Komisionit për Buxhet dhe Transfere ka shqyrtuar raportin vjetor të punës së Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për vitin 2019. Me të gjithë votat për është miratuar raporti i punës së Trustit. Ne këtë komision është fol edhe për tërheqjen e 10% të kursimeve pensionale.
Kryetari i Bordit të Fondit për Kursime Pensionale, Ruzhdi Morina ka thënë se me ndryshimin e Ligjit të Trustit për tërheqjen e 10 përqindëshit të kursimeve pensionale pritet që rreth 200 milionë euro të tërhiqen nga Fondi.
Megjithatë, Morina theksoi se nuk kanë qenë ithtarë të kësaj ideje qeveritare, pasi ka pasur mundësi të tjera.
“Sa i përket 10 përqindëshit nuk është që kemi qenë ithtarë të kësaj ideje, megjithatë kontribuuesit e kanë mirëpritur. Ka pasur alternativa tjetra përmes borxhit publik. Por, kemi bërë të gjitha përgatitjet që skema të ekzekutohet në rast se ndryshohet Ligji në Kuvend. Ne jemi përfshirë në fazën e zbatimit të pakos për Rimëkëmbje Ekonomike”, theksoi Moria.
Këto komente Morina i bëri në Komisionin për Buxhet dhe Transfere gjatë raportimit për raportin vjetor 2019.
Ndërsa, drejtori ekzekutiv i Trustit, Adrian Zalli tha se në Fond 160 milionë euro janë të pa investuara dhe kurdo që kalon Ligji ato mund të shpërndahen tek kontribuuesit që janë të interesuar.
“Ne kemi pasur ngrirje të investimeve në Kosovë. Sa i përket shumës që lidhet me 10%, ne duke marr parasysh se ligji mund të kalojë çdo moment ne e kemi një pjesë prej 160 milionë të pa investuara. Nëse kalon ligji shuma duhet të paguhet menjëherë sepse do të kemi një fluks të madh të kontributdhënësve që do të kërkojnë 10%”.
Deputetja e VV-së Mimoza Kusari-Lila ka pyetur se sa mund të jetë vlera që mund të tërhiqet nga kontributdhënësit prej 10%.
“Sa është vlera totale e parashikuar në rast se vlerësohet se kalon ligji për rimëkëmbje ekonomike dhe vlera që mund të tërhiqet nga kontributdhënësit nga 10%”.
Llogaritët se 370 mijë llogari janë aktive në Trust, derisa drejtues të Trustit theksuan se 74 për qind e mjeteve të fondit janë investuara jashtë vendit, ndërsa 24 për qind në tregun vendor.
Deputeti i PDK-së, Bedri Hamza ka thënë se është mirë që nuk ka vazhduar trendi negativ sikur që ishte në vitin 2018.
“Është mirë që viti 2019 ka qenë vit pozitiv dhe nuk vazhdoj trendi negativ. Unë kam nevojë për sqarim se ky ndryshim i raportit a është si rezultat i ecurive më të rrezikshme në tregjet e jashtme apo si rezultat i ndonjë politike të Fondit të Kursimeve Pensional ku raporti ndryshon mes investimeve jashtë dhe brenda”.
Ndërsa kryesuesi i komisionit Hekuran Murati ka bërë thirrje koalicionit qeverisës ta kalojnë ligjin për rimëkëmbje ekonomike dhe jo ta fajësojnë opozitën.
Madje ai ka thënë se ka pasur vullnet për rrëzimin e qeverisë dhe formimin, por nuk kanë vullnet për kalimin e ligjit.
Për projektligjin për rimëkëmbje ekonomike ka pasur dy tentime për votim por në mungesë të kuorumit ka dështuar të votohet, pas po kundërshtohet nga partitë opozitare.
Kujtojmë, se miratimi i Projektligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike ka dështuar dy herë në Kuvendin e Kosovës, ndërkaq bizneset në vend po këmbëngulin që sa më parë të kalojë ky Projektligj.
Në mungesë të kuorumit, të enjten e kaluar deputetët e Kosovës sërish kishin dështuar të miratojnë Projektligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike nga pandemia COVID-19. Në seancë kishin marr pjesë në votim vetëm 41 deputetë, ndërsa votimi për këtë Projektligj është bartur për seancën e radhës.
Projektligji parasheh ndryshimet ligjore që mundësojnë tërheqjen e 10 përqindëshit nga Trusti.
Përdorimi i një përqindjeje të mjeteve financiare të kursyera në Trust, rishikimi i buxhetit, lehtësimi i qasjes në financim dhe mbështetja për punësim janë disa nga nëntë masat e parapara të Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike që janë prezantuar në Programin Qeverisës 2020-2023 të Qeverisë së Kosovës.
Masa e pestë e kësaj pako parasheh stimulimin e kërkesës agregate që ka për qëllim rritjen e shpenzimeve të konsumatorëve, e cila nxit prodhimin dhe punësimin me efekte multiplikuese në ekonomi.
Në kuadër pakos për financimin e masave, pritet që të përdoren 170 milionë euro kthime të kursimeve pensionale për kontributpaguesit nga Fondi i Kursimeve Pensionale.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.