Tregjet e shërbimeve celulare me pakicë dhe të akses-origjinimit nuk do të rregullohen nga AKEP por nga Autoriteti i Konkurrencës. Një vendim i fundit i Këshillit Drejtues të AKEP ka konkluduar se sipas praktikës së BE-së ligji i konkurrencës është i mjaftueshëm për të zgjidhur problemet e konkurrencës. Sipas AKEP, vendimet e fundit të Autoritetit të Konkurrencës nr. 679, datë 14.02.2020 “Për hapjen e procedurës së hetimit paraprak në tregun me pakicë të shërbimeve celulare” dhe nr. 680, Datë 14.02.2020, “Për marrjen e masës së përkohshme për rivendosjen e konkurrencës në tregun me pakicë të shërbimeve celulare”, dëshmojnë se në kushtet aktuale, ligji material për mbrojtjen e konkurrencës është i mjaftueshëm për të adresuar për zgjidhje problemet e konkurrencës në një treg të parregulluar ex-ante dhe pjesërisht objekt i analizës në shqyrtim, atë me pakicë të shërbimeve celulare.
Konkurrenca i kishte rekomanduar AKEP me një vendim të mëparshëm nr. 635, datë 04.07.2019, Të realizojë analizën e tregut të pakicës të tregut të telefonisë celulare për të ndërmarrë masat e nevojshme rregullatore për rregullimin e këtij tregu, për përcaktimin e ndërmarrjes “Vodafone Albania” SHA me FNT në tregun me pakicë të shërbimeve celulare dhe vendosjen e masave rregullatore përkatëse.
Por me vendimin e fundit, Nr. 661, Datë 21.11.2019, Autoriteti Konkurrencës bën me dije se “AK ka realizuar dy takime konsultative me Vodafone Albania në datat 11.10.2019 si dhe më 01.11.2019 ku janë diskutuar qëndrimet e Vodafone Albania lidhur me analizat e AKEP në tregun shërbimeve celulare. Sipas Vodafone Albania procesi normal për të analizuar tregun është së pari të identifikojmë situatën nga pikëpamja e tregut me pakicë, nëse ka probleme të konkurrencës dhe nëse është kështu të zbatojmë testin e tre kritereve, sipas udhëzimeve të Komisionit Evropian. Dhe nëse testi rezulton pozitiv për secilin nga kriteret, të mundohemi të gjejmë nëse ka vërtet në treg një operator me fuqi të ndjeshme”.
Në konkludim të këtij vendimi AK i rekomandon AKEP që përpara marrjes së vendimit përfundimtar për dokumentin për këshillim publik “Analizë e tregut të shërbimeve celulare – tregu me shumicë i aksesit dhe origjinimit në rrjetet celulare”, të vlerësojë: komentet e Vodafone Albania, depozituar në AKEP datë 18.06.2019 lidhur me Analizën e Tregut të shërbimeve celulare në përgjithësi dhe të marrë në konsideratë rekomandimet e Komisionit Evropian për analizën e tregut dhe vlerësimin e FNT (2018/C 159/01) sipas kuadrit rregullator për komunikimet elektronike, rrjetet dhe shërbimet të komunikimit elektronik.
Ndryshimi i qëndrimit të Autoritetit të Konkurrencës lidhur me tregjet celulare me pakicë e ka ndryshuar testin e tre kritereve i domosdoshëm për ndërhyrjen e AKEP në këto tregje. Një nga kriteret ishte (iii) vlerësimi nëse aplikimi vetëm i ligjit në fuqi që rregullon fushën e konkurrencës është ose jo i mjaftueshëm për të adresuar në mënyrë të përshtatshme dështimin e tregut të marre në shqyrtim.
Me vendimet e fundit të AK, vlerësohet se ligji i konkurrencës është i mjaftueshëm për të adresuar problemet e konkurrencës. Kjo praktikë ndiqet pa përjashtim në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian dhe të rajonit ku rregullatorët ndërhyjnë me masa kryesisht në tregun e terminimit të thirjeve ndërsa tregjet e tjera mbikëqyren nga autoritetet e konkurrencës.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.