5 udhëtime të shkurtra në disa prej destinacioneve më të bukura të Europës
Secili prej pesë destinacioneve të mëposhtme është një prezantim me disa pjesë të mrekullueshme të natyrës së kontinentit evropian, të cilat nuk është se shënojnë një numër të madh turistësh. Kjo edhe për shkak të marketingut të dobët.
Të shumtë janë turistët që vizitojnë kryeqytetin e Malit të Zi, apo ndonjë qytet tjetër të rëndësishëm malazez dhe me kaq mjaftohen, duke i privuar vetes një prej pamjeve më të bukura që mund të shohin, dhe në një distancë shumë të afërt nga disa prej pikave më të vizituara të Malit të Zi. Morëm këtë shtet si shembull, por si ky janë të shumtë, ku mund të përmendim, Slloveninë, Spanjën, etj.
Shkallët e Kotorrit, Mal i Zi
Shkallët janë e vetmja rrugë historike në gjendje shumë të mirë edhe në ditët e sotme, e cila ishte lidhja ndërmjet qytetit të Kotorrit dhe ish-kryeqytetit të asaj periudhe Cetinas. Shkallët fillojnë nga një lartësi 940 metra dhe ofrojnë pamje të mrekullueshme të gjirit të Kotorrit.
Rrugëtimi
Ky udhëtim fillon nga Krstaci, pranë fshatit Njeguši duke vazhduar më tej në një rrugë të vjetër ushtarake, më pas në rrënojat e fshatit Spiljari dhe kishëzës së Shën Ivanit. Ky rrugëtim vazhdon me kështjellën e San Giovannit dhe përfundon në lartësinë 940 metra ku fillojnë shkallët, dhe pamja e Kotorrit që do të shikoni do t’ju mahnisë. Ky udhëtim zgjat rreth dy orë.
Pishinat përrallore, ishulli Skye në Skoci
Pishinat përrallore janë një grup ujëvarash me ngjyrë bojëqielli që bien mbi shkëmbinj gri të errët, duke krijuar një pamje mbresëlënëse për këdo që i sheh.
Rrugëtimi
Parkojeni makinën tuaj në Glenbrittle sepse është pikërisht këtu ku nis edhe rrugëtimi juaj. Filloni të ecni në anë të rrugës dhe brenda 20 minutash do të shikoni një lumë të vogël, të cilin duhet ta ndiqni, sepse ai do t’ju çojë pikërisht drejt pishinave përrallore. Nëse keni guxim mund të merrni me vete rrobat tuaja të plazhit dhe ta shijoni më tej këtë pamje mbresëlënëse. Ky udhëtim zgjat rreth 3 orë dhe terreni nuk është aspak i vështirë dhe i rrezikshëm.
Rrugëtimi në Pico do Arieiro, Madeira
Ky rrugëtim bashkon dy prej pikave më të larta në Madeira, Pico Ruivo (1,861 metra) dhe Pico do Arieiro (1,817 metra) duke udhëtuar kështu në pjesën qendrore të këtij masivi malor.
Rrugëtimi
Fillojeni këtë rrugëtim nga Pico do Arieiro dhe më pas ecni në kreshtën e malit nëpër shtigjet e ngushta. Nga këtu ju mund të vazhdoni më poshtë duke ecur pranë kraterit të vullkanit joaktiv dhe të dilni në një luginë me pamje mbresëlënëse. Më pas do të shkoni në majën tjetër të Pico do Arieiro, përpara se të mbërrini në Achada do Teixeira. Ky udhëtim zgjat rreth 4 orë.
Liqeni Bohinj, Slloveni
Vetëm një orë larg kryeqytetit të Sllovenisë, Lubjanës, ndodhet liqeni Bohinj, një pre liqeneve më të mëdhenj të këtij shteti pranë parkut kombëtar të Triglavit dhe i rrethuar nga Alpet Julian.
Flysch, Spanjë
Në rajonin Bask, në veri të Spanjës, ndodhet rruga e njohur me emrin Flysch. Pamja nga kjo rrugë e ngushtë që kalon përmes formacionesh unike, natyrore dhe shkëmbore që datojnë mbi 50 milionë vjet.
Rrugëtimi
Fillojeni këtë rrugëtim nga kisha e Shën Telmos në qytetin e Zumaias, më pas zbrisni me shumë kujdes në disa shkëmbinj, të cilët do t’u çojnë në plazhin Sakoneta dhe nga këtu ju mund ta shikoni Flysch-in. Pasi ta keni parë do ta kuptoni pse seriali i mirënjohur “Game of Thrones” zgjodhi pikërisht këtë vend për të xhiruar disa prej skenave të tij. Ky udhëtim zgjat më pak se pesë orë.