Të gjithë subjektet të cilët janë evidentuar nga Sistemi i Menaxhimit të Riskut si subjekte me rrezik, brenda muajit dhjetor, do të njoftohen elektronikisht për të bërë në mënyrë vullnetare korrigjimet përkatëse. Vetëm pas përfundimit të kësaj faze dhe afateve për vetëkorrigjim, administrata tatimore do të vijojë me kontrollet më të thelluara në subjekte.
Tatimet kanë filluar takimet informuese me përfaqësues të sektorëve, të cilët kanë rezultuar nga sistemi i menaxhimit të riskut që kanë nivel të lartë evazioni.
Nga analiza ka rezultuar se sektorët më të ekspozuar ndaj rrezikut janë: tregtia, profesionet e lira, hoteleria, ndërtimi dhe agrikultura.
Në një intervistë të posaçme për Monitor, Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Vasilika Vjero, shpjegon strategjinë e re që po zbatohet kundër informalitetit e cila nuk është më agresive, por i jep mundësi biznesit të vetëkorrigjohet paraprakisht. Ky vetëkorrigjim është parashikuar në ndryshimet e fundit të ligjit për procedurat tatimore
Flet Vasilika Vjero, drejtore e përgjithshme e Tatimeve
Kontrolli synon tatimpaguesit me rrezik të lartë në sektorët e përzgjedhur, të cilët refuzojnë të bashkëpunojnë me projekte të pajtueshmërisë; kjo pikërisht për ata tatimpagues që “nuk reflektojnë” gjatë afatit të caktuar, ata do të kalojnë, për verifikim, monitorim, vizitë fiskale tematike si p.sh. inventar apo kontroll të thelluar sipas specifikave të problematikave që paraqesin, si dhe do të paguajnë tatimin e plotë, shoqëruar me penalitetet sipas ligjit në fuqi.
Pas afatit të lënë për vetëkorrigjim, administrata do të monitorojë dhe do të verifikojë saktësinë dhe besueshmërinë e deklaratave të ndryshuara, gjithashtu edhe subjektet të cilat nuk i janë përgjigjur kësaj ftese për vetëkorrigjim.
Cilët janë sektorët që kanë rezultuar me riskun më të lartë nga analiza e kryer nga ana juaj?
Administrata tatimore ka shqyrtuar me kujdes të gjithë sektorët ekonomikë në vitet e fundit. Duke e bërë këtë, kemi pasur mundësinë të identifikojmë forma të ndryshme të përqendrimit të shmangieve tatimore, për industri apo sektorë të ndryshëm.
Sugjerimet janë që të evidentohet dhe vlerësohet humbja e mundshme potenciale që mund të krijohet nga boshllëku i këtyre shmangieve, që mund ta kenë origjinën nga niveli i ulët i pajtueshmërisë, jo thjesht për disa tatimpagues, por për të gjithë bazën (sipas sektorëve), dhe kjo duke pasur në konsideratë qasjen e renditjes nga ata më të rrezikuarit tek ata me më rrezik. Sektorët e konsideruar si më me rrezik për sa i takon sjelljes në lidhje me pajtueshmërinë vullnetare në kuadrin fiskal janë gjeneruar nga sistemi informatik i menaxhimit të riskut dhe i referohet të dhënave që merren dhe përpunohen prej deklarimeve vullnetare nga sistemi informatik C@TS, për periudhën shtator 2015 – gusht 2016.
Analiza e përgjithshme mbi shpërndarjen e riskut në rajonet tatimore dhe në sektorët ekonomikë prioritarë hartohet duke u mbështetur në rezultatet e gjeneruara nga kriteret e riskut, për numrin e tyre të thyer, si dhe tatimin e rrezikuar të llogaritur nga të gjitha kriteret, për secilin tatimpagues ku për gjenerimin e rezultateve:
■ Janë përdorur 33 kritere:
o ku 14 i referohen TVSH-së,
o 13 TF, 2 Pagave/kontributeve,
o dhe 4 për të tjera.
Sa i takon pajtueshmërisë vullnetare në kuadrin fiskal, ku ka kanë rezultuar sektorët me më shumë rrezik potencial, sipas pjesës që zënë në pikët e rregullave të thyera, në sistemin informatik të menaxhimit të riskut janë:
1. Tregtia me shumicë
2. Tregtia me pakicë
3. Profesionet e lira
4. Hotelet dhe restorantet
5. Ndërtimet publike
6. Agrikultura (grumbulluesit)
Është e dukshme se në rang kombëtar kanë dominuar tregtia me pakicë dhe tregtia me shumicë, që ndiqen nga sektori i hotelerisë dhe restoranteve, profesioneve të lira, etj.
