Shtigjet e pambyllura fiskale
Ndryshimet e vazhdueshme të legjislacionit fiskal, niveleve të taksave e tatimeve janë kthyer në shqetësim për bizneset dhe investitorët e huaj, duke penguar planet afatgjata dhe projektet për investime.
Për më tepër që këto rishikime, sidomos vitet e fundit, krijuan shtigje të shumta për evazion dhe shmangie fiskale nga disa, duke dëmtuar konkurrencën e ndershme dhe duke ndikuar negativisht në të ardhurat buxhetore (projektbuxheti 2022 vlerëson se nga përjashtimet fiskale janë rreth 600 milionë euro të ardhura të munguara në vit në buxhet).
Vetë qeveria u angazhua që paketa fiskale e janarit 2021 do të ishte në fuqi deri në vitin 2029, duke premtuar qëndrueshmëri fiskale. Por kjo nuk ndodhi. E nxitur dhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, në kuadër të një programi afatmesëm për strategjinë e të ardhurave – me fokus thjeshtimin e sistemit tatimor dhe shmangien e përjashtimeve- sërish disa projektligje janë hartuar, së bashku me projektbuxhetin 2022.
Ndryshimet prekin pothuajse të gjitha fushat tatimore, si TVSH-në, taksat kombëtare, akcizat, tatimin mbi të ardhurat. Disa prej tyre synojnë eliminimin apo zvogëlimin e përjashtimeve, p.sh. rritja e pragut për vlerën e makinerive që përjashtohen nga TVSH-ja, apo vendosja e taksave për karburantet e jahteve.
Nuk mungon dhe rritja e disa taksave, si akciza e cigares (që po shkon drejt niveleve të Bashkimit Europian dhe ka synim pozitiv për uljen e konsumit të duhanit), por dhe e produkteve të domosdoshme si gazi, i cili do të jetë i gjithi me akcizë dhe jo vetëm për gazin që përdoret për automjetet.
Por, shtigjet fiskale mbeten të hapura. Tatimi mbi pagën është përshkallëzuar dhe ndërlikuar më tej, duke rritur pragun që nuk paguhet tatim nga 30 në 40 mijë lekë, si dhe duke përgjysmuar tatimin për nivelet nga 30 në 50 mijë lekë (nga 13% që është aktualisht), krahas rritjes së pragut për taksimin me 23% nga 150 në 200 mijë lekë.
Ky përshkallëzim ka nxitur vitet e fundit një skemë të shmangies tatimore, me punonjësit me paga të larta që dolën nga skema e sigurimeve dhe hapën biznese si të vetëpunësuar, që në kontrast nuk paguajnë pothuajse asnjë taksë (janë të përjashtuar nga tatimfitimi deri në 14 milionë lekë xhiro dhe TVSH deri në 10 milionë lekë). Vetë tatimet, tre vitet e fundit, u përpoqën të frenonin shmangien, duke hartuar një sërë rregullimesh ligjore. Skema pritet të vazhdojë, me bizneset që do të tentojnë të mbajnë pagat e punonjësve në nivelin deri në 50 mijë lekë dhe ata me paga të larta, që do t’u drejtohen vetëpunësimit.
Sipërmarrjet do të vijojnë të vuajnë pasojat e ndryshimeve të shpeshta e të pamenduara fiskale. Shembulli më i mirë është industria e përpunimit të qumështit, të cilën, ulja e kompensimit të TVSH-së nga 20% në 6% rreth dy vjet më parë e ka ndikuar negativisht në reduktimin e prodhimit dhe ka nxitur importet. Dhe cila është zgjidhja e gjetur? “Fajtori” është qumështi pluhur, i cili zëvendësoi lëndën e parë vendase (qumështin) dhe tashmë ai do të taksohet!
Paketa e re fiskale është pjesë e projektbuxhetit 2022. Ndonëse ekonomia është në një cikël të fortë rritjeje, një zhvillim që ishte i pritshëm, pas tkurrjes së fortë në vitin pandemik, buxheti ashtu siç ndodh rëndom mbetet optimist.
Deficiti (diferenca mes të ardhurave dhe shpenzimeve) mbetet më i lartë sesa justifikohet nga të ardhurat, duke arritur në 5.4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) dhe ai primar (përjashtuar shpenzimet për interesa) në 3% të PBB-së, mbi nivelin e rekomanduar nga FMN-ja. Mania e projekteve të mëdha që ka kapluar së fundmi qeverinë është në kontrast me pasiguritë e larta ekonomike që mbeten në të ardhurat dhe nevojat më imediate që mund të lindin si pasojë e këtyre pasigurive, apo dhe rreziqet që mund t’i shoqërojnë ato, që mund të çojë në ngadalësimin e të ardhurave.
Borxhi vijon të mbetet në kufijtë e 80% të PBB-së, shumë i lartë, duke pasur parasysh nivelin e konkurrueshmërisë së vendit (lexo aftësinë paguese). Rritja e normave të interesit në tregjet ndërkombëtare rrezikon ta bëjë më të vështirë shërbimin e borxhit në vitet që vijnë. Projektet koncesionare nuk po ndalen, duke rritur barrën e borxheve në të ardhmen. Në të kundërt, shpenzimet për ndihmën ekonomike që mbështesin familjet në nevojë do të shkurtohen me 5% (shiko shkrimin në faqet e brendshme të revistës).
Si gjithmonë, as paketa fiskale dhe as buxheti nuk arritën të na habisin për mirë. Qëndrueshmëria fiskale e premtuar nuk ndodhi, ndërsa buxheti do të vijojë të përballet me rreziqet që mund të vijnë nga shpenzimet ambicioze e deficiti i lartë në një mjedis ekonomik të vështirë, që mund të ushtrojë presion mbi të ardhurat.