Turizmi aktiv në fundjavë është kthyer në një tendencë në Shqipëri. Ngjitjet, ecjet në natyrë dhe barbekjutë janë aktivitetet kryesore. Rrethinat e Tiranës, si dhe Shqipëria Verilindore janë bërë pjesë e njerëzve që e pëlqejnë këtë lloj turizmi. Operatorët vendas që organizojnë ture tregojnë për qëndrueshmëri dhe rritje interesi për këto aktivitete nga shqiptarët.
Ndonëse janë të lidhur ngushtë me kushtet atmosferike, turizmi i aventurës po sheh një shtrirje gjatë gjithë vitit, me turizmin e bardhë në dimër, hiking, rafting, ecje në pranverë e vjeshtë, si dhe eksplorimin e gjireve, shpellave apo destinacioneve të tjera interesante në ditët e nxehta. Shqiptarëve po u ndryshon mendësia e të pushuarit dhe Shqipëria u ofron aq shumë alternativa aventure…
Nga Deada Hyka
Nuk është e vështirë të imagjinohet profesor Aleksandër Bojaxhi, në vitin 1962, një i ri student që fillon rrugën e alpinizmit, pasioni për të cilin nuk i është shuar kurrë, edhe pse në të 70-at. Tashmë, si një profesionist dhe kryetar i Shoqatës Shqiptare të Alpinizmit, tregon për “Monitor” se çfarë e lidh një profesor matematike me pasionin e alpinizmit: përllogaritja e saktë. Sipas tij, alpinizmi kërkon përgatitje dhe përllogaritje.
“Në moshën që jam tani mund të bëj vetëm hiking, apo bjeshkim.
Alpinizmin aktiv e kam lënë pas me kohën, megjithatë angazhimi im në shoqatë më ka bërë që të mos shkëputem”. Emigracioni në SHBA e largoi disi nga ky sport, të cilin profesori nuk pëlqen ta quajë aventurë, për t’iu kthyer sërish në fillim të viteve 2000. Profesor Bojaxhi gjykon se vitet e fundit, në syrin e tij, interesi i shqiptarëve për aktivitete në natyrë po rritet gjithnjë e më shumë.
Operatorët që organizojnë ture në vendin tonë, sa i përket kësaj forme aktive turizmi, konfirmojnë këtë fakt: shqiptarët po përqafojnë gjithnjë aktivitetet e kësaj forme.
Ismail Hoxha, drejtues i “Discover Albania”, thotë se tregu në vetvete ka pasur rritje, çka do të thotë se njerëzit kanë filluar që ta duam më tepër turizmin, të duan më tepër Shqipërinë. “Ndryshe nga më parë që, edhe n.q.s. konceptohej çështja e fenomenit turizëm, lidhej me turizëm jashtë kufijve dhe jo të udhëtoje në Shqipërinë tonë të bukur. Nga ana tjetër, një faktor që ka ndikuar vitet e fundit tek ne është dhe pjesa e ‘incoming’. Duke qenë se dy-tre vitet e fundit jemi bërë pjesë e panaireve dhe aktiviteteve të ndryshme për promovimin e Shqipërisë, edhe ne si ‘Discover Albania’ po nis të na kthehet feedback-u i panaireve dhe këtyre takimeve”, – shprehet ai.
Neritan Ibi, guida profesionale e “My Albania Nature Explorers”, tregon se ndër vite, ecuria ka qenë e mirë dhe ky lloj turizmi po bëhet i qëndrueshëm.
“Kërkesa është rritur vit pas viti. Tani ka më tepër qëndrueshmëri, më pak lëkundje. Është sezonale sigurisht dhe lidhet ngushtë, me financat e njerëzve, sikurse edhe me motin. Ne bëjmë edhe pjesën e maleve, edhe të detit, që do të thotë se na zgjedhin edhe në verën e nxehtë. Për shembull, në turet nga Jugu: Dhërmi, Vlorë, Sarandë, vizitojmë gjiret e paeksploruara, që nuk arrihen lehtë individualisht. Parapëlqehen shumë: Gjiri i Grahmës, shpella e Dafinës, e Shën Andreas, shpella Blu, Shpella e Piratëve, ajo e Haxhi Alisë, Gjiri i Gjipesë, Jali, Akuariumi, Karaburuni etj.
Për të tilla ture, në verë, fillojmë nga qershori e deri në mes shtatori zakonisht. Në dimër pastaj është turizmi i bardhë, ecje në vendet me dëborë, me ski, në pjesën e Dardhës kryesisht. Vërtet nuk krahasohemi me rajonin për çështjen e infrastrukturës, si p.sh., Kolashini, Mavrova, Brezovica, por destinacioni brenda vendit është i aksesueshëm më shpejt dhe është për fillestarët më tepër, duke marrë në konsideratë që në Shqipëri skijimi nuk është kulturë. Sa i përket ngjitjes dhe hiking, nuk mund të them se bëhet në të gjithë malet. Ka edhe ngjitje të vështira dhe kur ka borë bëhet e pamundur, ka rrezikshmëri të lartë, por gjejmë alternativa të kënaqshme. P.sh., Korab, Tomorr, Jezercë. Ka shumë interes edhe për këtë lloj aktiviteti”, – thotë ai.
Udhëtim me porosi
Trendi i ri: ture “Tailor-made”. Nga “Outdoors Albania” tregojnë se po pëlqehen gjithnjë e më shumë turet “tailor-made”, të krijuara nga vetë të interesuarit, sa u përket datave, destinacioneve, itinerarit etj. Kjo vjen si kërkesë kryesisht e personave të zënë me punë dhe që nuk angazhohen dot në të tilla aktivitete sipas axhendës së tur-operatorëve.
Problemet
Turizmi i aventurës ndikohet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga moti. Neritan Ibi nga “My Albania Nature Explorers”, thotë se ky fillim viti nuk ka qenë shumë i favorshëm sa u përket kushteve atmosferike, duke marrë në konsideratë se marsi ka qenë më i lagështi ndër vitet e fundit. Kjo i ka penguar në kryerjen e itinerareve të paketave të menduara më parë dhe ka frenuar interesin e shqiptarëve. Një tjetër problem, sipas tij, është rritja e kostove për lajmërimet e paketave. “Ne punojmë shumë me rrjetet sociale, në Facebook dhe Instagram. Por, kemi vënë re se në Facebook ka rënë shumë shikueshmëria. Njoftimet bëhen përmes artikujve të sponsorizuar, për të cilët kemi kosto, që arrijnë deri në 300 dollarë në javë. Deri diku është e pashmangshme sepse rritet aktiviteti, si edhe pagesat”, – thotë ai.
Nga ana tjetër, kur flasim për pushime, kjo vjen pas edhe me një faturë. Kostot e përballimit të udhëtimeve të tilla janë relative për njerëz të ndryshëm, ndonëse nuk mungon interesi. Profesor Bojaxhiu pohon se të rinjtë shqiptarë mund të kenë interes më tepër se sa marrin pjesë në të tilla organizime, kjo për arsye ekonomike. “Pajisjet e alpinizmit, në rastin konkret kushtojnë, po ashtu edhe veshja për të tilla aktivitete, këpucët etj. Kjo mendoj se i pengon që të merren me sporte të tilla”.
Ismail Hoxha thotë se problem në këndvështrimin e tij është mungesa e transparencës nga operatorët në ofrimin e paketave të plota.
“Mendoj se duhet të tregohemi më të kujdesshëm që t’i shprehim më mirë e më qartë këto destinacione që bëjmë. Në njëfarë mënyre të mos bëjmë me ‘hile’, duke promovuar gjëra që nuk janë vërtet për t’u promovuar e të bëjmë paketa të plota për turistët. Është e rëndësishme që kur hartojmë një paketë të mos fokusohemi tek fakti që turisti ta blejë këtë paketë, por të kujdesemi më shumë që turisti kur të vijë atje dhe të kënaqet. Ky duhet të jetë fokusi edhe i kompanive të tjera për të pasur një shërbim sa më të mirë”, – shprehet z. Hoxha.
Ai përmend konkretisht se është një lloj kategorie udhëtimi që zhvillohet në treg, që janë udhëtimet njëditore për në Kolashin dhe Mavrovë me autobus. “Sigurisht kompanitë që e zhvillojnë janë korrekte sepse u thonë se çfarë përfshihet, sa udhëtohet dhe shoh që kërkesa është shumë e madhe, por për çfarë… për një udhëtim që është 12 orë në autobus edhe 4 orë për të qëndruar në destinacion. Kjo sigurisht më duket një zgjedhje e gabuar e turistit. Duhet një rakordim midis të dyjave, ku kompanitë të jenë pak më serioze në oferta dhe turistët të jenë më përzgjedhës”, – përfundon ai.
