Ndryshimet e njepasnjeshme te buxheteve te viteve 2009 dhe 2010 deshmojne per prekjen e vendit nga kriza, cka beri qe te deshtonin pritshmerite optimiste per rritjen e te ardhurave. Sa ishin hyrjet faktike gjate 2009-s dhe tre skenaret e shpenzimeve te parashikuara per vitin 2010. Ndersa eshte deklaruar aktualisht se shpenzimet do te ulen me 25 miliarde leke, qeveria ka shume mundesi te kaloje ne skenarin e pare qe parashikon nje reduktim te tyre me 47 miliarde leke
Nëse ka një fushë ku parashikimet kanë qenë të dështuara është ai i projektimit të të ardhurave buxhetore gjatë dy viteve të fundit. Teksa buxheti 2009 u hartua me një pritshmëri shumë optimiste, duke mos marrë parasysh faktin që vendi nuk mund të mbetej jashtë valës së krizës që shpërtheu në shtator 2009, financat u dorëzuan dhe e rishikuan atë në gjysmën e dytë të vitit. Por përsëri edhe ky planifikim nuk arriti të realizohej dhe shifrat faktike të realizimit të vitit të kaluar, të publikuara nga Ministria e Financave tregojnë se ato janë shumë larg dy parashikimeve të mëparshme.
Të njëjtin fat pati edhe buxheti i 2010-ës, i cili ishte i destinuar të ndryshohej që pa u nisur mirë, teksa qeveria hartoi një plan shumë optimist në nëntor të 2009-s, ndonëse ishte e qartë se as buxheti i rishikuar i 2009-s nuk do të arrinte të realizohej (për hollësitë shifrave shiko tabelën “Rishikimet e buxheteve gjatë periudhës 2009-2010”). Tashmë të ardhurat e pritshme për 2010-n janë reduktuar, ndërsa janë hartuar dhe tre skenarë për shkurtimin e shpenzimeve, që do të zbatohen në varësi të mbledhjes së të ardhurave.
Buxheti faktik 2009
Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, të ardhurat në buxhetin e konsoliduar për vitin 2009 janë 298.3 miliardë lekë ose 21.6 miliardë më pak se parashikimi i rishikuar për këtë periudhë dhe rreth 32 miliardë lekë më pak se parashikimi fillestar. Krahasuar me vitin 2009, ka një rritje të të ardhurave totale me rreth 2.4%, nga 3% që pretendohet të ketë qenë rritja ekonomike gjatë 2009-s, çka flet për një rritje reale negative të të ardhurave buxhetore. Mesatarisht të ardhurat totale gjatë 2009-s u rritën me rreth 10 miliardë lekë, nga 20-30 miliardë lekë që ishte shtimi mesatar i të ardhurave gjatë viteve të kaluar.
Të ardhurat kanë mbetur në nivelin e 26% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), ndryshe nga parashikimet e financave për ta çuar këtë shifër në 28% të PBB-së, ku kjo e fundit konsiderohet si niveli optimal ku mund të arrijnë të ardhurat buxhetore në vend.
Sipas financave, të ardhurat nga tatimet dhe doganat janë 208.6 miliardë lekë, 10.7 miliardë më pak se parashikimi dhe 1.6% më shumë se në vitin 2008.
Tatimi mbi vlerën e shtuar (TVSH), një tregues i rëndësishëm i qarkullimi të aktivitetit ekonomik, ka shënuar një rritje minimale prej rreth 2.8%, nga rreth 10% që pritej në buxhetin fillestar, çka dëshmon për ngadalësimin e aktivitetit ekonomik gjatë 2009-s.
Të ardhurat nga tatimi mbi fitimin kanë shënuar një rënie prej 5% në krahasim me 2008-n, duke konfirmuar për një vështirësi të bizneseve gjatë kësaj periudhe.
