Në pamje të parë, mund të duket si Range i zakonshëm, por sipërfaqet dhe përmasat e Velar, përbëjnë një kthesë që për kompaninë angleze, parashikohet të jetë radikale
Koperniku, i cili ishte klerik, kur përfundoi teorinë e tij heliocentrike, e cila rrëzoi vizionin e deri atëhershëm për botën, e përhapi atë me kujdes. Një gjë e tillë është e kuptueshme. Njësoj po vepron edhe Land Rover me prezantimin e modelit Velar, duke thënë publikisht më pak se sa duhet, lidhur me çfarë përfaqëson ky model për të ardhmen e markës: në një farë mënyre, një revolucion të vogël kopernikan. Kjo për faktin se edhe audienca e gjerë e tifozëve të kompanisë britanike, ka klerikët e saj konservatorë, të cilët ruajnë me fanatizëm traditën dhe e duan atë të pandryshueshme.
Për këtë arsye, tiparet revolucionare të modelit Velar, u kamufluan disi nën një pamje të jashtme të qetë: rrotat e mëdha, forma e kabinës, grafika anësore, fenerët dhe grila, flasin me gjuhën e konsoliduar të markës. Megjithatë, shefi i dizajnit të jashtëm, Massimo Frascella, e quan atë “një hap drejt një rruge transformimi”, e cila do të jetë me shumë të papritura në disa aspekte. Ai shton: “Si pjesë e aktivitetit të qendrës tonë kërkimore të projektimit, kemi projektuar edhe objekte krejtësisht radikale. Mund të them se disa ide janë duke u zhvilluar edhe më tej”. Në të tillë perspektivë, modeli i ri Range Rover, meriton një vështrim më të thelluar, për të zbuluar kështu mënyrën se si duke miksuar përbërës të njohur, është arritur të krijohet një recetë origjinale.
Dy gjëra tërheqin më fort vëmendjen: trajtimi i sipërfaqeve dhe ai i përmasave. Të parat, të lëmuara dhe uniforme, i japin makinës një ndjesi moderniteti që i bën të duken të vjetër të gjithë modelet Range pararendës. Një qasje të tillë në qendrën e projektimit në Gaydon, e përcaktojnë si reduktim vizual, një dizajn eliminues, të cilit i binden deri edhe dorezat e dyerve: në të njëjtën linjë me karrocerinë, ato ngrihen vetëm kur është e nevojshme. Në këtë mënyrë e bëjnë modelin Velar, modelin Land Rover më aerodinamik të të gjitha kohërave, me koeficientin aerodinamik Cx 0.32.
Për sa i përket përmasave, e parë nga ana dimensionale, makina pozicionohet mes Range Sport dhe Evoque. Gjatësia, 480 cm, është më afër të parës, por lartësia është pothuajse e barabartë me të dytën, gjë që i dhuron një siluetë të ulët dhe të hollë që e bën një crossover. Pjesa e pasme e rrumbullakosur, pjesa anësore e gjerë ku mbështeten dritaret dhe pjesa e përparme e reduktuar, i japin një hije modeli coupé. Me pak fjalë, është e qartë se modeli i ri nuk është vetëm për të mbushur boshllëkun e rangut të përmasave të gamës. “Nëse do ta poziciononim, modeli do të qëndronte mes një Evoque dhe një Range Sport, por jo plotësisht e baraslarguar nga të dyja. Diçka që mund të hapë mundësi të reja në të ardhmen për zgjerimin e familjes Range”, thotë Frascella.
Nga ana tjetër, zgjedhja e emrit nuk është rastësi: në historinë e markës, në vitin 1969, u pagëzuan me këtë emër, prototipet që më pas do të bëheshin Range Rover, një produkt deri atëherë i padëgjuar, paraardhës i modeleve moderne SUV. Modeli Velar i sotshëm ka të njëjtën ambicie, dhe ashtu si edhe Evoque në vitin 2011, dëshiron të shënojë një pikë kthese të fortë për kompaninë angleze.
Kthesë për ku? E qartë, drejt kushtrimit të asfaltit. Që objektivi është i tillë e zbulon konfigurimi mekanik, i cili, pa sakrifikuar aftësitë si fuoristradë (zbret pjerrtësi të thella deri në 60 centimetra), e vë theksin tek drejtimi në asfalt. Suspensione me katërkëndësha përpara dhe multilink (Integral link) mbrapa, të huazuara nga Jaguar, me sistem adaptiv pneumatik dhe traksion integral të përhershëm, i cili shpërndan momentin përdredhës në rrota duke monitoruar parametrat e aderencës 165 herë në sekondë.
Brenda, mbizotëron i njëjti ligj reduktues. Butonat janë zëvendësuar me ekranet me prekje: dy të tillë për arsye ergonomike dhe në timon dy touchpad. Veshjet mund të porositen pëlhure. Nuk ka një variant bazë, por një alternativë elegante lëkure, zhvilluar nga kompania daneze Kvadrat. Do të shohim të tjera zhvillime.
Konfigurimi R-Dynamic përfshin çati të zezë dhe parakolp specifik me kolektorë ajri të zgjeruar. Fenerët, full LED edhe në versionin klasik HSE, kanë një skemë komplekse, mbyllur në një spesor të hollë. Kofano është i veshur, ndërsa lidhja midis grilës dhe fenerëve është e njëtrajtshme
E LINDUR mbi arkitekturën e aluminit të Jaguar F-Pace.
■ E gjatë 4.80 metra, e gjerë 2 dhe e lartë dhe 1.66, ka një hap prej 287 cm.
■ Motori 4-cilindër Ingenium me benzinë (250 dhe 300 kf) dhe me naftë (180 dhe 240 kf), si dhe ai V6 me naftë (300) dhe me benzinë (380),
kombinohet me kambion automatike me tetë marshe.
■ Çmimi: duke filluar nga 58.800 €
Pjesa e brendshme me pëlhurë, alternativa lëkurë vetëm për më të mirat e gamës. Në të djathtë, ekran i dytë me prekje, më i ulët dhe për këtë arsye lehtësisht i arritshëm, lejon rregullimin e klimatizatorit, mënyrës së drejtimit si dhe funksione të tjera. Në timon, dy touchpad që lejojnë konfigurimin e tasteve virtualë, në bazë të nevojave
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.