Fundjava aktive
Ka filluar të ndryshojë koncepti i turizmit në Shqipëri. Më parë kur mendoje për pushimet, ato lidheshin drejtpërdrejt me detin. Tani ka filluar të pëlqehet masivisht Veriu si destinacion, jo vetëm për një fundjavë por edhe më gjatë
Një tjetër lloj turizmi (veç ngjitjes dhe ecjes) që po tërheq vëmendje është edhe ecja me biçikletë. Armand Jegeni nga “Cycle Albania”, thotë se kjo është një periudhë e ngarkuar për tur-operatorët, të cilët ofrojnë këto lloj shërbimesh. Turet që ofrohen janë 8-15-ditore dhe çmimet variojnë nga 950 në 1,650 euro për person, me shërbim “all inclusive”. Ai shprehet se të huajt po kërkojnë të eksplorojnë Shqipërinë përmes tureve me biçikleta, më shumë se sa vetë shqiptarët.
Drejtori i “Discover Albania” thotë se Jugu kryeson ndër destinacionet që pëlqehen më tepër dhe kjo është vënë re edhe nga zgjedhjet e klientëve. “Prej më shumë se 5 vjetësh realizojmë turin e Jugut ku vizitojmë të gjithë Karaburunin, pjesën e brendshme dhe të jashtme, Vlorën, Dhërmiun e duke përfunduar me Sarandën, Krorëz, Kakomenë dhe Ksamilin. Këto destinacione pëlqehen shumë dhe kërkesa është në rritje. Nga ana tjetër nuk mund të lë pa përmendur pjesën e Veriut, Valbonën dhe Thethin, që janë dy pikat kryesore që vizitohen më së shumti nga shqiptarët dhe të huajt, të cilët kalojnë kohë të konsiderueshme atje.
Pjesa veriore ka edhe një të mirë tjetër, aty sezoni i turizmit nis pak më herët. Sivjet në Valbonë e filluam që në periudhën e dimrit, e cila është një risi në vetvete, normalisht jo kaq masivisht sa në periudhën e pranverës dhe verës, por tregon që janë destinacione që po zhvillohen, dhe mbi të gjitha që njerëzit synojnë të qëndrojnë më gjatë. Ka kaluar momenti që njerëzit thjesht duan ta shohin, por tashmë duan edhe ta shijojnë. Kjo është ajo që duhet për turizmit”, – tregon z. Hoxha.
Në vijim, ai thotë se edhe Juglindja me Pogradecin, Korçën, Ersekën, Leskovikun krijojnë një territor turistik të ndryshëm dhe që gjatë dimrit janë pikërisht këto destinacione që mbajnë turistët në Shqipëri.
Ndryshon fundjava
Më parë, fundjava e një pjese të mirë të njerëzve që jetojnë në kryeqytet mendohej ose një drekë në Durrës ose disa orë nga Liqeni i Tiranës. Tashmë, koncepti ka ndryshuar. Destinacionet më të pëlqyera në këtë kohë janë Korça me fshatrat e saj, Pogradeci me liqenin që është bërë gati për të pritur pushuesit, kryesisht të moshës së tretë apo familjarë, të cilët duan një vend të sigurt dhe të përshtatshëm edhe për fëmijët.
Më të rinjtë zgjedhin aventurën. Destinacione të tjera të pëlqyera nga turistët brenda vendit janë edhe kanionet e Osumit, Mati, Puka, vendi mes maleve, liqeni i Ulzës, që është i jashtëzakonshëm. Nga agjencitë nuk lihen pa përmendur edhe plazhet e mrekullueshme të Kavajës, siç është ai i Gjeneralit apo edhe Gjiri i Lalëzit e Kepi i Rodonit.
Rihapja e ishullit të Sazanit është një destinacion i kërkuar që tërheq kureshtarë, i hapur për turistët shqiptarë dhe të huaj, që ofron edhe plazhe të veçanta.
“Adrenalinën e duan të gjithë. Në fillimet tona kur na pyesnin se çfarë moshe lejohet – sepse atëherë ishim edhe grup më i ri – u përgjigjeshim çfarë moshe të keni shpirtin. Nuk ka rëndësi se sa vjeç jeni në të vërtetë, e rëndësishme është dëshira për të udhëtuar dhe për t’u kënaqur”, – kujton z. Hoxha nga “Discover Albania”.
Aktualisht ai thotë se operojnë më shumë në tregun vendas në këtë industri, njerëzit janë të moshave të ndryshme, kryesisht 25-40 vjeç si fashë kryesore, por nuk mungojnë as fëmijët, apo edhe njerëz që janë mbi 80 vjeç.
“Personalisht kam pasur edhe 92-vjeçarë, dhe si për çështjen e adrenalinës qoftë edhe për aktivitetin fizik, udhëtimet janë të përshtatshme për këdo. Për ta zgjeruar pak grupmoshën, sivjet do të jetë viti i parë që zyrtarisht do të nisim një program që është vetëm për prindër “Të shoqëruar me fëmijë”, kështu e kemi quajtur. Ideja kryesore është se duam t’u përkushtohemi më shumë moshave të reja që të krijohet kultura e pëlqimit të udhëtimit, afrimit me natyrën, aktiviteteve sociale etj., që në moshë të vogël. Fëmijët që nga mosha 5 vjeç e lart do të kenë mundësinë të bëjnë disa destinacione të mirëpërcaktuara për ata, të vëzhguar gjithmonë nga prindërit”, – tregon z. Hoxha.
Viadinarica, a kërkohet?
Rruga Dinarike është shteg që përshkon dhe lidh Slloveninë, Kroacinë, Bosnjë e Hercegovinën, Malin e Zi, Shqipërinë, Kosovën, Serbinë dhe Maqedoninë, e cila në fakt, u krijua, midis viteve 2010 – 2015, për vetëm këtë lloj eksplorimi natyror e kulturor. Udhëtimi ofron një rrugë autentike nëpërmjet disa prej vendbanimeve të mbetura të Europës së Vjetër dhe një korridor mes për mes një begatie pasurish kulturore.
Itinerari është vlerësuar si një nga rrugëtimet më interesante, ndër to britanikja “The Guardian” e ka cilësuar si ndër udhëtimet e aventurës më të mira, të përfshirë në dhjetëshen më të mirë europiane, ndërsa revista e turizmit “Wanderlust” e ka cilësuar si një nga rrugëtimet e domosdoshme për t’u ndjekur gjatë këtij viti.
Sipas “Outdoors Albania”, e cila ofron një paketë të tillë, ajo kërkohet kryesisht nga të huajt, bëhet fjalë për një udhëtim 8-ditor në këtë shteg, i cili kushton 850 euro.
Nga “Discover Albania” tregojnë se ka paketa ekonomike edhe për njerëz që nuk mund t’i lejojnë vetes udhëtime të shtrenjta. Në rastin konkret, studentët që nuk mund të përballojnë shpenzime të mëdha për pushime, i kanë drejtuar drejt kampingut, ku një paketë për një javë kushton më pak se 80 euro.
Nga ana tjetër, për persona të tjerë paketat javore mund të përmendim turin e Jugut, ai fillon nga 270 euro. Nëse flasim për fundjavat, ato fillojnë nga 69 euro, 79 euro, 89 euro varet nga destinacioni dhe sezoni. Paketat përshtaten dhe ndryshojnë me kohën. E njëjta paketë në kohën e gushtit për arsye të sezonit mund të kushtojë 100 euro, në kohën e majit e gjen edhe me 60 euro.
Paketat kryesore
Paketat kryesore që këshillohen nga tur-operatorët janë “Turi i Jugut” “Turi i Veriut” dhe “Turi i Aventurës”. “Turi i Jugut” sepse është një mundësi fantastike për të parë të gjithë Rivierën Shqiptare nga Vlora deri në Ksamil në një udhëtim fantastik ku është gjithçka e përfshirë. Ti ke mundësi ta shohësh të gjithë bregdetin, duke udhëtuar me skaf për të parë çdo gji dhe shpellë, duke nisur që nga Karaburuni, shpella e Haxhi Alisë, gjiri i Gramës, Gjipeja, Krorëz, Kakome e kështu me radhë.
“Turi i Veriut” sepse është vërtet bukur të udhëtosh në zemër të Alpeve, duke filluar që nga Lepushaj, Kelmend, Lugina e Thethit, një nga udhëtimet më të bukura siç është ai i kalimit nga Thethi në Valbonë, për të vizituar më pas luginën e bukur të Valbonës e për ta mbyllur me lundrimin fantastik në liqenin e Komanit.
Turi i Aventurës është për të gjithë ata që duan pak më shumë adrenalinë në pushimet e tyre. Është një tur i shtrirë në pjesën e Jugut, por i fokusuar tek aktivitetet dhe sportet si hedhja me parashutë, zhytja, scubadiving, standuppaddle, rockclimbing e shumë të tjera që u japin pushimeve tuaja frymë tjetër.