Ecurinë më të mirë e ka pasur tatimi mbi të ardhurat personale, që ka shënuar një rritje prej rreth 12%. Vendosja e tatimit të sheshtë prej 10% për të ardhurat personale (nga një shkallë nga 0 deri në 25% që ishte më parë) ka sjellë një rendiment mjaft të mirë për tatimet, si rrjedhojë e rritjes së kësaj takse për të gjithë ata që kishin paga relativisht të ulëta. Ndryshe ndodhi me uljen e tatim fitimin në 10%, që nuk u arrit të shoqërohej me më shumë të ardhura në buxhet, ashtu siç parashikohej fillimisht se një reduktim i kësaj takse do të zgjeronte bazën e tatimpaguesve dhe do të përmirësonte administrimin.
Të ardhurat nga taksat vendore janë 12.1 miliardë, 6.2 miliardë më pak se parashikimi dhe 7.4% më të larta se një vit më parë; të ardhurat në buxhetet e pavarura janë 49.8 miliardë, 391 milionë me pak se parashikimi dhe 4.1% më shumë se në vitin 2008; të ardhurat jo tatimore arritën në 24.5 miliardë, me një mosrealizim prej 900 milionë lekë ndaj një viti më pare prej 3% me pak; të ardhurat nga ndihmat janë 3 miliardë lekë, 3.2 miliardë me pak se parashikimi dhe 27% me pak se një vit më parë.
Sipas financave, shpenzimet e përgjithshme të buxhetit, në fund të vitit 2009, arritën në rreth 376.8 miliardë lekë, nga rreth 401.5 miliardë lekë të parashikuara sipas aktit normativ, duke u realizuar në rreth 93.9% ose me një mosrealizim prej rreth 24.7 miliardë lekë. Në këtë mënyrë këto shpenzime në fund të vitit 2009 arritën në rreth 32.96% të Produktit të Brendshëm Bruto, nga rreth 32.38% që arritën një vit më parë.
Kundrejt vitit 2008, shpenzimet buxhetore rezultojnë rreth 25.3 miliardë lekë më të larta, ose rreth 7.2% më shumë.
Rritja e shpenzimeve me ritme më të larta se të ardhurat çoi në një rritje të deficitit buxhetor, i cili në 2009-n arriti në një nivel rekord prej rreth 7% të PBB-së.
Në nivele rekord arriti dhe stoku i borxhit publik që në në fund të vitit 2009 rezultoi në 59.63% të PBB-së. Në përbërjen e këtij stoku përfshihen borxhi me instrumente financiare (i brendshëm) 36.30% e PBB-së dhe borxhi i jashtëm 23.33% e PBB. Synimet e qeverisë për të ardhmen janë që të shkohet drejt rritjes së borxhit të jashtëm.
Tre skenarët e 2010-ës
Qeveria ka kaluar së fundmi buxhetin e rishikuar të 2010-s. Parashikimi për rritjen e të ardhurave është ulur me rreth 30 miliardë lekë në krahasim me buxhetin fillestar të 2010-s, teksa të ardhurat parashikohet të jenë rreth 29 miliardë lekë më të larta se rezultati i pritshëm për 2009-n.
Janë rishikuar në ulje nga buxheti fillestar kryesisht të ardhurat nga tatimet e doganat me -13 miliardë lekë (kryesisht TVSH, akciza dhe tatimi mbi të ardhurat personale); ato nga pushteti vendor me -6.6 miliardë lekë si dhe të ardhurat nga buxheti i pavarur dhe ato jo tatimore.
