Gjatë seminarit rajonal në fushën e statistikave të bankës qendrore, morën pjesë përfaqësues nga bankat qendrore në rajon e më gjerë, përfaqësues të INSTAT, si dhe institucioneve të tjera financiare të vendit.
Seminari rajonal mbi statistikat organizohet rregullisht nga BQE-ja dhe siguron një forum të rëndësishëm për shkëmbimin e pikëpamjeve mbi kërkesat statistikore si dhe për hartimin e politikave dhe diskutimin e risive më të fundit në çështjet statistikore të bankingut qendror.
Këtë vit, seminari u organizua nga BQE-ja në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë. Qëllimi i tij është realizimi i diskutimeve dhe këmbimi i këndvështrimeve mbi statistikat, si një nga çështjet më sfiduese dhe themelore për bankierët qendrorë dhe politikëbërësit në përgjithësi.
Në krye të fjalës përshëndetëse, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen e tyre dhe theksoi rëndësinë e përpunimit të të dhënave statistikore në aktivitetin e bankave qendrore.
Guvernatori Sejko u shpreh se të dhënat e besueshme, të mjaftueshme dhe të ofruara në kohë, janë element i domosdoshëm për vendimmarrje sa më të mirë.
Më tej, Guvernatori nënvizoi se sot nevojitet që të jemi të informuar dhe t’i analizojmë të dhënat ekonomike në dimensione të ndryshme dhe në shkallë granulare. Për këtë qëllim, Banka e Shqipërisë ka punuar në disa dimensione për pasurimin dhe përmirësimin e informacionit statistikor.
Ky përmirësim ka ardhur jo vetëm për përafrimin metodologjik të statistikave me standardet ndërkombëtare, por edhe si një faktor në kuadër të procesit të integrimit evropian.
“Statistikat moderne nuk perceptohen pa mbështetjen e fuqishme të teknologjisë së informacionit për mbledhjen, hartimin dhe shpërndarjen e tyre. Në këtë drejtim, Banka e Shqipërisë, gjatë vitit 2017, ka përfunduar përfshirjen e të gjitha subjekteve raportuese pranë BSH-së në Sistemin Elektronik të Raportimit Rregullator.”- tha Guvernatori Sejko.
Në përfundim, Guvernatori shtoi se bashkërendimi ndërinstitucional është çelësi i suksesit për prodhimin e të dhënave statistikore shumë dimensionale. Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit midis Bankës së Shqipërisë dhe INSTAT, i cili deri tani ka rezultuar mjaft i suksesshëm dhe i tillë do të vazhdojë të jetë edhe në të ardhmen.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.