Kërkuesit e Institutit të Teknologjisë në Karlsruhe në Gjermani kanë krijuar syze me qeliza diellore për të karikuar një smartphone
Kërkuesit e Institutit të Teknologjisë në Karlsruhe janë nisur nga një hipotezë e thjeshtë për të realizuar një ndër pajisjet më inovative të muajve të fundit: Nëse merrni me vete smartphone, bën sens të keni edhe një sistem karikimi wearable. Nga kjo intuitë e thjeshtë kanë lindur syzet me panele diellore.
Në praktikë, ky model syzesh dielli i gjeneratës së fundit prodhon elektricitet, duke shfrytëzuar qeliza diellore që gjenden tek lentet. Këto qeliza të veçanta janë realizuar me material organik, ndërkohë që zakonisht ndërtohen me silikon. Në këtë mënyrë, lentet janë transparente, fleksibile, të lehta dhe mbi të gjitha mund të jenë me ngjyra të ndryshme, në varësi të kërkesave të konsumatorëve. Çdo lente e qelizës diellore peshon rreth 6 gramë dhe ka një trashësi 1,6 milimetra. Lentet janë ndërtuar për t’iu përshtatur modeleve të ndryshme të syzeve në treg.
Syze dielli me energji diellore
Një mikroprocesor dhe dy ekrane të vegjël janë të integruar tek këto syze dielli “inteligjente”, të cilat i ndihmojnë të masin intensitetin e ndriçimit diellor dhe temperaturën e ambientit.
Ndër të tjera, qelizat funksionojnë, përveçse nga rrezet e diellit, duke shfrytëzuar dritën që vjen nga energjia elektrike nga apartamentet dhe ambientet e punës. Ato prodhojnë rreth 200 miliwatt. Mund të duket se është shumë pak – në fakt për një smartphone është – por mjafton për të karikuar një tracker për të numëruar hapat apo për një pajisje akustike.
“Ne sjellim energji diellore në vende në të cilat teknologjitë e tjera diellore dështojnë”, – deklaroi Alexander Colsmann nga Instituti i Teknologjisë në Karlsruhe (KIT).
“Syzet e diellit që ne kemi zhvilluar janë një shembull se si qelizat diellore organike mund të përdoren në aplikacione që nuk do të ishin të realizueshme me fotovoltaikë konvencionalë”, – shton Dominik Landerer, student doktorature në këtë universitet.
Kërkuesit e Institutit në Gjermani deklarojnë se shumë shpejt kjo teknologji e përdorur për syzet do të aplikohet edhe në dritaret e shtëpive dhe kompanive. Në këtë mënyrë, njerëzit mund të kursejnë energjinë për të karikuar objektet e vogla elektronike.