Eventi i Apple u çel duke u përqendruar te shërbimet dhe pajisjet e reja të kompanisë me seli në Cupertino. U prezantua Apple Watch 5 dhe iPad 7
Antipasta, nëse do ta cilësojmë kështu, ishte prezantimi i disa risive. Sigurisht, ndoshta dikush priste ndonjë lajm të papritur (one more thing – siç thoshte Steve Jobs), por gjithsesi ishte një antipastë e mjaftueshme. Para se të zbulonte tre iPhone-t e rinj (iPhone 11, iPhone 11 Pro e iPhone 11 Pro Max), Apple prezantoi shërbimet dhe pajisjet e reja.
Apple Watch 5
E nisim me risinë më interesante: Apple Watch Series 5. Ora inteligjente e kompanisë me seli në Cupertino nuk ndryshon në paraqitje, por kjo nuk do të thotë se është identike me modelin paraardhës. Risitë janë të shumta, edhe pse nuk shihen menjëherë. Mjafton të shihni ekranin – në gjeneratën e pestë është përfshirë opsioni always on display, në mënyrë që të shihni gjithnjë “fytyrat” e telefonit tuaj.
Edhe autonomia e baterisë është përmirësuar, falë sensorëve të rinj që ndryshojnë ndriçimin në varësi të situatës në të cilën jeni, frekuencës së përditësimit të ekranit (nga 1 Hertz në 60 Hertz) dhe opsioneve të tjera. Software po ashtu janë përmirësuar.
Tek Apple Watch 5 i është kushtuar vëmendje edhe informacioneve mbi shëndetin të të gjithë atyre që mbajnë në dorë orën inteligjente. Apple Watch 5 përveç elektrokardiogramës, një funksion i përfshirë në modelin e mëparshëm, bën edhe thirrje të automatizuara në numrat e emergjencës në të gjithë botën (mjaft të mbani shtypur butonin kryesor për disa çaste) dhe ka “kartelën shëndetësore” personale që zotëron të gjitha të dhënat dhe informacionet shëndetësore. Apple Watch Series 5 mund ta porosisni online në faqen web të Apple – version me vetëm GPS kushton 399 dollarë, ai me eSim, 499 dollarë.
iPad i gjeneratës së shtatë
Një tjetër risi ishte prezantimi i iPad-it të ri të gjeneratës së shtatë. Edhe në këtë rast nuk ka ndryshime estetike, megjithatë ekrani është pakëz më i madh se në modelin paraardhës. Në iPad 7, diagonalja e ekranit është 10,2 inç (nga 9,7 inç më parë).
Por ndryshimet më interesante janë të tjera. iPad i gjeneratës së fundit është projektuar me iPadOS në mendje, në mënyrë që përdoruesi të shfrytëzojë në maksimum sistemin e ri operativ të përmirësuar. iPad7 është i pajisur me Smart Connector, i cili mund të lidhet me Apple Keyboard , duke e shndërruar në këtë mënyrë tablet-in në një notebook të vogël. iPad 7 do të kushtojë 389 euro në versionin Wi-Fi prej 32 gigabyte.
Apple Arcade dhe Apple TV+
Në këtë event, Apple u kushtoi rëndësi edhe shërbimeve të abonimit që do të nisë t’i ofrojë në javët e ardhshme.
Apple Arcade është shërbimi gaming në cloud, i cili do të jetë i disponueshëm duke nisur nga 19 shtatori për 4,99 dollarë në muaj dhe do të jetë i integruar në App Store.
Apple TV+ do të jetë i disponueshëm duke nisur nga 1 nëntori në më shumë se 100 vende për 4,99 dollarë në muaj. Ata që do të blejnë një iPhone, një iPad, një Mac apo një Apple TV, do të kenë një vit abonimi falas.