Qeveria po harton një plan për të zëvendësuar Politikën e Përbashkët Bujqësore
Ky ka qenë një vit sprove për 150,000 fermerët e Britanisë së Madhe. Vala e të nxehtit të verës dogji thuajse të gjithë prodhimin e lulelakrës dhe brokolit.
Para verës, ngricat e dimrit shkaktuan edhe më shumë dëme në të mbjella, të cilat nuk u dhanë mundësi bujqve që të korrnin sipas parashikimeve të tyre, duke shkaktuar edhe një dëm tjetër të madh në sezonin e qengjave. Në fermën Pant-y-Beiliau, në Luginën Usk në Uells, familja Trumper kishte parashikuar një vit shumë të mbarë në kopenë e tyre prej 1000 delesh. Por në fund, ata humbën rreth 5% të qengjave të sapolindur.
Edhe pse pasojat e ndryshimeve të motit janë të rënda, sipas z. Maurice Trumper, ato janë diçka me të cilën janë mësuar që të jetojnë dhe mund ta përballojnë. Ndërsa Brexit është krejt ndryshe. Në shumicën e sektorëve të ekonomisë, qeveria është duke bërë çmos për të ruajtur vazhdimësinë, pasi Britania të largohet nga Bashkimi Europian në marsin e vitit të ardhshëm. Por në bujqësi, ajo ka premtuar ndryshime të mëdha.
Michael Gove, ministri për Mjedisin, Ushqimin dhe Çështjet Rurale, ka premtuar ndryshime të mëdha, pavarësisht se cila do të jetë marrëveshja që qeveria do të arrijë në fund me Brukselin. Sipas Politikës së Përbashkët Bujqësore të BE-së (CAP), fermerët britanikë marrin subvencione me vlerë rreth 3.1 miliardë paund (4 miliardë dollarë amerikanë) në vit.
Por, pas Brexit, këto subvencione do të përfundojnë. Thesari i Shtetit ka premtuar se do t’u paguajë fermerëve ekuivalentin e subvencioneve të CAP-it deri në fund të vitit 2022. Pas kësaj, pagesat do të hiqen dhe do të zëvendësohen me një sistem të ri të cilin qeveria është duke e hartuar. Ky sistem do të përcaktojë të ardhmen e bujqësisë dhe fytyrën e re të fshatrave britanikë.
Bujqësia përbën vetëm 0.5% të ekonomisë së Britanisë. Por ajo punëson gati gjysmë milion njerëz, ose 1.5% të popullsisë në gjendje pune, një shifër që është më e lartë në Uells, rreth 4.1%, ndërsa në Irlandën e Veriut edhe më shumë, rreth 5.7%.
Ajo mbështet edhe industritë e tjera, duke kontribuar në pjesën më të madhe me lëndë të para, si për shembull për biznesin e ushqimeve apo të pijeve. Dhe ndoshta asnjë industri tjetër në vend nuk ka një ndikim kaq të madh sa kjo industri. Pothuajse tre të katërtat e tokës britanike përdoren për bujqësi. Sipas politikës CAP, shumica e subvencioneve jepen në bazë të sipërfaqes së një ferme, për sa u përket atyre që njihen si pagesa direkte. Pjesa tjetër është e ndarë për punën që fermerët bëjnë për t’u kujdesur për mjedisin.
Prej kohësh fermerët britanikë kanë argumentuar se ky sistem është i padrejtë dhe joefikas, duke shpërblyer më shumë pronarët e pasur, pronat e të cilëve shtrihen në një sipërfaqe të madhe toke. Në vitin 2016, 10% e fermerëve më të pasur në Angli morën rreth 47% të pagesave sipas politikës së CAP, ndërsa 20% tjetër mori vetëm 2%. Pra, qeveria është duke shfrytëzuar mundësinë që Brexit mund të paraqesë për të ndryshuar këtë formulë. Në të ardhmen, z. Gove thotë se dhënia e subvencioneve do të përqendrohet kryesisht në “mbrojtjen dhe përmirësimin e mjedisit”, siç është për shembull mbjellja e pemëve të ndryshme.
Z. Gove ka fituar besimin dhe ka marrë përgëzime të shumta nga ana e ambientalistëve për përkushtimin e dukshëm me të cilin ai po e trajton kauzën e tyre. Ai e quan veten romanik, kur bëhet fjalë për fshatin. Ai u ka premtuar si ambientalistëve ashtu edhe fermerëve, se të gjitha idetë e tij do të hartohen në një ligj gjatë këtij viti. Ndonëse CAP nuk është shumë e njohur, manipulimet me sistemin kanë provokuar shumë nervozizëm. Subvencionet përbëjnë 61% të të ardhurave të fermave në Angli.
