Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Sokol Dervishaj, ka pritur në një takim Ambasadoren e Kroacisë, Sonja Bujas Juraga.
Ministri Dervishaj dhe Ambasadorja Juraga, theksuan se marrëdhëniet politike mes dy shteteve janë të shkëlqyera, por duhet bërë më shumë në forcimin e raporteve ekonomike dhe në transport.
Ambasadorja Juraga tha se shumë shpejt Shqipërinë do ta vizitojnë përfaqësues të Portit të Rijekës, për të diskutuar nga afër me palën shqiptare për fillimin e një linje direkte trageti, Durrës-Rijeka.
Ministri Dervishaj deklaroi se një nga synimet e tij, është zhvillimi i transportit detar, që ka potencial shumë të madh, por ende të pashfrytëzuar.
Ambasadorja Juraga tha se ka interes në rritje nga pala kroate për vendosjen e një linje direkte fluturimi Zagreb-Tiranë.
Zoti Dervishaj tha se Ministria e Transportit është e angazhuar maksimalisht për të krijuar lehtësitë e nevojshme për të bërë të mundur vendosjen e një linje direkte trageti dhe ajrore mes dy vendeve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.