Ministrat e Financës së Eurozonës e dhanë dritën jeshile për disbursimin e këstit prej 1.1 miliardë eurosh të ndihmës për Greqinë, por deklaruan se do të presin para se të shpërndajnë këstin tjetër.
Ministrat, në takimin e tyre në Luksemburg, morën vendimin pasi Komisioni Europian tha se ka konsideruar se qeveria greke ka plotësuar të 15 kërkesat për të mbyllur të ashtuquajturin rishikimin e parë të programit të shpëtimit, i cili ka nisur që nga viti i kaluar.
Ata thanë se do të presin deri në publikimin e të dhënave të fundit për pastrimin e borxheve neto përpara se të autorizojnë dhënien e këstit të dytë të ndihmës prej 1.7 miliardë eurosh.
“Greqia ka bërë një punë të madhe për të plotësuar kërkesat e rishikimit të parë,”- tha komisioneri i BE-së për financat Pierre Moscovici.
Vendimi për të dhënë 2.8 miliardë euro erdhi pas këstit prej 7.5 miliardë eurosh në qershor dhe do mbyllë rishikimin e parë të programit të ndihmës.
Që kur nisi programi në gusht të vitit të shkuar, Greqia ka marrë 28.9 miliardë euro.
Që rishikimi i programit të përfundojë, Greqisë do t’i duhet të vazhdojë me kalimin e legjislacionit që ka të bëjë me shkurtimet e pensioneve, rritjes së TVSH-së, reformën e taksës mbi të ardhurat, privatizimet, reformën në sektorin e energjisë, shlyerjen e borxheve, rikapitalizimin dhe qeverisjen e bankave, si dhe falimentimin e pronarëve që kanë dështuar në shlyerjen e borxheve.
Moscovici tha se masat e kursimit përbëjnë 3% të PBB-së për periudhën 2016-2018.
Rishikimi i dytë, i cili do të jetë në javët në vijim dhe do të pasohet nga një këst i dytë ndihme, do të jetë më shumë për sa i përket zbatimit të masave të ndërmarra në këtë fazë të parë.
Zyrtarët e BE-së presin që ky rishikim i dytë të shkojë më mirë se i pari dhe se do të përfundojë plotësisht para fundit të këtij viti.
Por, të gjitha palët pjesë e programit e dinë që ka një kleçkë në këtë histori; lehtësimi i borxhit.
FMN-ja, e cila ka qenë pjesë e dy programeve të para të ndihmës, 2010 dhe 2012, nuk është zyrtarisht pjesë dhe e të tretit, ka thënë se do të marrë një vendim para fundit të vitit, bazuar nëse ajo do ta konsiderojë borxhin e Greqisë të qëndrueshëm.
Lehtësimi i borxhit
Institucionet në Uashington dhe huadhënësit e BE-së arritën një marrëveshje në maj për sa i përket lehtësimit të borxhit në afat të shkurtër dhe afat të mesme, për të cilin presidenti i Eurogrupit, njëkohësisht ministri holandez i Financave, Jeroen Dijsselbloem, thotë se mbetet i vlefshëm.
Por, të dielën, agjencia e lajmeve Reuters tha se FMN-ja nuk do t’i bashkohej programit të ndihmës dhe do të marri vetëm statusin special të këshilluesit.
FMN-ja vazhdon t’i qëndroi fatit se masat janë të nevojshme që ta bëjnë borxhin afatgjatë të qëndrueshëm. Të tjerët, veçanërisht Gjermania, kanë marrë një vendim, por thonë se dhe FMN-ja duhet të jetë pjesë e programit.
Palët e tjera thonë se bisedimet e reja, të cilat duken të pashmangshme, do të ngushtojnë rrethin midis Fondit dhe Gjermanisë.
Problemi i rritjes
Për disa të tjerë, problemi kryesor i Greqisë nuk është borxhi, por mungesa e reformave në të shkuarën dhe e investimeve tani, të cilat do të mbështesnin rritjen e qëndrueshme të Greqisë.
Borxhi nuk është i qëndrueshëm, por nuk është problem i përqindjes së PBB-së, është problem i rritjes ekonomike, tha një diplomat për EuObserver, duke theksuar se konkurrueshmëria e Greqisë, publikuar në Forumin Ekonomik Botëror në fund të shtatorit, ka rënë sërish.
Në Luksemburg, si Dijsselbloem dhe Moscovici, theksuan se ekonomia greke ka shënuar tre tremujorë radhazi me rritje ekonomike.
Por, për diplomatin, shifrat janë të manipuluara sepse me investime të huaja dhe eksporte të dobëta ka pak gjasa për një rritje produktive dhe jo më një rritje që do të rikuperojë ekonominë.