Në Uells dhe Irlandën e Veriut, kjo shifër shkon mbi 80%. Fermat e vogla kanë tendencë të jenë veçanërisht të varura nga subvencionet. Z. Trumper thotë se ferma e tij prej 500 hektarësh merr rreth 36,000 paund në vit nga subvencionet e CAP-it, duke thënë më tej se ata janë krejtësisht të varur nga ato për të mbijetuar. Qeveria ka parashikuar edhe pasojat e heqjes së pagesave direkte nga fermat e deleve dhe bagëtive të tjera. Në 2015-2017, 19% e këtyre fermave dolën me humbje edhe pse ishin subvencionuar. Në rast se ato nuk do të subvencionohen fare, shifra mendohet se do të shkojë në 53%.
Ndërsa po t’i marrin të gjitha fermat e tjera në total, 16% e tyre kanë dalë me humbje, edhe pse kanë marrë subvencione, ndërsa nëse ato nuk do të merrnin fare subvencion, kjo shifër do të shkonte në 42%. Ministrat ende nuk kanë zbuluar detajet e sistemit që do të zëvendësojë pagesat direkte. Mesa duket, fermerët do të vihen përpara një zgjedhje: ose të kërkojnë pagesa qeveritare për krijimin e të mirave publike, ose të përqendrohen vetëm tek efikasiteti, në mënyrë që të mbijetojnë pa subvencione. Sipas një këshilltari të qeverisë, fermerët do të kenë pesë vjet kohë për t’u përshtatur me këtë sistem dhe ata që nuk do ta përballojnë dot, fatkeqësisht do të falimentojnë.
Disa fermerë janë të ngazëllyer nga perspektiva për t’u paguar për mirëmbajtjen e fshatrave. Megjithatë, fermat e vogla nuk mund të jenë në gjendje që të konkurrojnë për pagesat që z. Gove ka në mendje. Shumë votuan pro Brexit si një protestë kundër burokracisë së përfshirë në aplikimin për subvencione të BE-së. Sistemi i zëvendësimit nuk është e thënë që do të jetë më pak i rëndë. As nuk është e qartë nëse do të ketë më shumë hapësirë për diversifikim. Dy të tretat e fermerëve tashmë janë zhvendosur në linja të tjera biznesi, si energjia diellore nga e cila presin që të përfitojnë rreth një të katërtën më shumë të parave që fitonin nga bujqësia.
Po për sa i përket përmirësimit të efikasitetit? Vendi ka disa ferma shumë efikase, si fermat e drithërave në Anglinë Lindore. 7% e fermave të Anglisë prodhojnë 55% të prodhimit bujqësor. Pothuajse gjysma e fermave të vendit janë më pak se 20 hektarë. Fermat e deleve dhe të kafshëve të tjera, të cilat përbëjnë gati një të tretën e totalit, janë më pak fitimprurëse. Përkrahësit e ndryshimit argumentojnë se në vende si Uellsi, fermave të vogla do t’u duhet të bashkohen, ose të paktën të bashkëpunojnë ngushtë me njëra-tjetrën për të ulur kostot e tyre. Z. Gove ka folur edhe për potencialin e teknologjisë.
Në fermat e vogla, si ajo e Gary Ryan në Monmouthshire, pajisje të vogla me sensorë si ajo Moocall, që vendosen në bishtin e lopës për të njoftuar një fermer në momentin që ajo është gati për të pjellë, përmirësojnë efikasitetin. Disa qeveritarë tregojnë shembullin e Holandës, të një shteti që edhe pse ka vetëm 17 milionë banorë, është eksportuesi bujqësor i dytë më i madh në botë. Dhe këtë e ka arritur vetëm nëpërmjet investimeve në teknologji, duke përdorur dronët apo dhe serat e teknologjisë së lartë. Edhe pse në Britani, ka një potencial të lartë për përmirësim, fermerët britanikë kanë pak kohë për ecur me ritme të shpejta.
Tom Hind i Bordit të Zhvillimit të Bujqësisë dhe Hortikulturës, thotë se rritja e produktivitetit ka qenë e ngadaltë. Ai argumenton se Britania është e mirë në agroshkencë, por jo në aplikimin e saj në bujqësi, edhe pse përpjekjet kanë qenë të shumta për ta arritur këtë gjë. Nëse do të ktheheshim sërish në Luginën e Usk, fermerëve do t’u duhet të presin për të mësuar fatin e tyre.
Politika bujqësore është transferuar te qeveritë e Skocisë, Uellsit dhe Irlandës së Veriut, të cilat mund të zgjedhin të vazhdojnë mbështetjen e fermave në mënyrë direkte, nëse nuk u pëlqen struktura e sistemit të ri të z. Gove. Ashtu siç thotë edhe një zyrtar i Uellsit, fabrikat vendase të qymyrit dhe çelikut janë zhdukur në vitet 1980. Në disa zona të caktuara, bujqësia, ishte gjithçka që ata kishin.