Ne besojmë se mënyra më e mirë për të administruar sistemin tatimor është promovimi i qasjes vullnetare, por siç e dimë, ai është kompleks dhe thjeshtimi i procedurave apo rritja e efektivitetit kërkon kohë dhe angazhim nga të dyja palët, si nga administrata, ashtu edhe komuniteti i biznesit. Ne shpresojmë të gjejmë mirëkuptimin e bizneseve që do të jenë pjesë e këtij procesi evidentimi, verifikimi, monitorimi, kontrolli, me qëllim garantimin e konkurrencës së drejtë qoftë për bizneset, por edhe për sigurimin e mbledhjes dhe administrimit sa më saktë dhe në mënyrë efektive të të ardhurave tatimore nga individët e deri te kompanitë; duke besuar në një proces që vetëm sa evoluon dhe përmirësohet duke shkëmbyer edhe eksperiencat dhe njohuritë që do të rrisin komunikimin dhe përmirësojnë klimën shtet/tatimpagues duke e parë dhe duke konsideruar njeri-tjetrin si partnerë të barabartë për një shoqëri të qytetëruar.
Në mënyrë tipike, Projekt i Pajtueshmërisë ose i trajtimit të sektorëve me risk konsiston në:
– Analizë për të parë se kush nga taksapaguesit më të rrezikuar janë në secilin grup të riskut.
– Takime me biznesin, veçanërisht për pjesën që ka më shumë ekspozim ndaj rreziqeve potenciale fiskale, me qëllim:
– Informimin e çdo biznesi në sektor që rreziqet e veçanta janë identifikuar.
– Marrja në konsideratë e reagimeve dhe sqarimeve që mund të japin bizneset lidhur me situatat e reflektuara nga sistemi informatik i menaxhimit të riskut.
– Evidentimin e mangësive potenciale që mund të ketë me raste vetë sistemi informatik dhe marrja në konsideratë e sugjerimeve nga biznesi sipas natyrës së aktiviteti që ata ushtrojnë dhe llojeve të tatimeve për të cilët ata deklarojnë, në varësi të përgjegjësive tatimore që kanë të regjistruara.
– Dialogun, me qëllim gjetjen e rrugëve më të mira ligjore, të drejta dhe etike për.
Zbutjen e hendekut të riskut kundrejt pajtueshmërisë vullnetare në kontekstin e kuadrit fiskal.
– Mundësinë që çdo biznes në sektor të shqyrtojë pagesat e taksave dhe të korrigjojë ndonjë gabim para një date të caktuar duke përdorur njëkohësisht kanalet e informimit për të dhënë mesazhin.
– Lënia e një afati vetëkorrigjimi për ato fusha me risk potencial, duke pasur konsensusin dhe mirëkuptimin midis tatimpaguesve dhe administratës.
Koha mund të variojë:
– në varësi të fushës së konsideruar me risk
– nivelit të riskut
– llojeve të tatimeve që preken
– ndikimi ekonomik dhe social
– shpërndarjes së riskut sipas rajoneve
– vlerave të riskuara, etj.
– Nëse është e mundur, duke u ofruar tatimpaguesve të cilët janë të përgatitur për të korrigjuar ndonjë gabim të deklaratave një nxitje në formën e reduktimit të interesit, apo marrëveshje të pagesave të vonuara me këste, etj.
Gjatë muajit dhjetor, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve organizoi një takim me karakter analitik e informues me një përfaqësi të shoqatave përfaqësuese të biznesit, Urdhrit të Mjekut, Shoqatës së Dentistëve Shqiptarë e disa përfaqësuesve të subjekteve privatë, të cilët ofrojnë shërbime mjekësore në vendin tonë.
Çfarë ndodh nëse këto kompani nuk vetëkorrigjohen?
Sistemi informatik ofron trajtimin e një volumi të jashtëzakonshëm të dhënash (që për arsye kohe do ishin të pamundura të trajtoheshin nga individi në mënyrë manuale), si një aset për administratën dhe një ndihmë për inspektorin, duke evidentuar rastet me probabilitet të lartë me risk dhe duke kursyer kohën e kontrolleve rastësore mbështetur vetëm mbi informacione.