——————————
Krahina e Kurveleshit ka sipërfaqe të përgjithshme prej afro 70 km². Është zonë malore, e ndërtuar kryesisht nga shkëmbinj gëlqerorë të kretakut e pjesërisht nga flishi, me reliev të lartë e të ashpër në pjesën më të madhe të tij, që në Kurveleshin e Sipërm merr karakterin e një rrafshnalte shumë të copëtuar nga përrenjtë me shtretër të thellë e gryka të ngushta në trajtë kanionesh (deri 150 m të thella), rrëpirash e humnerash (si në Nivicë, Lekdush etj.).
Janë të përhapura shumë dukuritë dhe format karstike si: gropa, puse, galeri, shpella si dhe mjaft fusha karstike (fusha e Progonatit, e Golemit etj.), ku janë përqendruar edhe qendrat kryesore të banimit dhe tokat bujqësore.
Ujërat e shirave e të borës së shumtë, nëpërmjet hinkave, puseve e të çarave të tjera karstike, depërtojnë shpejt në thellësi të tokës. Kjo bën që, sidomos Kurveleshi i Sipërm, të ketë burime të kufizuara uji. Rrjedhojë i karstit është edhe varfëria e bimësisë, sidomos në Kurveleshin e Sipërm. Më e pasur është zona barishtore me kullota të shumta, ku gjenden shumë bimë mjekësore, mjaltesa e aromatike (çaji, salepi, trëndelina etj.), duke e bërë Kurveleshin një vend të përshtatshëm për zhvillimin e blegtorisë, sidomos asaj të imët (deles, dhisë etj.).
Kurveleshi e kryesisht ai i Sipërm, në pikëpamje natyrore, është një kështjellë nga ku, për të dalë në qendër të tij, në Gusmar, mund të futesh vetëm nëpër disa drejtime e kryesisht grykash malore si: Gryka e Bënçës, Gryka e Vërmikut, Gryka e Borshit për në Kuç e Grykë të Shurit deri në Gusmar dhe Gryka e Kaparielit, që të nxjerr në Golem-Gusmar apo edhe Qafa e Kreshtës. Ky pozicion gjeostrategjik e shkëput disi Kurveleshin, sidomos atë të Sipërm, nga krahinat e tjera dhe ka favorizuar qëndresën e armatosur të kurveleshasve, por edhe ruajtjen e vlerave etnokulturore sa më autoktone./ Wikipedia
Një nga perlat e natyrës ka nisur të eksplorohet nga turistë vendas e të huaj. Ajo ndodhet rreth 60 kilometra larg Gramshit dhe për të arritur në zonën e ujëvarës duhet të ecësh më shumë se dy orë më këmbë. Emrin Sotirë e ka marrë nga fshati ku edhe ndodhet ujëvara, që dikur ka qenë me 120 shtëpi, ndërsa sot vetëm 20 prej tyre janë të banueshme.
Dikur ujëvara 100 metra, që buron nga mali i Tomorit, vizitohej kryesisht nga banorët e Gramshit dhe zonave përreth për shkak të infrastrukturës së keqe. Ndërsa sot, rruga e shtruar para disa viteve e ka bërë këtë zonë të virgjër të natyrës një pikë turistike me vlera të mëdha për vendin. Ujëvara e Sotirës ndodhet rreth 22 kilometra larg Gramshit dhe për të arritur në zonën e ujëvarës duhet të ecësh rreth 1 orë në këmbë nga fshati Sotirë nga ku ka marrë dhe emrin ujëvara.
Në verilindje të Tomorit, ndodhet burimi i madh që vjen nga një e çarë gjatësore në shkëmbin gëlqeror të thepisur. Lartësia e rënies së ujit varion nga 5 metra deri 20 metra lartësi. Peizazhi i shpatit ku uji del, në mes të pyjeve e pemëve të lisit, është i mrekullueshëm. Zhurma e ujit mund të dëgjohet shumë larg.
Lumi i Shalës është lumi i cili buron rrëzë Alpeve Shqiptare.
Ka një gjatësi prej 37 km prej burimit në majën e Radohinës e deri në Dri, buron tek kroi i Shtrazës në krye të fshatit Theth, në rrëzë të majës së Radohinës, nga ku zbret poshtë nëpër luginë të Shalës, nga Thethi, Ndërlysa e Musha, nga Breg-Lumi tek Porta e Shalës (Gryka e Rrshqëmit), nëpër Lotaj e në luginën e Shoshit, derisa derdhja e tij shkon në Lesniqe në Dri (sot liqeni Koman). Është lumë malor me rënie mesatare 22 metra në një kilometër.
Lumi Shala dallohet me ujin e tij të kristaltë, me prurje mesatare vjetore, afro 34 m³/sek. Prurjet maksimale arrijnë në nëntor me 52 m³/sek, ndërsa prurje minimale në gusht në të cilin arrin 9 m³/sek. Lumi i Shalës është i pasur me një shumëllojshmëri peshqish, por më i përhapuri është trofta, që rritet vetëm në ujërat e ëmbla.
Ngjyra e kaltër dhe e ftohtë e ujit është karakteristike e këtij lumi, shkëmbinjtë e thepisur që e rrethojnë, duken sikur prekin qiellin me dorë. Në lumin e Shalës gjendet një bukuri e rrallë, e cila vështirë të thuhet vetëm me fjalë. Lumi i Shalës në vitet e demokracisë është bërë një destinacion turistik si për të huajt dhe vendasit, nga ku vizitorët e shumtë e përshkruajnë si perlën e bukurive të Komanit e të Shqipërisë.
Syri i Cikllopit, ose siç i thonë ndryshe Gjurma e Ciklopit, ndodhet rreth 4 km poshtë Krrabës, në fshatin e quajtur Skëterrë, në luginën e lumit Erzen. Ai është rreth 20 metra i gjerë dhe 120 metra i thellë si një perlë e fshehur në grykën e Krrabës.
Një humnerë e vogël rri në fund të shkëmbinjve të Krrabës, dhe poshtë saj është një liqen me ujë të smeraldtë, për të cilin thonë se është vendi ku bisha dha shpirt e pas tij mbeti një liqen në formë zemre. Shkurtimisht kjo legjendë flet për një bishë të stërmadhe (pothuaj të gjitha legjendat shqiptare kanë një gjigant apo një ciklop), e cila e përndjekur nga banorët e zonës, pas shumë dëmeve që kishte shkaktuar, përfundoi pikërisht poshtë këtyre shkëmbinjve. Thonë se aty ku shkeli për herë të fundit bisha, mbetën gjurmët e gërvishtjes së kthetrave të tij dhe aty ku vdiq, mbeti një liqen në formë zemre.
Si të gjitha legjendat që trupin dhe kokën i kanë në imagjinatë por këmbët i kanë të ngulura fort tek e vërteta, edhe në këtë rast, shihen disa gërvishtje të thella në shkëmb dhe liqenin e mrekullueshëm në formë zemre.
Por dhe peizazhi fare i virgjër natyror rreth e përqark, nuk është më pak mahnitës. Një degë e Lumit Erzen, rrjedh në formën e një katarakti të vogël, e bashkë me formacionet e shumta të shkëmbinjve krijojnë një peizazh përrallor. Mund të thuhet pa frikë se kjo pikë natyrore është një nga zbulimet e fundit të bëra nga aventurierët e natyrës.
Syri i Cikllopit është kthyer në një destinacion për relaks dhe argëtim. Përveç pamjes mahnitëse, ai krijon mundësinë të notohet gjatë ditëve të nxehta të verës.
Këto kanione ndodhen përgjatë rrjedhës së lumit Erzen. Uji i këtij lumi që rrjedh në një terren shkëmbor gjatë shekujve ka krijuar kanione spektakolare. Uji i kristaltë dhe thellësia e kanioneve të krijon mundësi të lahesh apo të notosh. Në pjesën ku lumi ka një thyerje rreth 10 m është krijuar një ujëvarë brenda një guve. Përpara ujëvarës te kanionet ka vaska të cilat, në stinën e nxehtë përdoren për t’u larë dhe për të bërë banjo dielli.
Për të shkuar tek këto kanione ndiqet rruga që të çon në Shpellën e Pëllumbasit duke qenë se ato ndodhen poshtë saj në lumin Erzen. Lumi i Erzenit është i gjatë 108 km, me prurje rreth 102 l/sek. Kanionet e Erzenit janë një zgjedhje e mirë për çdo shpirt aventurier. Natyra e tyre ka menduar për gjithçka.
Liqeni i Bovillës shtrihet në krahun lindor – verilindor të Tiranës, midis dy vargmaleve kryesore. Ai kufizohet në perëndim me malin e Gamtit (1.267 m) dhe Brarit (1.214 m) si dhe nga mali i Dajtit në juglindje. Nga ana lindore kufizohet me malet e Xibrit (1.531m) dhe të Kotit (1.391m) të vendosur në veriperëndim midis malit të Skënderbeut dhe në juglindje të malit me Gropa. Relievi është kodrinor – malor, ku erozioni dhe rrëshqitja janë tepër aktive. Bovilla përfshihet në dy nën zona klimatike (mesdhetare kodrinore 500-600 m) dhe mesdhetare para malore në lartësi të mëdha. Bimësia barishtore është e përhapur në të gjitha hapësirat e zhveshura dhe shtrihet në zonën e kullotave në lartësinë 1.500 m mbi nivelin e detit.
Sipërfaqja e liqenit është 4.6 km dhe ka thellësi 18-53 m. Bimësia në pellgun e Bovillës përfshin katër zona fitoklimatike: Zona e pyjeve dhe shkurreve mesdhetare (300 – 600nm), Zona e dushqeve (600 – 1000 m), Zona e ahut (1.000 – 1.600 m) dhe Zona e kullotave malore (mbi 1.500 m). Bovilla e ndodhur në një zonë me bukuri natyrore të mrekullueshme dhe me liqenin e Bovillës nga i cili merr ujë të pijshëm një pjesë e madhe e Tiranës është përfshirë në itinerarin e disa tour-operatorëve dhe grupeve që organizojnë evente në natyrë. Kjo ndoshta është zona më e afërt për të praktikuar sportin e ngjitjes dhe kacavjerrjes në shkëmbinj në rajonin e kryeqytetit. Në këtë zonë në fundjavë është zhvilluar turizmi i aventurës, ku disa tour-operatorë ofrojnë një itinerar të sigurt për ecje, ngjitje dhe kacavjerrjen nëpër shkëmbinj. Itineraret variojnë në gradë vështirësie, nga ato të thjeshtat deri tek ato më të vështirat, për tu dhënë mundësi të gjithëve që të praktikojnë këto lloj sportesh.
Ura e Brarit ndodhet pranë fshatit me të njëjtin emër, në lindje të Tiranës, 7.6 km nga qendra e Tiranës. Ajo është gjurma e parë e rrugës në fillim të Malësisë së Tiranës në hyrje të Shkallës së Tujanit ku ndodhet Kalaja e Tujanit (antikiteti i vonë). Ura është ndërtuar vetëm nga një hark, në kyçin e të cilit kalldrëmi i urës ngrihet në formë kurrizi me pjerrësi nga të dyja anët.
Mbështetjet e harkut janë vendosur mbi brigje shkëmbore që lartësohen mjaft nga shtrati i lumit. Ura ka kaluar disa faza ndërtimi: Si fazë e parë ajo e fillim shek. XVIII, janë themelet me blloqe ranorë e gëlqerorë të ashpër me formë të rregullt e me madhësi 40 x 90cm të lidhur me llaç prej rëre të ashpër.
Faza e dytë i përket ndërtimit me gurë ranorë dhe harku i lidhur me llaç gëlqereje prej rëre të imët. Faza e tretë që mendohet të jetë e shek. XIX, është me gurë kave gëlqerorë prej llaçi të ashpër. Është shtruar me qëllim zbutjen e pjerrësisë së urës. Kjo urë ka lidhur fshatin Brar me Tiranën dhe me rrugën e karvanëve Tiranë – Dibër, e cila kalonte nëpër fshatin Tujan. Harku është i formës rrethore me hapësirë drite 8,4 metra dhe lartësi 15 metra mbi nivelin e ujit nga kyçi. Harku është punuar me dopjo qemer ku i sipërmi ka formën e shigjetës (me majë), muratura e tij është me gurë ranorë të fortë në formë pllake. Kalldrëmi i urës e ka gjatësinë 21 metra dhe gjerësinë 2,7 metra dhe është i shtruar me gurë kave gëlqerorë, kufizuar nga anët me gurë kave me formë më të rregullt.
Shpella e Zezë e Pëllumbasit, kjo mrekulli natyrore ndodhet në lartësitë shkëmbore të malit të Pashkasheshit. Për këtë shpellë dhe vendndodhjen e saj deri para disa vitesh askush nuk dinte për të, veç vendasve, por edhe prej tyre rrallë e kishin vizituar.
