Rregullat “e kota” të cilat nervozojnë çdo punonjës

17/03/2017 10:28 AM 0 komente

Kompanitë nuk mund të funksionojnë kurrsesi pa rregulla, por ka nga ato kompani të cilat e teprojnë disi në këtë drejtim, duke vendosur në vazhdimësi rregulla të reja, një pjesë e të cilave mund të shmangeshin duke mos shkaktuar në këtë mënyrë edhe irritimin e punonjësve.

Kur kompanitë vendosin rregulla qesharake dhe demoralizuese për të mbajtur nën kontroll sjelljen e disa individëve të caktuar, një gjë e tillë është pastaj kryesisht një problem në procesin menaxhues. Sepse nuk ka asnjë arsye që për faj të disa individëve të caktuar, të përfshihet e gjithë kompania. Kjo gjë, vetëm sa do të krijonte edhe më shumë probleme seç mund të ekzistonin.

Ja cilat janë disa prej tyre:

Duhet të vini në orar por të mos largoheni në orar

Punonjësit në vende të ndryshme të botës paguhen në bazë të orëve të punës. Në shumë vende, orari i punës është 08:00 me 16:00. Ora 08:00 është e shenjtë dhe duhet respektuar gjithmonë, ndërsa me orarin e largimit nuk ndodh e njëjta gjë. Ata punonjës që largohen në orar nuk shikohen me të njëjtin sy që shikohen punonjësit të cilët rrinë edhe përtej këtij orari. Ata që rrinë përtej orarit zyrtar të punës shikohen si punonjës që kanë më shumë interes për punën dhe që i përkushtohen asaj më shumë në krahasim me ata të cilët me zor presin që të shkojë ora për t’u larguar. Edhe pse jo i shkruar, një rregull i tillë ekziston në pjesën më të madhe të kompanive, por është pikërisht ky, një prej atyre rregullave që irriton një pjesë të madhe punonjësish.

Kufizime në përdorimin e internetit

Mund të ketë nga ata punonjës që edhe pa pasur fare internet në zyrë mund të vonojnë dorëzimin e një pune në afatin e caktuar. Ndërsa ekziston edhe ajo anë tjetër e punonjësve, tek të cilët interneti ndikon pozitivisht dhe i ndihmon ata për të përfunduar një punë sa më shpejt të jetë e mundur. Sipas studimeve të fundit të një universiteti amerikan, ka rezultuar se stresi që u krijohet punonjësve si pasojë e kufizimeve për të përdorur rrjete të ndryshme sociale në punë, ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë mbi rendimentin e tyre. Është me mirë që ata t’i shohin ato dhe më pas të vazhdojnë punë të qetë, shprehet një prej profesorëve të këtij studimi. Kontrolli apo rregullat kufizuese mund të merren ndaj atyre personave që vihet re se e teprojnë.

Ndalimi i përdorimit të telefonit

Edhe këtu si në rastin e mësipërm mendohet se ndalimi i përdorimit të telefonit celular në punë do të ndikojë që punonjësit të mos harxhojnë kohën e tyre duke u marrë me biseda me familjarët e tyre por të përqendrohen vetën tek puna. Është e vërtetë që ka nga ata punonjës që shpenzojnë një pjesë të mirë të orëve të punës duke folur në telefon më të afërmit e tyre, por ka edhe nga ata që e përdorin atë vetëm në kohën e lirë, prandaj këshillohet që më mirë të lejohet përdorimi i telefonit dhe të merren masa vetëm ndaj atyre që abuzojnë.

Kontrollim i çdo email-i

Kjo është një prej rregullave që irriton pothuajse të gjithë punonjësit, sepse është në një formë privim i së drejtës së tyre për të punuar të pavarur. Edhe pse bën pjesë në grupin e rregullave që janë vendosur së fundmi, kjo formë kontrolli po përhapet dhe po përqafohet nga shumë kompani. Kjo gjë bëhet kryesisht për mungesë besimi ndaj punonjësve, por nëse ju nuk u besoni punonjësve tuaj edhe për të dërguar një e-mail, lind pyetja, përse i morët në punë?

Krijimi i një ambienti pune josocial

Krijimi i një ambienti punë josocial është një prej taktikave të përdorura në shumë kompani. Kjo gjë bëhet sepse mendohet se punonjësit do të jenë të përqendruar vetëm në punën e tyre dhe nuk do të merren me çështje të tjera që nuk janë pjesë e saj. Por një gjë e tillë mund të japë efektet e kundërta, sepse ambienti që do të krijohet do të jetë shumë i zymtë dhe mbi të gjitha do të shkaktojë stres, gjë kjo që do të ndikojë drejtpërdrejt në uljen e rendimentit të punonjësve.

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz