Rezultatet e rritjes, përtej pritshmërive, të ekonomisë turke në gjysmën e parë të vitit, që arriti 5.1%, si dhe rezultat e eksporteve dhe prodhimit industrial, kanë përforcuar bindjen se norma e rritjes do të jetë rreth 7% në fund të 2017-s.
Bazuar në të dhënat e treguesve makroekonomikë, Presidenti Recep Tayyip Erdoğan theksoi në një takim dje në Ankara, se norma e rritjes 7% në vitin 2017 nuk duhet të befasojë askënd.
I pranishëm në një ceremoni çmimesh në Dhomën e Tregtisë së Ankarasë, Presidenti foli për ecurinë ekonomike të Turqisë në 15 vitet e fundit, me një theks të veçantë te rritja.
Në përpjekje për të nënvijëzuar qëndrueshmërinë e rritjes, Erdoğan theksoi se Turqia ka regjistruar 5.7% rritje nga viti 2003 në vitin 2016.
Pavarësisht grushtit të dështuar të shtetit më 15 korrik, ekonomia turke ka shënuar një rritje prej 3,2% në vitin 2016, duke u tkurrur 1,8% në tremujorin e tretë të 2016-s për shkak të pasojave të tij në të njëjtin tremujor.
Megjithatë, presidenti vuri në dukje se pas një viti të trazuar politikisht dhe ekonomikisht, ekonomia turke regjistroi 5,2% dhe 5,1% rritje ekonomike në tremujorin e parë dhe të dytë respektivisht.
“Ne presim shifra më të larta në tremujorin e tretë dhe të katërt. Rritja 7% në vitin 2017, nuk duhet të habisë askënd”. Erdoğan shtoi se normat e shfrytëzimit të kapaciteteve, që arritën në 80%, tregojnë për prodhimin në vazhdim.
Erdoğan bëri të ditur se Turqia është ekonomia e 17 më e madhe në botë. Ai theksoi po ashtu ambicien për të hyrë në mesin e dhjetë ekonomive më të mëdha në botë dhe për të arritur 1 miliard dollarë në PBB.
“Turqia është rritur 3,5 herë në 15 vitet e fundit dhe nuk ka asnjë pengesë që vendi të zgjerohet me 2 herë në 6-7 vitet e ardhshme,”- tha ai.
Sa u përket eksporteve, Erdoğan shtoi se shifrat do të kalojnë 155 miliardë dollarë, gjë që do të sigurojë një tjetër rekord dhe solli në kujtesë eksportet e tetorit që arritën në 15 miliardë dollarë (154.2 miliardë në një periudhë 12-mujore).
Burimi: Daily Sabah