Një ulje e pritshmërive në të ardhurat do të sillte normalisht një reduktim të shpenzimeve, në mënyrë që të mbahej nën kontroll deficiti buxhetor. Lidhur me shkurtimin e shpenzimeve, qeveria ka parashikuar tre skenarë, që parashikojnë një reduktim përkatësisht me 47, 37 dhe 27 miliardë lekë. Nuk është bërë ende e qartë se cili do të jetë skenari që do të zbatohet, ndonëse kryeministri Berisha ka bërë të ditur në mbledhjen e fundit për një shkurtim prej rreth 25 miliardë lekë, që nënkupton zbatimin e skenarit të tretë, atij që parashikon dhe një reduktim më të ulët të shpenzimeve. “Kjo është e domosdoshme për të pasur një stabilitet makroekonomik të garantuar, por edhe për të pasur një reputacion europian e botëror, të domosdoshëm për besimin e investitorëve nga mbarë bota”, deklaroi Kryeministri në mbledhjen e fundit të qeverisë.
Gjithsesi duket se financat do të detyrohen të kalojnë në një shkurtim më agresiv të shpenzimeve buxhetore, në rast se rendimenti i mbledhjes së të ardhurave do të vazhdojë të jetë i dobët. Ky reduktim mund të arrijë deri në -47 miliardë lekë në rastin më të keq (zbatimi i skenarit të parë). Goditjen kryesore për shpenzimet buxhetore e marrin shpenzimet administrative, ato kapitale dhe ato për buxhetin vendor (shiko tabelën e krahasimeve në buxhet). Në rast se do të zbatohet skenari i parë, shpenzimet kapitale do të reduktohen me 31%. Në fakt, gjatë vitit të kaluar shpenzimet e larta kapitale ishin një nga faktorët kryesorë që nxitën rritjen ekonomike sidomos në 6 mujorin e parë të vitit, ku vendi vijoi t’i gëzohej normave të larta të rritjes ekonomike prej 6%, në një kohë që biznesi, sidomos industria po vuante pasojat e krizës ekonomike globale.
Dalja në treg me eurobonde
Synimi për të dalë në tregun e eurobond-eve duket se është motivi kryesor që qeveria u detyrua të hartonte skenarë më realistë të buxhetit se ai fillestari i nëntorit 2009. Ministria e Financave kërkon të realizojë synimin e saj për të debutuar në emetimin e Eurobond-eve (letrave me vlerë në euro) në tregun ndërkombëtar të borxheve. Emetimi i tyre ishte parashikuar që më se një vit më parë, por u shty për shkak të krizës ndërkombëtare globale. Shuma e parashikuar është 300 milionë euro, me një afat maturimi prej 3-5 vitesh. Rreth 200 milionë euro nga kjo shumë parashikohet të përdoret për të rifinancuar dhe ulur koston e huasë bankare të marrë për rrugën Durrës-Kukës.
çmimet pritet të mbeten të larta
Parashikime jo realiste për uljen e punësimit dhe reduktimin e deficitit të llogarisë korente
Në parashikimin e treguesve kryesorë makroekonomikë, të publikuar nga financat së fundi, pritet që inflacioni të vazhdojë të qëndrojë në nivele të larta mbi 3% për tre vitet në vijim. Ndërkohë që vendi pritet të ketë një rritje të kënaqshme ekonomike prej 5.5% në 2010-n për të arritur nivelin e lartë prej 7.1% në 2012-n. Pritet dhe një normë e lartë e zbritjes së papunësisë në 8.6% në 2013-n nga 12.7% që ishte në 2009-n, parashikim që nuk duket shumë realist duke parë ecurinë e deritanishme të këtij treguesi dhe lidhjen e dobët që ai ka pasur me rritjen ekonomike. Edhe një reduktimi i deficitit të llogarisë korente në 8.5% të PBB-së në 2013-n nga mbi 14% aktualisht përsëri nuk duket shumë i besueshëm, pasi nuk ka tregues që të bëjnë të besosh se eksportet do të shënojnë një rritje të fuqishme në një të ardhme të afërt, në një kohë që importet priten të larat dhe nga ata tjetër niveli i lartë i transferimit të fitimit nga kompanitë e huaja në vendet e tyre të origjinës ka qenë një faktor që ka ndikuar ndjeshëm në përkeqësimin e këtij deficiti.