Në këtë mënyrë, siguron edhe shmangien e paragjykimit në përzgjedhjen e subjekteve për kontroll. Me kohën, me përmirësime të vazhdueshme mundëson sigurimin e raporteve dhe evidencave që mund të merren për bazë edhe për përmirësime ligjore apo implementim të politikave alternative fiskale, në të mirë të zhvillimit të vazhdueshëm makroekonomik.
Për të monitoruar këto rreziqe, me qëllim parandalimin, apo minimizimin e dëmeve potenciale kundrejt pajtueshmërisë vullnetare, është i nevojshëm kontrolli, i cili është funksion shumë i rëndësishëm i Administratës. Roli i tij po ndryshon së fundmi në gjithë vendet europiane. Ky ndryshim bazohet më shumë në menaxhimin e pajtueshmërisë tatimore përmes një game të gjerë të mjeteve të përdorura, mes të cilave edukimi, konsultimi me përfaqësues të biznesit.
Administrimi elektronik i taksave dhe cilësia e shërbimit janë pjesë e mjeteve të menaxhimit të pajtueshmërisë.
Kontrolli synon tatimpaguesit me rrezik të lartë në sektorët e përzgjedhur, të cilët refuzojnë të bashkëpunojnë me projekte të pajtueshmërisë; kjo pikërisht për ata tatimpagues që “nuk reflektojnë” gjatë afatit të caktuar ata do të kalojnë, për verifikim, monitorim, vizitë fiskale tematike si p.sh. inventar apo kontroll të thelluar sipas specifikave të problematikave që paraqesin, si dhe do të paguajnë tatimin e plotë, shoqëruar me penalitetet sipas ligjit në fuqi.
Pas afatit të lënë për vetëkorrigjim, administrata do të monitorojë dhe do të verifikojë saktësinë dhe besueshmërinë e deklaratave të ndryshuara, gjithashtu edhe subjektet të cilat nuk i janë përgjigjur kësaj ftese për vetëkorrigjim.
Pas këtij procesi, do të përzgjidhen për t’u verifikuar apo për t’u kontrolluar subjektet me më shumë risk.
Disa mënyra të kontrollit dhe verifikimit që do të ndërmerren pas afatit për vetëkorrigjim nga administrata tatimore janë:
Verifikim i menjëhershëm, i cili përfshin:
– Regjistrimin në organet tatimore dhe licenca
– Deklarimin e të punësuarve në sistemin tatimor
– Instalimin dhe përdorimin e pajisjes fiskale (disponimi i dëftesave tatimore)
– Deklarimi i çmimeve
– Akti i pronësisë ose kontrata e qirasë për ambientin ku ushtrohet aktiviteti
Monitorimi i xhiros
Administrata Tatimore kryen:
– Monitorim xhiro të aktivitetit tregtar
– Vlerësim të kostove të aktivitetit
Xhiroja e shitjeve monitorohet nga grupi i kontrollit në ditë dhe orare të ndryshme, si dhe duke marrë në konsideratë edhe kostot e funksionimit.
– Mbi bazën e të cilave do përcaktohet/ saktësohet edhe ndryshimi ose jo i përgjegjësive tatimore.
Kontroll i plotë
Në rastet kur transaksionet e regjistruara, deklaratat, dokumentacioni i ofruar nga tatimpaguesi, apo pretendimet e tij, nuk janë bindëse për administratën tatimore, sa i përket vërtetësisë dhe saktësisë së tyre, mund të kalohet në një kontroll të plotë.
Periudha e kontrollit zakonisht mund t’i referohet pesë viteve ushtrimore/kalendarike paraardhëse, si dhe periudhës nga fillimi i vitit kalendarik aktual, deri në momentin e ushtrimit të kontrollit.
Një kontroll i aktiviteteve të biznesit mund të përfshijë disa fusha kryesore, të tilla si:
1. Të ardhurat: Verifikim i saktësisë së çmimeve të shitjes, shumave të raportuara, si janë klasifikuar dhe dokumentuar, deklaruar, etj.
2. Blerjet: Verifikim i saktësisë së çmimeve të blerjes, shumave të raportuara, si janë klasifikuar, sa justifikues janë dokumentet e tatimpaguesit në përputhje me udhëzimet e ministrit të Financave, në zbatim të legjislacionit tatimor, si dhe në përputhje me aktivitetin.
