Një sërë treguesish të tjerë që e karakterizojnë ekonominë janë ende të pastabilizuar dhe besoj se edhe gjatë vitit 2018 do të mbeten të tilla. Ndoshta, disa prej tyre, edhe mund të përkeqësohen, siç mund të jetë borxhi publik, i cili, për hir të një morie projektesh koncesionare që do të realizohen nga autoritetet publike, do të bëjnë që rreziku i borxhit publik në të ardhmen të shtohet dhe ndoshta perceptimet e investitorëve gjithashtu mund të bëhen negative
Nga Selami Xhepa*
Zhvillimet e ekonomisë gjatë vitit 2018 mendoj se do të jenë brenda projeksioneve të parashikuara në programin makroekonomik: me një rritje ekonomike që besoj se do të jetë rreth 4% dhe me parametrat e tjerë makroekonomikë të stabilizuar. Në veçanti, zhvillimet në deficitin buxhetor, inflacionin dhe kursin e këmbimit të monedhës nuk kërcënohen nga ndonjë rrezik eminent.
Por, përtej kësaj tabloje të një normaliteti makroekonomik, një sërë treguesish të tjerë që e karakterizojnë ekonominë janë ende të pastabilizuar dhe besoj se edhe gjatë vitit 2018 do të mbeten të tillë. Ndoshta, disa prej tyre, edhe mund të përkeqësohen, siç mund të jetë borxhi publik i cili, për hir të një morie projektesh koncesionare që do të realizohen nga autoritetet publike, do të bëjnë që rreziku i borxhit publik në të ardhmen të shtohet dhe ndoshta perceptimet e investitorëve gjithashtu mund të bëhen negative.
Së dyti, financimi i rritjes ekonomike gjithashtu mund të vazhdojë të jetë problematik. Sektori bankar po përballet me sfidat e portofolit të rënduar që ka akumuluar gjatë viteve të bumit ekonomik dhe të kufizuar në një numër të vogël firmash të mëdha. Kjo do të vazhdojë të frenojë kreditimin e ekonomisë dhe zgjerimin e investimeve të reja. Mendoj se një model i ri biznesi nga ana e sistemit bankar është më i nevojshëm se kurrë më parë, një modeli që diversifikohet në firma të reja dhe thjesht tek firmat e mëdha që kanë një probabilitet të lartë të shndërrohen në “zombi” dhe të gëlltisin jo vetëm kreditë, por dhe të rrezikojnë ekonominë në tërësi.
Së treti: Financimi nëpërmjet investimeve të huaja duhet të jetë shumë më aktiv dhe bazuar në projekte. Personalisht nuk shoh ndonjë faktor që të ndikojë në mënyrë të dukshme në këtë drejtim. Për më tepër, përmirësimet e klimës së biznesit në vend mbeten jo të dukshme dhe problemet e investitorëve me burokracinë, korrupsionin dhe mosfunksionimin në tërësi të shtetit, mbeten ende prioritet i rëndësishëm.
Së katërti: Problemi i papunësisë, ose më mirë i krijimit të vendeve të punës dhe me paga të pëlqyeshme, do të jetë një sfidë për të cilën nuk ka ndonjë adresim të posaçëm nga autoritetet publike. Për këtë arsye, problematika sociale do të vazhdojë të mbetet e mprehtë dhe serioze.
Mbi këto konsiderata, besoj se normaliteti i zhvillimeve ekonomike edhe gjatë vitit 2018 nuk do të sjellë ndonjë diferencë të rëndësishme në mirëqenien e individëve apo ndonjë ndryshim cilësor sa i takon cilësisë së rritjes ekonomike të vendit.
*Presidenti i Instituti Europian “Pashko”
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.