Duke iu referuar pozicionit gjeografik, Shpella e Zezë e Pëllumbasit ndodhet rreth 350 metra mbi nivelin e detit. Por, pak përtej pamjes së saj, njëfarë mërzitje të shkaktohet nga blana ngjyra – ngjyra emrash dhe datash të shkruara prej vizitorësh të papërgjegjshëm. Zhgarravinat mbi monumentet natyrore dhe historike janë një mungesë e theksuar kulture! Si kudo në Shqipëri kjo është kthyer në një fenomen shqetësues, dhe një realitet i zymtë, i cili fatkeqësisht po vazhdon të dëmtojë jo pak vlera të papërsëritshme të natyrës dhe lashtësisë tonë.
Shpella e Zezë e Pëllumbasit shtrihet në një thellësi prej 300 metrash (e eksploruar) dhe të tërheq vëmendjen me ndërtimin e brendshëm, të ngjashëm me thellësinë e një galerie të stërmadhe miniere. Që në hyrje përfshihesh nga gjithë ato emocione dhe para syve me zemër i mbledh ato. Ajo të fut në një botë misteresh, të një ndjesie ndryshe, ku mendimet kthjellohen e humbasin në hapësirën e pafundme të përfytyrimeve.
Në thellësi duhma e lagështirës të zë frymën dhe heshtja thyhet nga hapat tanë të kujdesshëm, shushurimat e turbullta të lakuriqëve të natës, dhe pikave të ujit më kumbuese që bien nga tavani shkëmbor.
Shpella e Radacit, apo siç po quhet “Bukuroshja e fjetur” gjendet pranë burimit të Drinit të Bardhë, afër 11 kilometra larg qytetit të Pejës. Hyrja e shpellës është e orientuar nga verilindja, e cila gjendet në lartësinë mbidetare prej 578 metra.
Shpella është krijuar kryesisht nga rrjedha e Drinit të Bardhë, që dikur kalonte nëpër këto korridore por, me kohë uji ka ndryshuar rrjedhën e tij dhe uji nuk kalon më. Si rezultat i rrjedhës së ngadalshme të ujit janë krijuar edhe vaskat të cilat edhe njëherit paraqesin edhe pjesën më të veçantë të shpellës. Shpella ka dy hyrje të ashtuquajtura hyrja e ftoftë dhe hyrja e ngrohtë.
Shpella është e gjatë 2.1 kilometra mirëpo, vizitorët mund të vizitojnë korridorin rreth 300 metra gjatësi. Shpella në brendësi ka tri galeri, (galerinë hyrëse, qendrore dhe e vaskave). Shpella është e dekoruar me stalagmite dhe stalaktite më përbërje mermeri dhe gurë gëlqere dhe në brendi të saj ka edhe liqene të vogla.
Hulumtimet e para për shpellën e Radacit kanë filluar përafërsisht rreth viteve 60, prej ekspertëve jugosllavë, ku pjesëmarrës në këto hulumtime kanë qenë edhe disa bjeshkatarë të shoqatës “Gjeravica” në Pejë. Në vitin 2002, kanë filluar hulumtimet e para nga speleologët e shoqatës “Aragonit”. Ndërsa, në vitin 2006, këtyre hulumtimeve u janë bashkëngjitur edhe speleologë nga shtetet e Europës, nga Çekia, Sllovakia dhe Polonia, edhe pse hulumtimet vazhdojnë, duke u organizuar ekspedita të ndryshme me speleologë nga vende të ndryshme të botës. Shpella është hulumtuar edhe nga arkeologët vendas, të cilët kanë vërtetuar se, mijëra vite më parë, kjo shpellë ishte e banuar. Po ashtu duhet përmendur se në brendi të shpellës jetojnë katër lloje të lakuriqëve, e të cilët jetojnë ndaras në hapësirat e kësaj shpelle. Edhe pse kjo shpellë ishte e hulumtuar shumë kohë më parë, nuk ka qenë e njohur për qytetarët.
Ndodhen në malin e Gramës, në afërsi të fshatit Sllovë, 1900 metra mbi nivelin e detit. Përbën një gur të madh me përbërje gipsore të llojit selenit, që shkëlqen. Prandaj ka marrë edhe emrin “pasqyrat”. Është e gjatë deri në 500 metra, e gjerë deri në 200 metra.
Kanë vlera shkencore,didaktike e kulturore. Vizitohet, duke marrë rrugën Peshkopi – Sllovë dhe pastaj vazhdohet më këmbë për tek monumenti.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.