Zidane rikthehet te Real Madrid, me pagë 12 mln euro në vit

13/03/2019 5:00 PM 0 komente

Me një lëvizje surprizë, Zinedine Zidane është kthyer nën drejtimin e Realit të Madridit, më pak se një vit nga largimi i tij, pasi fitoi trofeun e tretë radhazi të Champions League. Trajneri francez do të zëvendësojë argjentinasin Santiago Solari.

Ky i fundit zëvendësoi Julen Lopetegui në një sezon aspak të suksesshëm për Merengues, të cilët u eliminuan nga Champions League në fazën e 1/8-ve në përballjen me Ajax, gjithashtu u eliminuan në gjysmëfinalen e Copa del Rey (Kupa e Mbretit) ndaj Barcelonës dhe janë plotësisht jashtë luftës për titull në La Liga.

Para se të nënshkruante një marrëveshje të re me Zidane – shkruan “El Confidencial”, Florentino Perez vlerësoi disa kandidatë. Por gjithë trajnerët e mundshëm kishin kërkuar më shumë se 12 milionë euro neto në sezon, aq sa do të marrë në fakt Zizou. Kontrata, e cila do të zgjasë deri në vitin 2022, parashikon edhe disa bonuse që do t’ia rrisin pagën në mënyrë progresive Zidane.

Kur Zidane u largua nga Real Madrid vitin e kaluar, merrte një pagë prej 7,5 milionë eurosh si dhe disa bonuse. Për trajnerin e Realit, paga do të rritet, por kjo është njëkohësisht edhe një kursim për Los Blancos, duke marrë në konsideratë që Zidane ishte i lirë. Pavarësisht se shumë klube kishin treguar interes për francezin, marrëdhënia e ngushtë me Florentino Perez ndikoi në arritjen e marrëveshjes së re.

Zinedine Zidane u zgjodh për herë të parë trajner i Realit të Madridit në janar 2016, duke çuar menjëherë madrilenët drejt suksesit. Në fillim, paga e tij ishte 2,5 milionë euro, por fitimi i trofeut të 11-të të Champions League në historinë e Realit bëri që paga e tij të rritej menjëherë në 5,5 milionë euro. Në rishikimin e fundit të pagës, paga e tij arriti 7,5 milionë euro, plus bonuse.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of