Telekomi drejt humnerës, 31 milionë euro humbje

12/02/2018 10:21 AM 0 komente

Në një raport të brendshëm mbi ndërmarrjet publike Qeveria e Kosovës ka alarmuar për gjendje të rëndë financiare në Telekomin e Kosovës. Ndërmarrja e mbylli vitin 2016 me 31 milionë euro humbje dhe pati rënie të madhe të konsumatorëve. Ekspertët thonë se nëse nuk merren masa urgjente Telekomin e pret falimentimi, shkruan sot Gazeta “Zëri”

Telekomi i Kosovës (TK), dikur ndërmarrja publike më profitabile në vend, po shkon drejt falimentimit.

Sipas një raporti të brendshëm të aksionarit, Qeverisë së Kosovës, Telekomi i Kosovës e ka mbyllur vitin 2016 me një humbje prej 31 milionë eurosh, ndërsa ka pasur edhe rënie të madhe të numrit të konsumatorëve.

“Telekomi i Kosovës SHA vitin 2016 e ka përfunduar me rezultat negativ financiar me rreth 31.311.000 euro”, thuhet në raportin “Përformanca e Ndërmarrjeve Publike për vitin 2016”, i hartuar nga Njësia për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike, në kuadër të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik (MZHE).

Ky raport, që shumë shpejt pritet t’u shkojë për diskutim deputetëve të Kuvendit të Kosovës, në përgjithësi përshkruan gjendje të rëndë financiare në Telekomin e Kosovës, por edhe në shumicën e ndërmarrjeve publike në vend, shkruan tutje “Zëri”.

Raporti i Qeverisë sqaron se rritja e madhe e shpenzimeve në raport me të hyrat e ka vënë Telekomin e Kosovës në një gjendje të rëndë financiare. Kështu prej 76 milionë eurosh sa ishin të hyrat më 2016-ën, shpenzimet shkuan në 107.3 milionë euro.

Si pasojë, ndërmarrja pati tkurrje të pasurisë dhe rritje të mëdha të detyrimeve.
/ZERI/

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz