Maqedonasit thanë se liria demokratike dhe prosperiteti janë çështjet e mëdha që do të përcaktojnë se si ata do të votojnë në zgjedhjet e dhjetorit. Por, ata mbeten të ndarë se cila nga këto është më e rëndësishme.
Maqedonasit, të pyetur në rrugët e kryeqytetit, thonë se demokratizimi i vendit dhe përmirësimi i ekonomisë janë çështje po aq të ngutshme, për të cilat ata presin partitë politike të diskutojnë para se të hedhin votat në zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme më 11 dhjetor.
“Nuk mund të zgjedhin në mes të dyjave, sepse ato janë të lidhura shumë ngushtë. Por, ne duhet të fillojmë me demokratizimin. Kjo do të hapë më shumë mundësi për progres ekonomik në të ardhmen”, ka thënë 45-vjeçari Damir Sokolovski nga Shkupi për BIRN-in.
“Unë jam i interesuar në prosperitetin ekonomik. Ne kemi nevojë për jetë më të mirë, vende të reja pune dhe paga më të larta… Unë do të votoj për ata që besoj se do të jenë më mirë në sigurimin e këtyre gjërave”, tha Marijana Novakovic, një studente nga Shkupi.
“Demokracia është një çështje më e ngutshme në këtë moment. Pa atë, ne nuk mund të shpresojmë për prosperitetin ekonomik. Natyrisht, unë do të votoj me këtë bindje në mendje”, tha Mirçe Savovski, 41 vjeç, nga Shkupi, i cili shtoi se ai ishte i papunë.
“Ju e shihni se çfarë po ndodh në vend. Vështirë të gjesh një institucion që funksionon siç duhet dhe ne jemi duke u bërë më të varfër. Kjo është një katastrofë. Lufta kundër krimit dhe korrupsionit duhet të jenë prioritetet tona, sepse ne nuk mund të vazhdojmë kështu”, ka thënë Agroni, 72-vjeçari nga fshati Kondovë, pranë Shkupit, të cilin e takuam në kryeqytet.
Biljana Bejkova, nga NVO Infocentar, një OJQ, thotë se njerëzit janë duke u bërë më të vetëdijshëm për rëndësinë e demokracisë.
“Ata janë duke u bërë gjithnjë e më të vetëdijshëm se kjo nuk është e mjaftueshme për të jetuar mirë, edhe pse ne nuk jetojmë as mirë, si dhe është e rëndësishme për të jetuar të lirë. Ndjesia e lirisë, për të jetuar pa frikë dhe pa presione të ndryshme është shumë e rëndësishme”, tha Bejkova.
Një anketim i opinionit publik maqedonas i zhvilluar në muajin prill nga Instituti Ndërkombëtar Republikan, IRI, tregon për një përfundim të ngjashëm.
Të pyetur nga IRI për të zgjedhur mes një sistemi demokratik të qeverisjes dhe një ekonomie të begatë, 47% e të anketuarve thanë se demokracia ishte më e rëndësishme, ndërsa 45% zgjodhën prosperitetin.
Në krahasim me tetorin e vitit 2015, 52% e të anketuarve të një Sondazhi opinioni IRI ishin të prirë drejt një ekonomie të shëndetshme, ndërsa 41% zgjodhën demokracinë.
Partia kryesore e Maqedonisë VMRO-DPMNE, e cila ka qenë në pushtet që nga viti 2006, këmbëngul se politikat e saj ekonomike kanë qenë të shëndosha dhe kanë tërhequr investimet e huaja dhe kanë krijuar vende të reja pune.
Ata thonë se kriza aktuale politike është vendosur në vend nga opozita socialdemokrate – dhe ajo është fajtore për pengimin e prosperitetit ekonomik. Ata gjithashtu mohojnë se kjo parti ka luajtur rol në uljen e demokracisë.
Socialdemokratët, SDSM, akuzojnë qeverinë për tendenca autoritare, për frenim të demokracisë dhe se kanë marrë peng ekonominë për interesat e tyre fitimprurëse.
Duke gjykuar nga deklaratat e saj të fundit publike, partia qendrore- e majtë do t’i japë të njëjtën rëndësi demokratizimit dhe ekonomisë, në zgjedhje.
Në raportin e tij të fundit të progresitpër Maqedoninë, Komisioni Europian vuri në dukje një mungesë demokracie.
“Demokracia dhe sundimi i ligjit janë sfiduar vazhdimisht, në mënyrë të veçantë për shkak të korrupsionit në nivel shtetëror, që ndikon në funksionimin e institucioneve demokratike dhe fushat kyçe të shoqërisë”, tha raporti. Sipas raportit, Maqedonia “vuan nga një kulturë përçarëse politike dhe mungesa e kapacitetit për kompromis”.
Zgjedhjet e dhjetorit, duke ndjekur shpërthimin e krizës së zgjatur politike që ka në qendër të saj LSDM-në, pretendon se partia në pushtet qëndronte pas përgjimit të paligjshëm të rreth 20,000 njerëzve, të cilat ajo i mohon.