3. Kontributet: Verifikim i punonjësve të siguruar, saktësisë së deklarimit të pagave, shumave të raportuara, llogaritjes dhe derdhjes në kohë të kontributeve, etj.
Cila ishte arsyeja që analiza filloi me sektorin privat mjekësor? Çfarë veçantish shfaqi ky sektor për t’u përzgjedhur?
U përzgjodh si projekt i parë në funksion të pajtueshmërisë vullnetare, për ketë periudhë, me qëllim dhënien e rëndësisë së duhur këtij sektori, i cili paraqitet shumë problematik për nga nëndeklarimi.
Theksojmë se edhe në analizën e përgjithshme e sektorëve me rrezik, një pjesë e tyre ishin nga profesionet e lira.
Kemi të bëjmë pra me një fushë tepër të ndjeshme, jo vetëm nga pikëpamja fiskale, për efekt risku që paraqisnin nga nëndeklarimi, por edhe nga ana specifike për llojet e shërbimeve me të cilat qytetarët ballafaqohen çdo ditë dhe ku rrallë shikojnë t’u pritet kupon i rregullt tatimor apo faturë për pagesat që ata bëjnë, për shërbimin që marrin nga mjeku, dentisti, laboranti, etj.
Gjithashtu shikohet edhe si testim në kuadër të një projekti pilot, për pajtueshmërinë vullnetare për të parë reagimin dhe reflektimin e këtyre tatimpaguesve.
Detyrimet kryesore që thyejnë subjektet e kësaj fashe janë:
1. Mosdeklarim i blerjeve
2. Marzh i ulët i fitimit
3. Humbje e vazhdueshme e Tatimit mbi Fitimin
4. Nëndeklarim të pagave krahasuar me pagën mesatare për profesion dhe sektor
5. Rritje e borxhit për të gjitha llojet e tatimeve
6. Pagesa dhe deklarime të vonuara
P.sh.: Vetëm nga analiza e shpenzimeve bazë dhe të domosdoshme që kryen një biznes, (për paga dhe kontribute, qira, ujë dhe energji elektrike, etj.) dhe të ardhurave të deklaruara për mbulimin e këtyre shpenzimeve rezulton se një subjekt i regjistruar me përgjegjësinë tatimore person fizik i Biznesit të Vogël me TVSH, në sektorin e Shërbimeve Mjekësore, do të realizonte mesatarisht një fitim prej 184,470 lekësh në vit ose rreth 15,373 lekë në muaj.
Por, kjo shifër është e tejet e ulët dhe e papranueshme. Kjo situatë tregon qartas fenomenin e nëndeklarimit të të ardhurave tatimore të kësaj fashe tatimpaguesish.
Referuar analizës së zhvilluar kanë rezultuar problematika të tilla për të cilat bëhen të qarta problematikat si më poshtë:
– Nëndeklarimi i punonjësve: 71% e tyre kanë nga 1-2 të punësuar.
– Nëndeklarimi i pagave: 33% e të punësuarve në këtë sektor deklarohen me paga mesatare nën 25,000 lekë në muaj.
– Nëndeklarimi i fitimit
– Moslëshimi i kuponëve tatimorë: numri mesatar i kuponëve të lëshuar është 2.5 në ditë dhe vlera mesatare e kuponit prej 1,500 lekësh.
Objektivi kryesor i këtij projekti sektorial është të vendosë tregues të performancës së tatimpaguesve të cilët me përgjegjësinë dhe informimin e duhur korrigjojnë vullnetarisht deklarimet e tyre.
Për këtë arsye, çdo tatimpaguesi, që është pjesë e këtij sektori, i ofrohet mundësia që të marrë në konsideratë bashkëpunimin korrekt reciprok me administratën tatimore, dhe aty ku vetë e shikon të arsyeshme, të vetëkorrigjohen, duke qenë në union me pajtueshmërinë vullnetare, sa i takon kuadrit fiskal, duke deklaruar në kohë reale, transaksionet “de juro”, ashtu si ndodhin në numër dhe në vlerë, “de facto”.
Nga sektori i shërbimeve mjekësorë pritet:
– Ulje e riskut të regjistrimit:
– Ulje e numrit të subjekteve që ushtrojnë aktivitet pa u regjistruar.
– Tatimpagues të regjistruar me kode të sakta.
– Tatimpagues të regjistruar për lloje të ndryshme tatimi sipas natyrës së aktivitetit që ato kanë.
