë robotë në gjendje që të shohin dhe të ndiejnë, të ndërveprojnë dhe të punojnë me njerëzit duke përmirësuar produktivitetin.
“Shkenca kompjuterike ka lëvizur nga një qasje simbolike, me makinat që më parë përdoreshin vetëm për të organizuar dhe për të bërë llogaritje komplekse në një qasje parashikuese, të machine learning. Tani robotët dinë si të sillen”, shpjegon profesori. Vetëm në një fushë, robotët nuk mund të konkurrojnë dot me njerëzit: në ndjeshmëri dhe besim.
Burimi: Corriere della Sera