Në total, tregu i reklamave në vend në vitin 2015 vlerësohet të ketë arritur në rreth 38 milionë euro, nga rreth 37 milionë euro që ishte vitin e mëparshëm, me rritje të lehtë me rreth 3%, i udhëhequr nga përmirësimi i të ardhurave të televizioneve dhe rritjes së fortë të online, ndonëse nga nivele të ulëta.
“Monitor” e ka bërë vlerësimin e tregut të reklamave për 2015, duke u nisur nga tregues direkt të matur nga disa drejtime:
-të ardhurat e kategorive kryesore të tij, televizioneve, shtypit të shkruar, outdoor dhe online, të matura në pjesën kryesore nga xhiro që aktorët kryesorë kanë deklaruar në bilancet e tyre të dorëzuara në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB).
-shpenzimet e kompanive kryesore për marketing, kryesisht telekomunikacione, banka, produktet që lëvizin shpejt nga rafti (FMCG), sipas raportimeve të detajuara në bilancet përkatëse.
-monitorimet në bazë të numrit të spoteve të transmetuara në mediat televizive dhe reklamave në shtypin e shkruar, sipas të dhënave të siguruara nga kompania monitoruese Idra Media, kanë shërbyer për të vlerësuar tendencën për vitin 2016.
Televizioni
-Nga të ardhurat e deklaruara në bilanc nga televizionet kryesore në vend, vlerësohet se të ardhurat e televizioneve ishin 29-30 milionë euro, në vitin 2015, me një rritje prej rreth 7% me bazë vjetore, duke e marrë veten pas tkurrjes së një viti më parë. Ky përmirësim erdhi dhe nga fakti që 2015-a ishte një vit me zgjedhje lokale, i shoqëruar me shpenzime të Bashkive për spote publicitare. Edhe kompanitë më të mëdha të telekomunikacionit rritën buxhetet e marketingut në 2015-n, duke u dhënë një dorë televizioneve. Shikueshmëria e lartë e telenovelave turke ka qenë një tjetër magnet për reklamuesit që kapim një audiencë të ndjeshme me një kosto relativisht të ulët. Vizion Plus dhe Klan i kanë dhënë hapësira dhe orare në ‘prime time’ në programacion këtyre telenevoleva, ndërsa Top Channel vijon t’i rezistojë, duke u përqendruar te prodhimet e veta.
Shtypi i shkruar
-Të ardhurat e shtypit të shkruar vlerësohen në rreth 2.7 milionë euro në vitin 2015, me një rënie vjetore prej rreth 10%, në bazë të të ardhurave të deklaruara në bilanc nga mediat kryesore në vend dhe monitorimeve nga Idra Media. Përveç Panorama Grup dhe Unipress (Shekulli), gazetat e tjera kanë deklaruar rënie dyshifrore të të ardhurave.
Outdoor
-Tregu i outdoor vlerësohet në rreth 3 milionë euro, i llogaritur në bazë të të ardhurave të deklaruara në bilanc nga kompanitë kryesore që veprojnë në këtë kategori. Ky segment ka njohur dhe rënie të fortë të të ardhurave, për të dytin vit radhazi, me rreth 10%, pas tkurrjes me 12% në 2014-n.
Internet
-Reklamat në faqet kryesore të internetit në vend vlerësohen në rritje të shpejtë, ndonëse mbeten ende të ulëta, duke arritur në 1.7 milionë euro në 2015-n, sipas të dhënave nga monitorimet e Idra Media. Të dhënat e 11-mujorit 2016 të Idra Medi flasin për një zgjerim të fortë të këtij tregu me rreth 70% në vlerë, duke qenë segmenti me rritjen më të shpejtë.
Radio
-Radio vlerësohet të tërheqë rreth 1 milion euro në vit, sipas të ardhurave të deklaruara nga radiot më të mëdha në vend, me një rënie prej rreth 7% në 2015.
Kompanitë e telekomunikacioneve (operatorët celularë plus Albtelecom) mbeten reklamuesit më të mëdhenj në vend, me një buxhet total për shpenzime publiciteti prej rreth 20 milionë eurosh në vitin 2015, sipas të dhënave të nxjerra nga bilancet e tyre, me një rritje të lehtë prej 0.6% në krahasim me 2014-n, si rrjedhojë e zgjerimit të buxhetit të operatorëve të mëdhenj. Buxheti i bankave është rreth 9.4 milionë euro.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.