Qeveria rishikoi me ulje treguesin e rritjes ekonomike për periudhën afatmesme 2017-2019, krahasuar me vlerësim e muajit korrik 2015.
Rishikimet e fundit kanë korrektuar pritjet për rritjen ekonomike edhe për vitin 2015, ku treguesi pritet të finalizohet ne 2.6% nga 2.7% që ishin pritshmëritë e mesit të vitit të kaluar. Gjithashtu qeveria ka rishikuar me ulje pritjet për rritjen e vitit 2017 dhe 2018 përkatësisht me nga 0.1%.
Por paradoksi i kuadrit të ri makroekonomi qëndron në faktin se qeveria ka rishikuar me ulje edhe pritshmërie për borxhin dhe për rritjen ekonomike, ku dihet se dy treguesit shkojnë në kah të kundërt, çka do të thotë se nese borxhi rishikohet me ulje duhet ti përgjigjet një rishikim me rritje i ekonomisë.
Planifikimet e reja që i përkasin fundit të janarit synojnë një nivel borxhi për këtë vit në 70.9 % nga 71 për qind që ishin pritshmëritë e korrikut 2015. Gjithashtu pritjet për borxhin janë rishikuar me ulje edhe për vitin 2017, duke synuar një nivel 68% të PBB-së krahasuar me 69.2 për qind që ishte planifikimi i mesit të vitit 2015.
Ekspertët e Financave më parë i kishin pohuar Monitor se, një rritje reale mbi 4% është e nevojshme për të siguruar një ulje të qëndrueshme të borxhit publik, si dhe reduktimin e papunësisë. Qeveria shqiptare ka rënë parimisht dakord me FMN se, performanca e ekonomisë do të jetë më e ulët, është rënë dakord dhe me FMN-në që të ketë shpenzime më të larta dhe zgjerim të deficitit.
FMN dhe sidomos Banka Botërore, po e “furnizojnë” qeverinë shqiptare me një “lumë” kredish dhe projektesh që synojnë të përshpejtojnë rritjen ekonomike, të nxisin konkurrueshmërinë dhe krijimin e vendeve të punës. Por vendi po rrezikon të futet në një spirale ku shtimi i borxhit nuk do të arrijë të prodhojë rritjen ekonomike të nevojshme për ta ulur atë (borxhin) në afatin e mesëm, duke detyruar financat, që në një përgjigje kundërciklike të zgjerojnë shpenzimet dhe deficitin buxhetor.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.