– Ulje e riskut të deklarimit
– Tatimpagues që deklarojnë në kohë, dhe në mënyrë të saktë
– Ulje e riskut të nëndeklarimit
– Rritje e numrit të tatimpaguesve që deklarojnë saktë dhe në mënyrë korrekte transaksionet sa i përket të ardhurave/numrit të punonjësve, pagave për punonjës etj.
– Ulje e riskut të pagesës
– Ulje e numrit të tatimpagues me detyrime të prapambetura për detyrime korrente apo të hershme.
Një kompani brenda një sektori mund të ketë performancë më të ulët se të tjerat dhe për arsye që nuk kanë lidhje me informalitetin, si p.sh. menaxhim i dobët apo probleme të tjera të brendshme. Si shmanget abuzimi në këto raste?
Mundet që kompanitë të evidentohen si me rrezik potencial nga sistemi informatik, për shkak të thyerjes së kritereve që reflektojnë rrezik probabilitar, por jo domosdoshmërisht të gjithë këta tatimpagues kanë prirje për evazion. Ata mund të kenë performancë të ulët, e cila reflektohet edhe në kriteret e riskut që thyejnë për shkak të keqmenaxhimit të brendshëm, paaftësisë paguese në kohë, e cila buron prej mungesës së likuiditeteve, kjo ndoshta për shkak të klientëve jo të rregullt me të cilët kanë marrëdhënie tregtare, etj.
Menaxhimi i riskut, përpiqet t’i edukojë këta tatimpagues, si nëpërmjet takimeve informuese apo seminareve, ashtu edhe nëpërmjet publikimit të kritereve potenciale që përbëjnë, risk, e cila gjendet në linkun:
http://www.tatime.gov.al/sq al/Media/Publikime/Documents/Kriteret%20e%20Riskut.pdf
Duke u bërë të ditura ato raste që mund të kapen nga sistemi, bizneseve iu jepet mundësia ta bëjnë trajtimin para se të kalohet për në kontroll nga administrata tatimore.
Është në mundësinë e administratës tatimore, të bëjë, të planifikojë takime dhe konsulenca për këta tatimpagues, që në të ardhmen të mos jenë të ekspozuar, si dhe të kenë një rritje kundrejt pajtueshmërisë vullnetare.
Si shpjegohet që të ardhurat nga TVSH-ja kanë rezultuar me një mosrealizim të dukshëm ndaj planit për 10-mujorin, ndërkohë që tatimi mbi fitimin ka tejkalim plani (perceptimi është sikur biznesi po shet më pak dhe po fiton më shumë).
Është e vërtetë se duke u bazuar në përqindjen e realizimit të planit të të ardhurave për 10-mujorin rezulton se: ndërsa plani i të ardhurave nga Tatimi mbi Fitimin është realizuar në masën 121%, ai i të ardhurave nga TVSH-ja 92%. Por, për të analizuar nëse këto të dhëna shkojnë paralel duhet gjykuar mbi tërësinë e faktorëve të mundshëm.
Së pari, nëse do të shikonim rritjen në krahasim me vitin e kaluar do të shohim se rritja është e krahasueshme. Në rastin e TVSH, të ardhurat në krahasim me 10-mujorin e vitit të kaluar janë rritur me 11.3%, ndërsa për tatimin mbi fitimin me 22%.
Së dyti, në këtë krahasim duhet mbajtur parasysh edhe niveli i rimbursimeve të dhëna për TVSH-në. Për 10-mujorin e këtij viti janë dhënë rreth 7.9 miliardë lekë rimbursime TVSH, ndërkohë që në 10-mujorin e vitit të kaluar 6.5 miliardë lekë, pra 1.4 miliardë lekë më shumë. Së treti, të ardhurat e siguruara nga mbledhja e borxheve të papaguara.
Gjatë vitit 2016, vetëm nga një kompani e vetme e madhe janë mbledhur shuma të konsiderueshme borxhesh të prapambetura (rreth 1 miliard lekë nga Bankers).
Cila është rruga që do të ndiqet me gjobat e vendosura nga sistemi për deklarimin e të vetëpunësuarve, për të cilat u premtua që do të hiqeshin?
Ministria e Financave është duke punuar për draftimin e një projektligji për fshirjen e një pjese të detyrimeve të prapambetura. Në këtë kuadër, parashikohet që të bëhet edhe fshirja e gjobave për personat e vetëpunësuar të cilët nuk kanë bërë në afatin e caktuar deklaratën e tyre.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.