Të ardhurat totale në buxhet për 6 mujorin 2013 kanë shënuar një rënie me baze vjetore prej gati 3%, sipas statistikave fiskale të publikuara nga Ministria e Financave., duke rezultuar në 156.8 miliardë lekë, nga 166.2 miliardë lekë, që ishte plani, pra rreth 5.6%, apo 10 miliardë lekë më pak se plani.
Ka qenë ecuria e dobët e të ardhurave nga TVSH, që është një tregues direkt i qarkullimit në ekonomi, ai që ka dhënë efektin kryesore në këtë performancë negative. Sipas të dhënave nga financat, të ardhurat nga TVSh në fund të qershorit u ulën me 7.4% me bazë vjetore, në 50.7 miliardë lekë, nga 57.7 miliardë lekë që ishte plani, duke kontribuar kështu në gati 70% të mosrealizimit të planit të të ardhurave. Të ardhurat nga TVSH-ja kanë një ndikim të madh në performancën buxhetore, pasi ato përbëjnë mbi 30% të totalit të të ardhurave buxhetore dhe gati 40% të totalit të të hyrave nga tatimet e doganat.
Përveç ritmeve të dobëta të rritjes së ekonomisë, që në tremujorin e parë u zgjerua me vetëm 1.7%, ulja e TVSH-së për makineritë e pajisjet, vendim i marrë nga demokratët, vlerësohet të ketë ndikuar në rënien e të ardhurave nga TVSH.
Në rënie ka qenë dhe zëri i dytë më i rëndësishëm në buxhet, ai i të ardhurave nga akciza, që arriti në 16.6 miliardë lekë, me një tkurrje prej 2.7% me bazë vjetore.
Tkurrja, ndonëse me ritme më të ulëta se viti i kaluar, ka vijuar edhe për të ardhurat nga tatim fitimi, që zbritën me 3.6% në 8.47 miliardë lekë.
I vetmi zë në rritje është tatimi mbi të ardhurat personale, që u zgjerua me 7.6% në 14 miliardë lekë.
Edhe zëri i taksa nacionale dhe të tjera, i cili vitin e kaluar “shpëtoi” tatimet, duke mbuluar rënien sidomos të tatim fitimit dhe akcizës, këtë vit është me performancë negative, duke zbritur me 8% në 13.1 miliardë lekë.
Nga të ardhurat jo tatimore, të hyrat nga sigurimet kanë qëndruar thuajse në vend, ndërkohë që ka pasur një rritje të transferimit të fitimit nga Banka e Shqipërisë prej gati 40%, në 3.9 miliardë lekë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.